Shkrimtari që na mungon

20 Maj 2023, 17:45Kulturë TEMA

Shkrimtari që na mungon

Nga Monika Stafa

Jo pak herë në jetë na ndodh që ngjarjet që jetojmë, edhe kur nxiten të shkëputura nga njerëz të panjohur ose jo, e kanë forcën shtytëse të ndikojnë në jetën tonë individuale.

Po cfarë do të thotë për një individ të thjeshtë, një qytetar të shtresës së mesme të jetë pjesë e një epoke? Të jetë historia e një brezi?

Ne e dimë se ka dy histori në antropogjenezën e njeriut. Është ajo që ndryshe quhet Kujtesa e Fëmijërisë; e aftë të shkatërrojë, të ekzekutojë dhe të shkaktojë dëme të pashpjegueshme.

Por ka dhe një histori tjetër; ajo e përditshmja, e përbërë nga ndodhi të vogla, social- politike dhe kulturore e krijuar kryesisht nga filmat, këngët, ndryshimet në shoqërinë konsumatore dhe mënyrat e të folurit apo edhe e të qënit.

Sepse njeriu nuk është kurrë i shkëputur nga jeta kolektive. Edhe kur ai ëndërron të jetë i pavarur prej saj.

Por në shoqërinë njerëzore ka jo pak njerëz të cilët nuk ndjejnë të jenë pjesë e historisë, kujtesës së saj. Individë, të cilët veten e shohin plotësisht të shkëputur prej ngjarjeve të rëndësishme ndërsa ato ndodhin.

Kjo është në fakt ajo që në romanin “Vitet”, nobelistja franceze Annie Ernaux e quan “un moi hors de l' Histoire” – krejtësisht jashtë historie.

Kjo aftësi e shkëputjes së tyre prej historisë është një mënyrë tjetër që krijon Historinë përtej perceptimit individual, librave të historisë, mediave apo dhe rrëfimeve kolektive në mënyrën se si tregohet dhe tejcohet Historia.

Ngjarjet bëjnë epokën. Dhe secila epokë ka momentumin e vet. Ndaj dhe njerëzit rrëfejnë, shkruajnë. Tregojnë ngjarje dhe histori, edhe pse të shkëputura nga bota e cila duket se pa vetëdije shenjon jetën tonë.

Një nga këto ngjarje është dhe lëvizja e mendimit ndryshe në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Brezi i vitit 1968. Brezi që ka shqetësuar më së shumti autoren në romanin e saj.

Në mesin e viteve ’60 të shekullit XX ndodhën lëvizje të mëdha mendimi.

Në botën e artit, sidomos të artit skenik hapësira tradicionale e lirisë u shpall e pamjaftueshme dhe e pavlefshme, jo vetëm në Lindje por dhe në Perëndim.

Në ish -B.S., Ilia Jerenburg kishte shkruar “Shkrirjen e akujve”, kurse Pastërnaku ishte laureuar me cmimin Nobel për “Doktor Zhivagon”. Titujt e këngëve të Beatles “Let it be” u bënë parime morale për brezat e viteve 1960.

Brezi 1968 hyri në jetën e shoqërisë moderne me frymë revolte dhe refuzimi; estetik, etik, politik dhe social. Ishte pikërisht refuzimi që e bëri këtë brez protagonist në historinë e Luftës së Ftohtë. Kjo frymë refuzuese në disa prej vendeve perëndimore mori karakterin e lëvizjeve masive. Studentët dhe rinia në Francë pushtuan sheshet dhe vunë në alarm qeverisjen. Në Itali dhe Britani Brezi 1968 vuri në lëvizje mendimin e shoqërisë dhe kërkoi prej saj një horizont të ri pritjeje.

Ky Brez në vendet ish- komuniste, satelite të ish -B.S., përgatiti heroin e protestës së bardhë, të shenjëzuar në figurën e cekut, Jan Palach, i cili dogji veten në një shesh të Bratislavës për të shprehur mospajtimin me praninë e trupave të Traktatit të Varshavës në vendin e tij.

Pa sloganet, parrullat, lëvizjet, manifestimet, sfidën dhe sidomos refuzimin e këtij brezi që veproi në një mjedis parapolitik është thuajse e pamundur të përfytyrohet nisma e shumicës së shteteve të Europës për t’u bashkuar në zotimin për plotësimin e përgjegjësive për kultin e lirive njerëzore.

Ajo nismë ishte njëherësh dhe kundërvënia më e madhe ndaj kultit totalitar të individit; Akti Final i Helsinkit që ngriti në kult të drejtat e qytetarit duke e riformatuar rrënjësisht moralin e politikës.

Po në Shqipëri a ka pasur një Brez të 1968?

Shpesh mendohet se Shqipëria duke qenë një vend i izoluar mbeti jashtë rrjedhave të kohës e të mungosh në kohëra epokale është një mallkim i madh. Në rastin më të mirë ata që e njohin disi historinë e Shqipërisë gjejnë njëfarë lidhje. Por të gjitha meritat apo zullumet e tij i lidhin me luftën kundër fesë dhe institucioneve të klerit.

