Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia Austriake bashkëpunim në fushën e shkencës

13 Maj 2023, 12:30Kulturë TEMA

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia Austriake

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kryesuar nga kryetari i saj, akad. Skënder Gjinushi, mori pjesë në mbledhjen solemne vjetore të Akademisë Austriake të Shkencave, që u zhvillua sot në Vjenë.


Pas përfundimit të mbledhjes solemne, akad. Gjinushi dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, u pritën nga Presidenti i Akademisë Austriake të Shkencave prof. Heinz Fassmann dhe zv. Presidentja Ulrike Diebold.


Gjatë kësaj pritjeje u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet dy akademive. Ky memorandum është i katërti që akademitë nënshkruajnë, duke filluar që nga viti 1989.


Në fjalën e tij përshëndetëse, akad. Gjinushi theksoi traditën e bashkëpunimit të akademive dhe rolin e albanologëve austriakë dhe shkolles austriake në zhvillimin e albanologjisë.


Ai shprehu mirënjohjen për rolin e albanologëve austriakë në kthimin e albanologjisë në një fushë studimi me objekt e metodë shkencore.


"Tepër domethënës është fakti se Gotfried Leibnitz, ideatori i themelimit të një akademie austriake të shkencës është ndër të parët që hodhi hipotezën e lidhjes së gjuhës shqipe me ilirishten, duke u bërë kështu, ideator i tezës themelore të albanologjisë", -tha akad. Gjinushi.


"Akademia jonë prej tre vjetësh është në reformim dhe në këtë proces ne kemi marrë Akademinë tuaj si model organizimi. Falë kësaj reforme, Akademia jonë tashmë ka 55 anëtarë të rregullt, 10 anëtarë të jashtëm dhe rreth 20 anëtarë nderi; Në Akademinë tonë funksionojnë 9 komitete të përhershme me 130 anëtarë, ku përfshihen profesorë dhe studiues nga universitetet dhe institutet më të njohura të vendit, si dhe rreth dhjetë njësi kërkimore të orientuara kryesisht drejt shkencave tekniko-natyrore si nano- dhe bio-teknologjia; të cilat ne kemi ambicien t'i shndërrojmë në institute të vërteta kërkimore." -tha akad. Gjinushi.


Kryetari i Akademisë Austriake të Shkencave prof. Fassmann shprehu dëshirën për të vizituar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Me këtë rast kryetari i ASH, akad Gjinushi e ftoi per ta realizuar vizitën sapo t'ë mundet.

Pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni, në të cilin bënte pjesë edhe prof. Besnik Baraj, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi një takim me prof. Verena Winiwarter, kryetare e komisionit ndërdisiplinor për studimet ekologjike. Ky takim do të shërbejë si një bazë për bashkëpunimin ndërmjet kërkuesve të të dyja vendeve.


Gjatë gjithë kësaj kohe delegacioni u shoqërua nga dr. Roza Allabashi, një studiuese shqiptare që jeton e punon në Austri.

Lini një Përgjigje