Shkrimtarja amerikane: Si u shpëtuan infermierët e SHBA nga një familje shqiptare

16 Shkurt 2023, 13:35Kulturë TEMA

Shkrimtarja amerikane: Si u shpëtuan infermierët e SHBA nga një

Intervistë me autoren amerikane të librit “The secret Rescue” (Shpëtimi Sekret”) – Cate Lineberry

Nga Rajmonda Moisiu

 

“The Secret Rescue”-(Shpëtimi Sekret”)- është libri i parë i shkrimtares së mirënjohur amerikane, Cate Lineberry. Autorja rrëfen një histori të rrallë dhe të patreguar më parë, të një skuadroni amerikan, me mision ndihme mjekësore, i përbërë nga doktorë dhe infermierë amerikanë. Ishin nisur për në Bari të Italisë, por që për shkak të kohës së keqe me stuhi, aksidentalisht ulin avionin e tyre në territorrin shqiptar të pushtuar nga nazizmi gjerman gjatë Luftës Së Dytë Botërore. Libri është kanditat për Edgar Award dhe vlerësuar një nga librat Bestseller të Facts Crime & #1 Wall Street Journal. Ky libër në mënyrë të habitshme e të jashtëzakonëshme, rrëfen një nga ngjarjet më të rralla historike dhe të mrekullueshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, të lënë qëllimisht në harresë nga protagonistët e mbijetuar të ngjarjes. Tridhjetë amerikanë, duke përfshirë trembëdhjetë infermiere femra, zbarkojnë në Shqipërinë e pushtuar nga Nazistët dhe nën kontrollin e oficerëve anglezë, të Inteligjent Servis-it Britanik. Detajet e izolimit total të tyre, mbetën rrëfenja personale të kufizuara për dekada të tëra, dhe ngjarja e plotë kurrë nuk u rrëfye deri më tani. Në nëntor të vitit 1943-e, njëzet e gjashtë amerikanë të Ushtrisë dhe Forcave Ajrore Amerikane, mes tyre mjekë dhe infermierë, në një avion transporti ushtarak, u nisën drejt vijës së frontit të luftës, në Bari të Italisë, për të marrë ushtarët e plagosur e të sëmurë në luftë. Papritmas, avioni kapet nga një stuhi e fortë me borë, shi, bubullima e vetëtima, duke e nxjerrë kështu jashtë kursit të fluturimit, dhe e hedh drejt orbitës së aeroplanëve luftarakë gjermanë. Pa radio marrëse dhe busull, ekuipazhi u detyrua të ulej në një terren të egër dhe të panjohur, në Shqipëri. Nën brutalitetin e pushtimit nazist gjerman, ky vend i varfër ishte në kaos dhe rrezik, por ata luftuan vetëm me një pushkë krahut, për muaj të tërë dhe në një luftë të gjatë, që të mbijetonin dhe të shpëtonin nga rreziku nazist. Në mesin e acarit të dimrit, ekuipazhi mjekësor amerikan u përball me rreziqe dhe kërcënime për jetën, nga sulmet vdekjeprurësë të nazistëve gjermanë, uria, sëmundjet, dhe nën terrorin psikollogjik të vazhdueshme, -frikës të kapjes nga nazistët. Gjithmonë në lëvizje, amerikanët u ndihmuan dhe u strehuan nga njerëzit e thjeshtë, fshatarët dhe partizanët shqiptarë, të cilët ndanin së bashku edhe atë pak ushqim që kishin në vatër, dhe rrezikuan jetën e tyre, deri në vdekje, për t’i ndihmuar e mbrojtur ata. Shpresa e vetme e ekuipazhit amerikan për t’i nxjerrë nga Shqipëria, ishte besimi që ata kishin ndaj oficerëve që punonin për organizatat klandestine britanike dhe amerikane.Vajza dhe mbesa e dy infermiereve amerikane, autorja amerikane Cate Lineberry, pikërisht mbesa e infermieres së mbijetuar amerikane Helen Porter nga shteti Utah,- na rrëfen historinë e rrallë brengosëse e të mbijetuarve të aksidentit ajror në vitin 1943 –e, në Shqipërinë e pushtuar nga forcat naziste. Frika dhe ankthi për të mos rrezikuar jetët e atyre partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë që i ndihmuan, i strehuan, dhe i ushqyen,- i detyroi të mbijetuarit për të mbajtur të fshehtë këtë histori për vite të tëra. Fshehtësia i këtij shpëtimi, ishte për të mbrojtur popullin- partizanët dhe fshatarët shqiptarë, të cilët kishin ndihmuar ekuipazhin e infermierëve dhe të mjekëve amerikanë së bashku me mjetet e arratisjes të aviatorëve, -me një heroizëm, bujari e kurajo të pashoq. Pas luftës, Enver Hoxha u bë diktatori i Shqipërisë dhe të mbijetuarit amerikanë ishin të shqetësuar për fatin dhe jetën e atyre njerëzve të mirë shqiptarë, që iu shpëtuan jetën. Për këtë arësye, ata, – të mbijetuarit -kurrë nuk i përmendën emrat e tyre. Madje të mbijetuarit amerikanë vonë mësuan se një nga partizanët që i indihmoi ata, Kostaq Stefa u burgos menjëherë pas luftës dhe u ekzekutua përfundimisht. Në këtë intervistë, autorja Cate Lineberry na tregon “Pse-të” që e inkurajuan dhe ngazëllyen atë, për të shkruar këtë histori të parrëfyer më parë, të atyre njerezve të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë në të përditshmen njerëzore, të cilët i bënë ballë sfidave të tëjskajshëme, në kohën më të errët të nazizmit, në historinë e botës. Çdo gjë në libër është e vërtetë, fakte që janë sjellë me anë të intervistave, ditarëve personale, raporteve zyrtare dhe artikuj gazetash.

Shkrimtarja amerikane: Si u shpëtuan infermierët e SHBA nga një

 

-Znj. Cate, keni botuar librin tuaj të parë “The Secret Rescue”. Ishte vërtet krenari dhe admirim i vecantë, kur mësova se ju aty, keni rrëfyer një histori të patreguar më parë, për heroizmin, kurajon, guximin dhe bujarinë e popullit tim shqiptar. Libri juaj dëshmon një histori të vërtetë. A është ky libër i bazuar në fakte reale dhe ngjarje të vërtetë?

Ka qenë një dëshirë dhe përkushtim i kënaqshëm absolut, njëkohësisht edhe nderim për të rrëfyer këtë histori të parrëfyer më parë, të atyre njerezve të thjeshtë amerikanë dhe shqiptarë në të përditshmen njerëzore, të cilët i bënë ballë sfidave të tëjskajshëme, në kohën më të errët të nazizmit në historinë e botës. Çdo gjë në libër është e vërtetë fakte që janë sjellë me anë të intervistave, ditarëve personale, raporteve zyrtare dhe artikuj gazetash.

-Cfarë hulumtimesh keni bërë dhe cfarë ishte me vlerë në lidhje me këtë eksperiencë mbresëlënëse për ju?

Kam shpenzuar shumë kohë duke hulumtuar, që të sigurohesha, dhe për të pasur sa më shumë të qe e mundur materiale dhe fakte reale, për ta rrëfyer sa më mirë jetëshkrimin e kësaj ngjarje. Kam qëndruar rreth dy javë në Shqipëri duke ndjekur hartën dhe ecur në ato vende, shtigje e male ku pati ecur edhe grupi i infermierëve. Kam bërë kërkime dhe hulumtime në arkivat e SHBA-s, Angli, dhe Gjermani. Intervistova të mbijetuarin amerikan, të fundit që u nda nga jeta para një viti, nga grupi i atyre të 30-ve, të cilët ishin në aeroplanin që u rrëzua në Shqipëri. Kam parë e lexuar dokumente të rëndësishme ushtarake, imazhet dhe mbresat nga të mbijetuarit e tjerë, por që tani disa prej tyre kanë vdekur, dhe kam intervistuar me sa kam mundur të gjej, anëtarë të familjeve që kanë të bëjnë me këtë ngjarje të patreguar dhe të mbajtur sekret për një kohë relativisht të gjatë.

 

Shkrimtarja amerikane: Si u shpëtuan infermierët e SHBA nga një

Nga ku i keni marrë subjektet? Ishte e vështirë për të arritur në ato gjëra që ju shkruani në lidhje me to? Që ku fillon ky libër?

Në lidhje me historinë jam njohur përmes një shkrimi historik në një gazete lokale. Teksa e lexoja shkrimin, mu ngjall kurreshtja të dija më shumë për këtë histori, veçanërisht për stafin mjekësor infermierët dhe mjekët amerikanë të përfshirë në të, por në mënyrë të posacme për popullin shqiptar, ata fshatarë dhe partizanë luftëtarë të thjeshtë shqiptarë, që rrezikuan gjithçka për t’i ndihmuar këto gra dhe burra amerikanë. Libri fillon në kohën kur infermierët dhe mjekët amerikanë janë me një mision ndihme mjekësore përtej Atlantikut, për të ndihmuar në evakuimin e ushtarëve të plagosur dhe të sëmurë në Mesdhe. Gjysma e skuadronit që ishin në një avion, synonin të mbërrinin në Bari të Italisë, por shpejt e kuptojnë, që janë përfshirë nga një kohë e keqe me shtrëngata të forta atmosferike, me erërat e forta, shi, bubullima, vetëtima, dhe avioni i tyre pa e ditur kaloi detin Adriatik dhe aksidentalisht bie në territorin shqiptar, pikërisht në një hapësirë të ngushtë ku kishte avionë luftarakë gjermanë, por pilotët amerikanë përfundimisht mundën të gjejnë një të carë mes maleve dhe bien në një vendbanim të panjohur në Shqipëri- por që shumica e tyre nuk kishin aspak njohuri rreth atij vendi.

A keni pasur miq të tjerë, që ju dhanë idenë për rrëfimin, “The Secret Rescue”?

Disa të afërm të familjes sime jua dhashë të lexonin dorëshkrimin, para se t’ja dërgoja atë redaktorit dhe u konsultova edhe me disa ekspertë, rreth disa paragrafeve, vetëm e vetëm për t’u bindur në saktësinë e tyre.

-Libri “The Secret Rescue” ka një strukturë veçanërisht interesante. Si e keni realizuar atë?

Dëshiroja që audienca e lexuesve të kuptojë e bësojë sa më mirë rrëfimin e ngjarjes, se si këta burra dhe gra amerikane, e gjetën veten në prapavija të armikut. E fillova duke mbledhur informacione rreth historive personale të jetës së tyre, pregatitjet dhe trainimin e tyre, para se ata të niseshin me mision ndihme mjekësore në Bari të Italisë dhe deri në momentin që ata bënë uljen emergjente në Shqipëri. Dhe ky është një rrëfim dhe sa më shumë që rrëfehet bëhet më bindës, kur ata takohen befas me partizanët dhe fshatarët shqiptarë, të cilët ju ofrojnë ndihmë, ndërsa edhe vetë ata përballeshin me mësymjet e gjermanëve nazistë, kohën e keqe me stuhi bore, dhe rreziqet e tjera që ju kanoseshin, përgjatë udhëtimit të tyre, jashtëzakonisht të papritur. Sikundër shprehet shpesh Harold Hayes, një nga të mbijetuarit e kësaj ngjarje, i mbetur ende gjallë deri para një viti, -që amerikanët nuk do të kishin mbijetuar pa ndihmën, kurajon dhe heroizmin e popullit shqiptar.

Cilat ishin impresionet tuaja të para? Si keni arritur të realizoni botimin e tij?

Unë isha tejet e ngazëllyer nga fakti, që gjeta një histori të tillë interesante nga Lufta e Dytë Botërore, histori, që gati ishte harruar për vite të tëra. Agjenti im ju ofroi librin tim disa shtëpive botuese, dhe unë kam qenë vërtet me fat, që bashkëpunova me Little Brown, një shtëpi botuese e mrekullueshme dhe mbështetëse dashamirëse e një sërë autorësh amerikanë me emër. Mbasi mbarova hulumtimet e mija dhe shkrova librin për më shumë se një vit, më pas ia nisa redaktorit tim në Little Brown, John Parsley.

 

Shkrimtarja amerikane: Si u shpëtuan infermierët e SHBA nga një

A keni menduar ndonjëherë për ta shkruar skenar filmi? Dhe a do të jeni në gjendje ta shkruani atë?

Mendoj se kjo histori kaq intriguese do të dalë një film i mrekullueshëm. Me shpresë që Hollywood-i ta marrë në konsideratë dhe biem dakord.

Nëse kjo do të ndodhë, si do të ndiheni ju, në rast se “The Secret Rescue” që ju keni shkruar, bëhet film, por dikush tjetër do të jetë regjisori i saj. A do ta mendoni se kjo do të jetë ende krijim i juaj?

Do të jetë një vlerësim dhe nderim i madh, që ky libër të bëhet një film sepse shumë e më shumë njerëz do të mësojnë dhe njohin këtë histori të rrallë dhe se si amerikanët dhe shqiptarët, njerës të thjeshtë e të zakonshëm, treguan trimërinë, bujarinë dhe guximin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, për miqësinë e hershme të dy popujve që ka qenë prezente, që në atë kohë. Që do të thotë se filmi është një medium krejtësisht i ndryshëm, kështuqë unë i mirëpres që skenari i filmit të jetë disi ndryshe nga libri, rëndësi ka të bëhet një film për këtë ngjarje të rrallë.

A mund t’na tregoni kush është shkrimtarja Cate Lineberry? Ku jetoni?Kur keni menduar për herë të parë, t’i përkushtoheni artit të të shkruarit?

Kohët e fundit kam lëvizur përsëri në Raleigh, North Carolina, me burrin tim, pasi jetuam e punuam për 18 vjet në Uashington, DC. Para se të shkruaja librin, kam punuar në revistën National Geographic dhe revista Smithsonian, ku unë kam qenë në gjendje për të ndjekur pasionin tim për të mësuar në lidhje me kulturën dhe historinë. Unë gjithmonë i kam dashur të dyja; letërsine artistike, dhe letërsinë historike të bazuar në fakte, ngjarje reale dhe njerëz reale, si biografinë apo historinë e tyre. Kam marrë “Master” per letersine nga Universiteti John Hopkins.

Besoj se kjo zgjuarsi vjen nga diku në gen…. A ka qenë ndonjë nga prindërit të cilët kanë shkruar? Kush ju ka inkurajuar të shkruani?

Nëna ime ka punuar infermiere për 46 vjet dhe baba im ka qenë neurolog. Të dy janë shkrimtarë të mëdhenj dhe më kanë inkurajuar gjithmonë të bëj atë që unë dua. Jam shumë me fat në këtë drejtim.

Pse shkruani? Të shkruarit ishte instinkt i brendshëm apo ju e ndjenit se duhet të shkruani?

Të shkruarit më lejon mua për të shprehur vetveten dhe të shkruarit histori të vërteta, më lejon mua të mësoj më shumë gjëra, ndërsa unë jam duke studiuar apo bërë hulumtime. Më ngazëllejnë dhe shtojnë kurreshtjen vecmas nga historia dhe tregimet e njerëzve pak të njohur, por të cilët kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme. Kështu që kjo është një dhuratë, që ja vlen për t’i përkushtuar kohë nga koha ime.

Na tregoni diçka rreth librave të tjerë që keni shkruar. Çfarë po shkruani për momentin?

“The Secret Rescue” (“Shpëtimi Sekret”) është libri im i parë. Aktualisht jam duke shkruar librin e dytë me ngjarje të vërteta historike, gati njësoj si i pari-Nonfiction.

Një mesazh për komunitetin e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë…

Fusha e botimit është një bisnes e rreptë, i rregjur dhe fitimprurës, që nuk lëshon pe, por askush nga ne nuk duhet të ndalet se shkruari e rrëfyeri ngjarjet dhe mbresat, historitë e jetës, që janë aq të rëndësishme për ne.

 

3 Komente

  1. b
    ben

    Ka edhe nje liber tjeter te shkruar nga Mangerich, Agnes Jensen per te njejten ngjarje me titullin "Albanian Escape" The True Story of U.S. Army Nurses Behind Enemy Lines (historia e vertete e infermiereve te ushtrise Amerikane mbrapa linjave te armikut). Autorja ka qene njera nga infermieret, pjese e grupit te mjekeve e infermiereve ushtarake amerikane qe zbriten ne Shqiperi gjat L2B.

    1. H
      Hordhia e ndyre e Sali Rrumpallës

      Është turp, qe ne keto shkrime nuk permendet njeriu kryesor i shpetimit të grupit Amerikan. Avioni ra ne zonën e Belshit. Atje vepronte çeta partizane me komandanti Hasan Ginën, nga Libohova e Gjirokastres, por me banim ne Lushnje. Hasan Gina ishte një trim i vërtetë. Ne kujtimetve tij, amerikani i pare i grupit qe i shkruajti keto kujtime, sepse ishte ushtarak, si e krahasoi Hasan Ginën me Marlon Brando. Po të mos kishte qenë çeta partizane aty, ata do të kishin rene ne duart e gjermaneve brenda 24 oreve. Hasan Gina mbas Luftes u denigrua dhe u perjashtua nga Partia, u internua, dhe e kthyen prapë ne Lushnje, por ai mbeti po ai libohovit trim, derisa vdiq. Ne keto shkrime per shpetimin e amerikaneve ai është emri i pare qe duhet permendur. Rruga e tyre e shpetimit ishte e gjatë, por fillon me emrin e Hasan Ginës. E persekutoi mjaftueshem diktatura, mos e persekutoni edhe tani ne demokraci.

      1. b
        ben

        Zoteri, askush nuk po persekuton kerkend ne kete libra, te shkruara nga shkrimtare amerikane qe jane mbeshtetur ne kujtimet e atyre qe kane qene pjese e grupit te infermiereve dhe mjekeve amerikane. Keto ngjarje kane ndodhur 80 vjet me pare dhe shume hollesi, perfshire edhe emra harrohen, sidomos kur njeriu plaket. Me kete nduk dua te ul meritat e atyre personave qe kane kontribuar ne shpetimin e ushtarakeve amerikane, pasi shqipot e kane ne tradite ti ndihmojne te huajte. Jo me kot thuhet se "shtepia e shqiptarit i takon Zotit dhe mikut". Hasan Gina, ka bere thjesht detyren e tij si shqiptar, duke nderuar kombin dhe veten e tij, por kjo nuk d.m.th. se duhet me prit ndonje dekorate. Gjysherit e mij nga babai kane mbajtur ne shtepine e tyre gjate okupimin nazist nje familje cifutesh dhe 13 ushtare italiane, por kete gje kurre nuk e kane treguar. Kete fakt e kam mesuar ne vitet 70-75, kur po shikoja nje album me foto te familjes dhe ne njeren prej tyre ishin gjyshi, gjyshja, baba im ne moshe fare te re dhe nje cift tjeter me dy femije, djale e vajze, pak a shume te moshes se tim eti, qe ka qene femije i vetem. Kur e pyeta tim ate se kush ishin keta ne foto, me tha se keta jane nje familje cifutesh qe u strehuan gjate luftes tek ne per ti shpetuar perndjekjes nga gjermanet. Une u bera kurioz dhe vazhdonva me pyetje te tjera. Keshtu me tregoi edhe per ushtaret italiane (12 ushtare dhe nje kapiten) qe gjyshi i kishte marre dhe i kishte strehuar ne ndertesen qe kishin per sherbetoret, aty ku ishin edhe cifutet. Kur e pyeta se perse gjyshi, sa kohe qe ishte gjalle, kurre nuk na foli per keto ngjarje, im ate me shikoi me cudi dhe mu pergjegj se kjo ishte dicka normale, pasi keto jane traditat tona.

    Lini një Përgjigje