Sipas Kadaresë pikërisht në këtë kohë Shqipëria jetonte dimrin e vetmisë së madhe. Ndoshta dhe për shkak të pozitës së saj jashtëbllokiste ndaj dhe refuzimi i vetëm që vinte ishte ai prej grupit të shkrimtarëve.

Të rinjtë me brezin e atyre që dolën nga lufta. Konfrontimi mes tyre u duk se ishte formal, vetëm për shkak të një vargu. Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës.

Rezultati ishte shthurja e mjeteve tradicionale të të shprehurit. Po lindte një letërsi tjetër.

Kulti i heroit dhe i heroizmit i kundërvihej frymës liberale të lëvizjeve perëndimore të Brezit 1968. Pikërisht arti dhe letërsia e cilësisë së parë e kthyen lëvizjen e masave në lëvizje mendimi e ndikimi.

A ishin këto arsye që Kadare dhe disa emra të tjerë që mendonin ndryshe të paguanin një harac të rëndë në dy dekadat e mëpasme?

Mbrojtja e së kaluarës dhe përcjellja e fakteve tek brezat e mëvonshëm janë disa nga rolet më të shenjta dhe më të rëndësishme të shkrimtarit.

Por sigurisht, jo të gjithë shkrimtarët e marrin me vetëdije këtë rol.

Po përse duhet të jetë kështu?

“Do të donte të shpëtonte dicka nga koha ku nuk do të jemi më kurrë”.

Kjo është fjalia e fundit me të cilën Annie Ernaux mbyll rrëfimin e saj. Aty thuhet se koha mund të kthehet në një vend: është vendi ynë i ligjshëm, nëse ka peshuar sic duhet në historinë e botës.

Siç ndodh shpesh, shpallja e vitit 2022 për laureatin e ri të Nobelit u përshëndet me një “Kush?”, “Cila është ajo?”

Kjo më së shumti në pjesën më të madhe të botës anglofone. Për shumicën e lexuesve, Ernaux është një e panjohur por megjithatë qasja e saj ndaj çështjes shumëvjeçare të ruajtjes dhe kalimit të së shkuarës tek e ardhmja tregon se çmimi i saj është i merituar.

Mes nesh gjen plot rrëfime që i shërbejnë kujtesës, si nocion kohe. Por ende jo të tilla që t’i shërbejnë një historie si ajo e gjysmës së dytë të shek. të XX-të.

Rrëfenja letrare që si në një bibël hebraike ngazëllehemi si Enola Holms me pusullat e saj, kur mesazhet na cojnë drejt disa faqeve që ende nuk i njohim.


Edhe më keq akoma, kur ato i dimë të përgjysmuara.

4 Komente

  1. q
    qytetari

    Po kjo c'pune ka me shkrimtaret...? Ky zanat duhet komentuar nga ata qe dine c'eshte shkrimi

    1. L
      LezhaNews

      E ka shkruar qe te dale ne foto, "kush merr pozat me te bukra"!

      1. s
        sot

        E kam lexuar disa here kete femer , Monika Stafa; nuk e di ne se ka te beje me Drita Stafen nje pedagoge e botanikes, por menyra e te shkruarit te saj me kompetenca dhe ne nje fare menyre duke perbuzur te tjeret me nje elegance femre, me ka bere qe te mos ta pelqej dhe duke ardhur krijoj dhe shenja qe me duket si njeri absurd ne bashkesine qe jetojme. Historia eshte fakt, realitet dhe duhet te shkruhet e thuhet ashtu si ndodh; çdo interpretim del jashte kornizave te historise dhe kthehet si vrima e Rita Petros, pastaj. Por ajo te pakten doli perballe lakuriq se ashtu i tha mendja; kushdo le ta lexoje, shikoje ama s'ka çfare ti pelqeje se e bukura dhe misteriozja qe gjallesa njeri ka, i ka humbur dhe duke sikur rri njezete e kater ore ne tualet. Monika na jep vazhdimisht direktiva se si duhet te sillemi me jeten, historine, na citon autore te huaj te njohur apo te pa njohur, e pastaj na detyron dhe konklyzionet se eshte ashtu si mendon dhe thote ajo! Une lexoj plot njerez qe me thjeshtesine e tyre me bejne ti rilexoj, njesoj sikur nuk ngopesh me embelsiren dhe kerkon edhe pak akoma, por kurre s'me kane pelqyer dhe s'me pelqejne gazetare apo çfare eshte kjo qe duan te diktojne dhe perçmojne te tjeret. Monika e ka vendin tek xhamat sepse atje mund te ngaterrohet me fytyren e saj te mendimit!

        1. G
          Gjon

          Ngadalë mor burre, se ja, e paske lexuar... Merruni me permbajtjen e shkrimit dhe thoni ku jeno kundër,etj...

          Lini një Përgjigje