Në ambasadën e Ukrainës në Tiranë, u bë sot promovimi i librit “Babai im – Leonid Zhabotinsky” për të gjithë fansat e historisë sportive së shekullit XX.
Libri i Ruslan Zhabotinsky-t vjen në shqip me përkthimin e Agron Haxhihysenit, ish-sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe një i apasionuar i përhershëm i sportit të peshëngritjes.
Libri rrëfen jetën dhe karrierën e Leonid Zhabotinsky-t, një sportist i shquar, legjendë e peshëngritjes botërore. Gjatë karrierës së tij ai është shpallur dy herë kampion olimpik. Leonid Zhabotinsky (janar 1938-janar 2016) vendosi 19 rekorde botërore për një periudhë 12-vjeçare (1963-74). Zhabotinsky ka lindur në Ukrainë, në rajonin e Kharkivit, i kthyer së fundmi, në zonë lufte dhe i goditur rëndë nga Rusia.
Gjatë aktivitetit, të pranishmit patën edhe një lidhje online me djalin e tij, Ruslan Zhabotinsky, si dhe praninë e grupit të atletëve ukrainas në ambasadë, duke pasur kështu dhe mundësinë e artë që t’i bënin dhe pyetje autorit në lidhje me historinë e babait të tij.
Edhe përkthyesi i librit, Agron Haxhihyseni, ka qenë shumë herë fitues i medaljeve në kampionate evropiane, rekordmen kombëtar në peshëngritje si dhe autor librash për sportin dhe tashmë vjen si përkthyes. A.K./TemA
Lini një Përgjigje