Shkrimtarit shqiptar Arian Leka i jepet Çmimi Opera Omnia nga Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë "Tudor Arghezi"

24 Maj 2022, 11:59Kulturë TEMA

Shkrimtarit shqiptar Arian Leka i jepet Çmimi Opera Omnia nga Festivali

- Arian Leka, fitues i çmimit për autorë të huaj për vitin 2022 u vlerësua për veprën poetike dhe atë eseistike, botuar me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin "Anija e Gjumit" dhe "Biblioteka lundruese" - antologji autori)


**
Në qytetin rumun Târgu Jiu, mes datave 19 dhe 22 maj 2022 u zhvillua Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë "Tudor Arghezi", edicioni 42. Fitues i Çmimit Opera Omnia Autorë të Huaj këtë vit ishte shkrimtari shqiptar Arian Leka, të cilit iu vlerësuan vepra poetike dhe ajo eseistike, botuar tashmë me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin "Anija e Gjumit" dhe "Biblioteka lundruese" - antologji autori). Juria çmoi lart risitë stilistike e tematike, si dhe thellësinë befasuese të poetikës së Arian Lekës, jo vetëm si përfaqësues i letrave shqipe, por edhe i atyre europiane.
Festivali mban emrin e njërit prej klasikëve të letërsisë rumune, Tudor Arghezi (pseudonim letrae i Ion Nae Teodorescu-t, 21 maj 1880-14 korrik 1967). Poet, prozator, dramaturg dhe gazetar gjenial, Arghezi vlerësohet si njëri ndër tre autorët rumunë që e e sprovuan rumanishten deri në skajet e saj shprehimore, duke i zbuluar mundësi e fuqi metaforike të panjohura më parë (bashkë me Eminescu-n dhe Nichita Stănescu-n). Autor i një vepre poetike me thekse moderniste e simboliste, i një proze tejet të pasur, i disa librash tashmë mitologjikë për fëmijë, i mjaft pamfletesh të shndërruar në pika referimi, por edhe zbulues e botues talentesh të reja, Arghezi ndikoi mbi mjaft autorë të shquar dhe në jetën letrare rumune për mbi gjysmë shekulli. Ishte akademik, kandidat për Çmimin Nobel, por edhe prani e fuqishme në hapësirën anekdotike të bohemës rumune.
Falë përkushtimit të organizuesve ndaj vlerave estetike e artistike, laureatët e Çmimit Arghezi gjatë këtyre 42 edicioneve janë emra të mëdhenj të letërsisë rumune dhe të disa letërsive të tjera. Arian Leka është i pari autor shqiptar që fiton këtë çmim të rëndësishëm.
Në këtë edicion të Festivalit, poeti Arian Leka u paraqit me librin “Hartë memece për të mbyturit”, libër ky i përkthyer në mjaft revista letrare në gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht e në disa gjuhë të rajonit dhe i vlerësuar veçanërisht për poemën “Auschwitw detar”, përuruar në tetor të vitit 2021 në La Coruña në një nga skenat më të rëdësishme të përfaqësimit të poezisë në botë “Poetas Di(n)versos”.
Çmimi “Tudor Arghezi” është çmimi i tretë ndërkombëtar për poetin Arian Leka, i cili më parë është vlerësuar me “Skepri poetik”, dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut dhe çmimin “Poet i kryeqytetit poetik të Rumanisë”, Iasi, 2019! Ndërkohë, libri “Hartë memece për të mbyturit” do të botohet në greqisht, serbisht e maqedonisht brenda vitit 2022.

2 Komente

  1. u
    uahahahaha ! Cfar ka bo ky Trapi mer amon .

    Hahahahaha dhe kte eboni ky Nastradini me suze eeeeeee hhahahahahahah

    1. N
      Nga Une!

      Epo, Ariani ka edhe arren, edhe gurin. Nepermjet revistes se tij ka krijuar njohjet edhe pertej Shqiperise, perkthehet si shume pak shkrimtare dhe merr cmim. Duhen konkurse te ndershme, ku te perfshiheh krijues serioze e te talentuar dhe, me pas shohim, a do jete Ariani me i mire se ata?! Nuk e besoj... Me aq sa kam lexuar nga ai, eshte thjesht shkrimtar dhe poet i mire. Por, para se gjithash duhet te kemi shtepi botuese, sepse nuk kemi asnje pas viteve 90'te.

      Lini një Përgjigje