Në një mjedis të ngrohtë mes miqsh dhe studiuesish, u promovua vepra “Studime letrare të zgjedhura” në 10 vëllime, e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Prof. dr. Anton Nikë Berisha, një lajm i mirë ky për kritikën e artit dhe për të gjithë ato që janë të apasionuar pas letërsisë dhe artit të të shkruarit.
Autori, me një krijimtari të gjerë letrare e studimore, sjell në këtë botim përmbledhjen e interpretimeve dhe studimeve monografike që pasqyrojnë qasje të ndryshme ndaj teksteve poetike dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi nga një perspektivë personale
“Kjo është pjesa më cilësore që kam bërë dhe botuar gjatë këtyre dekadave pune. Kam përfshirë kryesisht studime monografike, sepse ato dëshmojnë si dijen, ashtu edhe padijen e autorit. Kam synuar të bëj një renditje duke filluar nga çështjet teorike e estetike, e më pas tek ato të letërsisë gojore,” u shpreh Prof. dr. Anton Nikë Berisha gjatë promovimit.
Këto vëllime përbëjnë një dëshmi të përkushtimit të autorit ndaj letërsisë shqipe, si dhe aftësinë e tij për të ndriçuar vlerat shprehëse dhe estetike të veprave letrare.
Antoni i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës letërsisë. Ai lindi në Kosovë dhe Shkollën normale e mbaroi më 1966 në Prishtinë. Më 1971 mbaroi studimet në Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe, të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më 1976 kreu studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin e magjistrit të filologjisë. Po në këtë Universitet (më 1981) mbrojti tezën e doktoratës shkencore.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje