Shpallen fituesit e tregimeve arbëreshe më të mira në konkursin: “Krenarbëria”

5 Mars 2024, 08:42Kulturë TEMA
Shpallen fituesit e tregimeve arbëreshe më të mira në

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të parë të konkursit “Krenarbëria”, i cili
u organizua nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), si një formë për
të motivuar dhe promovuar të rinjtë arbëreshë në fushën e letërsisë.
Ceremonia u mbajt në këtë ditë simbolike, që përkon edhe me 121-vjetorin e ndarjes nga jeta të
Jeronim De Radës dhe pati të pranishëm shumë personalitete të kulturës e të shkencës, si dhe
vetë konkurrentët arbëreshë, disa prej të cilëve vinin për herë të parë në vendin amë.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
(QSPA), prof. Diana Kastrati prezantoi nismën dhe falënderoi pjesëmarrësit, veçanërisht
konkurrentët e konkursit që udhëtuan nga Italia për të qenë prezent në konkursin “Krenarbëria:
Rrëfime arbëreshe”. Ajo theksoi nevojën për ndërhyrje prej instancave shtetërore për mbijetesën
e arbërishtes, si dhe nevojën për rishikim të kurrikulave shkollore dhe të integrimit të autorëve
dhe letërsisë arbëreshe duke qëndruar në një vijë me strategjitë dhe politikat e QSPA-së.
Me tej, fjalën e mori drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri, z. Alessandro Ruggiero, i
cili theksoi ndërgjegjësimin e arbëreshëve për ruajtjen e identitetit të tyre etnik në Itali. Ai,
gjithashtu u ndal në rëndësinë që ka promovimi dhe ruajtja e arbërishtes përmes nismave të tilla.
Pas përshëndetjeve të rastit, secili prej anëtarëve të jurisë së Çmimit vjetor “Krenarbëria” treguan
mbi përvojën e tyre në këtë nismë të QSPA, si dhe veçoritë që i karakterizuan prurjet letrare të
këtij konkursi. Juria ishte e përbërë prej tre studiuesve të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve
për Arbëreshët, përkatësisht prof. Diana Kastrati, Dr. Fabio Rocchi dhe dr. Jolanda Lila, si dhe
nga dy emra të rëndësishëm të botës arbëreshë, konkretisht prof. Carmine Stamile dhe znj.
Fernanda Pugliese.
Studiuesi Fabio Rocchi, theksoi rëndësinë e bilinguizmit ndër arbëreshët, si dhe paraqiti disa prej
elementëve të rëndësishëm të tregimeve arbëreshe të paraqitura në konkurs. Fjalën e mori edhe
studiuesja Jolanda Lila, e cila nënvizoi rëndësinë e prurjeve të shumta të këtij konkursi, të cilat
dëshmojnë për vijimësinë e letërsisë arbëreshe në fushën e prozës.

Në lidhje direkte përshëndetën të pranishmit edhe anëtarët e tjerë të jurisë, prof. Carmine Stamile
dhe znj. Fernanda Pugliese.

Në këtë konkurs, u vlerësua me çmimin e parë, autorja Ilina Sancineti nga Spixana, me
motivacionin: Për tregimin “L’appartenenza- (Përkatësia)” ku ka ditur të realizojë arketipe
antropologjike e kulturore të botës arbëreshe, duke i ndërthurur këto dëshmi me rievokime
vetjake të trashëgimisë lirike dhe gojore të përfshira në një fabul letrare origjinale.”
Çmimin e dytë e mori autori Nicola Scalici nga Hora e Arbëreshëvet, Sicili me motivacionin:
“Për tregimin “Akkordeon” në të cilin ka arritur të ndërthurë aktualitetin me frymën muzikore të
kulturës arbëreshe, duke i kushtuar edhe reflektime të rëndësishme traditës kulinare të
ëmbëlsirave të Horës së Arbëreshëvet (Piana Degli Albanesi)”.
Ndërsa, çmimi i tretë iu akordua autorit Mario Calivà nga Hora e Arbëreshëvet, me
motivacionin: “Për tregimin “Mushku” në të cilin ka arritur të japë prova të prekshme të
qëndrueshmërisë së kulturës arbëreshe përmes përdorimit të arbërishtes, duke shpërfaqur edhe
lidhje jetike me traditën letrare italiane”.
Në fjalën e rastët fituesit shprehën falenderimet dhe emocionet e tyre. Fituesja e vendit të parë,
Ilina Sancineti theksoi rëndësinë e temave që prekin katundet arbëreshe, të tilla si: familja,
dashuria për tokën e rrënjët etj., tema të cilat ajo përpiqet t’i estetizojë në tregimet e saj.
Fituesi i vendit të dyrë, Nicola Scalici paraqiti ndjesitë dhe përshtypjet e tij për tregimin
“Akkordeon”, në të cilin ka arritur të ndërthurë aktualitetin me frymën muzikore të kulturës
arbëreshe. Mes lotësh, ai shprehu emocionet për rrënjët e tij arbëreshe dhe mënyrën sesi
personazhet e këtij tregimi kanë “zbritur” nga pema e tij familjare.
Prof. Kastrati theksoi edhe prurjen me rëndësi të shkrimtarit Mario Calivà me tregimin
“Mushku”, por për shkak të angazhimeve autori e kishte të pamundur të ishte prezent në këtë
ceremoni.
Konkursi “Krenarbëria” do të jetë një veprimtari e përvitshme, e cila synon të inkurajojë më tej
të rinjtë arbëreshe për ruajtjen e arbërishtes dhe për vijim e traditës letrare të këtij areali të
diasporës historike shqiptare. A.K.TemA

1 Komente

  1. r
    rrr

    diaspora orthodhokse ,,,,

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje