Balada si truk narratologjik mes mjegullës dhe kthjellimit

9 Shkurt 2023, 17:34Kulturë Alisa VELAJ

 

 

Ndërtimi i vetvetes nëpër trillet e rrëfimit baladesk
 

Ismail Kadare ka nisur ta shkruajë romanin “Muzgu i perëndive të stepës” në fillim të viteve gjashtëdhjetë, fill pas kthimit nga Moska. Një pjesë e vogël e tij është botuar si novelë në revistën “Nëntori”, më 1972, me titullin “Një verë në Dubulti”. Romani i plotë botohet më 1978, si pjesë e një përmbledhje novelash, nën titullin “Ura me tri harqe”. Si roman më vetë u botua më 2006 nga shtëpia botuese “Onufri”. “Muzgu…” është roman autobiografik, ku madje personazhet paraqiten me emrat e tyre realë. Në teoritë moderne të letërsisë, një autobiografi e përkryer nuk është as libër me kujtime, as reminishencë, as ditar, as rrëfim, nëse të gjitha këto nuk synojnë vetë-zbulimin….[1] Në të vërtëtë, shkrimtari ynë ka në thelb të këtij romani vetë-zbulimin e dy botëve paralele, sa të kundërta në pamje të parë, aq të ngjashme në themelin e tyre të përbashkët: regjimet totalitare. Shpaloset vazhdimisht Moska në tërë dimensioned e saj, atmosfera politike e së cilës është aq mbytëse, sa protagonisti që rrëfen në vetën e parë historinë dhe tërë personazhet e tjerë, i kanë të vendosura fatet e jetës së tyre rreth politikës, duan apo nuk duan, munden apo nuk munden. Madje, sa më shumë që tentojnë t’i ikin politikës, aq më shumë kjo e fundit i grabit në kthetrat e saj. Tiranët janë aty si mallkim i stërlashtë, sa herë protagonisti ndodhet në krah të një dashurie të vjetër apo të re. Rrëfimi hapet dhe mbyllet me një kureshtje të madhe për tiranin e popullit tjetër dhe secili protagonist i ikën tiranit të vet.

 

“Ç’janë këto vajza që më pleksen me tiranë të vdekur, mendova pas pak.” (f.176) 

 

“M’u kujtua kërkimi i vilës se mbretit Zog në Dubulti. Atëherë ishte e njohura ime që kishte padurim ta shihte. Kurse tani po ndodhte e kundërta.

Me sa dukej, secili kishte kureshtje për sunduesin e tjetrit, kurse të vetit i shmangej.” (f.175) 

 

Po t’i referohemi silogjizmit hipotetik të Kadaresë në veprën “Legjenda e legjendave”, se aty ku ka mjegull ka dhe shumë legjenda, do ta kuptojmë edhe më mirë pse shkrimtari ndërkall në hyrje të romanit dy balada njërën pas tjetrës. Narratori i rrëfen vajzës së saponjohur vetëm njërën baladë, kurse neve si lexues na përmend dy balada. Mbetja ndërdyshas, në duhet apo jo t’ja rrëfeje vajzës së paemër baladën e murimit, fill pasi e ka habitur me baladën e Kostandinit dhe Doruntinës, është në të vërtëtë një trill narrativ. Sepse tjetrit i rrëfehet një vdekje e vetme dhe një ringjallje, ndërsa lexuesit të tekstit dhe vetvetes (kupto narratorin) i rrëfehen dy vdekje dhe dy ringjallje. Ringjallja që i rrëfehet asaj është e plotë, ringjallja tjetër e Rozafës është e ëndërruar më tepër se sa e ndodhur. Pikon qumështi i saj për të rritur të birin, po vetë ajo qëndron e murosur nën themele. Balada e rrëfyer vjen e plotë, e dyta vetëm nis të rrëfehet, duke e lënë të mjegullt vazhdimin për një lexues të huaj, por jo për një shqiptar. Mjegulla e rrëfimit, si për një lexuesin të huaj, që i përmendet vetëm akti i flijimit, si për një lexues shqiptar që e di vazhdimin e legjendës, është njësoj e frikshme. Kurse ajo tjetra ngarkohet me një vdekje të vetme dhe pas një përqafimi të vetëm humb përgjithmonë nëpër natë. Edhe pse shfaqja e saj si personazh është më e papeshë se e dy vajzave të tjera, Lida Snjeginës dhe Alla Graçovës, prape se prapë ajo mori me vete baladën e saj dhe tiranin e saj shqiptar. Një vdekje dhe një tiran nuk janë pak për një personazh hije në kujtesën e protagonistit dhe lexuesit. Në mbyllje të romanit, pasi është ngarkuar me të tjera vdekje e me të tjerë tiranë, protagonistit i rivjen parreshtur në kujtesë kënga e përvajshme “Mora rrugën për Janinë”, ndërsa ndihet vetëm, tmerrësiht vetëm pas aq e kaq ngjarjeve të rrëfyera. Në të gjitha rrëfimet Kadare mbetet asnjëanës. Ai të jep pështypjen e një kronikani shumë objektiv, që vetëm vështron dhe dëshmon, pa asnjë emocion specifik. Madje edhe mëkatin e tij në një çast dehjeje kolektive, që e çon drejt humbjes së dashurisë më të madhe, duket se e rrëfen jo me shume emocion, ndërkohë që hapja dhe mbyllja e romanit ka kaq shumë dramacitet. Skenat me të dashurat kanë të gërshetuar dëshminë e personazhit dhe tragjedinë e baladave e këngëve të vajit. Është akull apo zjarr ky rrëfimtar? Ç’farë vet-zbulimesh i interesojnë atij?

 

Jerome Bruner na e zgjidh më së miri enigmën kur shkruan se autobiografia përfshin rindërtimin e lëvizjes së një jete, ose të një pjese të saj, në rrethanat aktuale në të cilat është jetuar. Qendra e interesit është vetvetja, jo bota e jashtme, edhe pse kjo e fundit, duhet patjetër të shfaqet në marrëdhënie të ngushta me vetveten, në mënyrë që personaliteti të gjejë formën e tij të veçantë.[2] Kadare nuk bën gjë tjetër veçse ndërton veten e tij përmes trilleve rrëfimtare të baladave të rrëfyera e të parrëfyera apo këngëve të vajit, ndërsa ngjarjet ku mbetet një kronikan i akullt janë një tjetër trill i shkrimtarit që jetonte në vendin më të izoluar të Europës. Parathënia e Eric Faye hedh dritë në trillin e rrëfimit kadarean për një lexues të huaj, pasi për një lexues shqiptar, apo një lexues të një vendi totalitar karremi narratologjik i ndërkalljes së baladës në tekstin letrar padyshim se do të ishte shumë më i përkapshëm në rrafshin social. Faye shtjellon: “Kadare, duke pasur kartë të bardhë për të kritikuar BRSS-në, me të cilin Tirana ka prerë çdo lidhje, mund të denoncojë cenet e sistemit, pa ngjallur zemërimin e hapur të kritikës shqiptare.[3]. Kritiku francez hedh gjithashtu dritë mbi tiparin thelbësor të autobiografisë kadareane, ndërsa vë theksin te vetë-zbulimi si thelbi i aktit soditës të narratorit të gjithëdijshëm: “Me penelata të kursyera përshkruhet çarja në gjirin e kampit socialist. Kjo shkëputje është përjetuar këtu si një ndarje e dhimbshme midis qenieve njerëzore dhe jo nga këndvështrimi politik”.[4] Në rastin e parë Faye shtjellon fenomenin totalitarizëm për të depërtuar në sekretet e rrëfimit dhe polisemantikës së romanit, ndërsa në rastin e dytë analiza merr vlerë ontologjike. Kadare e përdor trillin e kronikanit të ftohtë dhe të paanshëm me të njëjtin funksion që thur përmasën baladeske të tekstit.

 

“Mendova se karantina do të hiqej papritur, ashtu siç u vu, por ne të dy do të mbeteshim ashtu si më parë, hije të humbura e të ftohta midis tymnajës. (f.188, nënvizimi im) 

 

Legjendat mjegullojnë për të na kthjelluar. Kronikani na kthjellon “për të na mjegulluar”. Teknikat kadareane të rrëfimit janë sërish me funskion të dyfishtë. Alegoria e diktaturave të largëta “shpëton” tekstin nga akuzat e vendit amë, por është gjithashtu një teknikë e përkryer narrative për  tekstin thjesht si gjuhë letrare, krejt të pavarur nga koha kur është shkruar dhe realiteti të cilit i referohet. Në këtë kontekst, rrafshi social, që ndoshta ka ndihmuar tërthorazi në lindjen e teknikave narrative si një lloj anti-gijotine, zbehet tanimë deri në shuarje të plotë, dhe i jep jetë përmasës universale të romanit, ku me anë të një rrëfimi që kërkon një lexues model, fillon e vet-zbulon pamjet e panjohura të vetes, të tjetrit, e të kohës së saj, që rreh të ngjizë tiranë e tirani nga më vdekjeprurëset. Nuk mund t’i ikim kohës kur jemi vet kohë. Nuk mund ta përjetojmë si duhet dashurinë kur ajo ecën, bisedon dhe përpiqet të na buzeqeshë në një atmosferë tiranie. Nëse pretendojmë se i ikim politikës në totalitarizëm, është ajri i saj që na helmon pandërprerë qelizat e trupit dhe të trurit.

 

“Hyjnitë e rrëgjuar të stepës më rrinin të palëvizshëm në tru si në një presidium.” (f. 195) 

 

Protagonisti shpërfillës ndaj gjithçkaje përreth ndjen se do të arrijë të triumfojë vetëm pasi të ketë muzguar perënditë e stepës në shpirtin e tij. Ështe kaq e padijshme qenia njerëzore sa kujton se vetminë e saj e përcakton vetëm ajo? Në thelb, çdo qenie e lirë ashtu do ta mendonte në fillim, se jemi ne që i vendosim kufijtë e vetës, jemi ne që duam ta shpërthejmë dashurinë dhe dritën. Por ky besim i rremë përmbyset sakaq, në një vend ku mitizohet si hyjni figura e tiranit. Në këtë atmosferë, dashur padashur shndërrohemi në hije të humbura e të ftohta midis tymnajës. Kadare këtë lloj tymnaje kërkon të na zbulojë, ashtu hap pas hapi. Na e vërtit vdekjen dhe tiraninë si vdekje dhe tirani të tjetrit përtej, pastaj na i afron tjetrin ngjitur me veten dhe kur jeta jonë shenjohet prej marrëdhënies me qenien e panjohur e aq të largët der dje, kuptojmë se vdekja e hapësirës tjetër është dhe vdekja jonë. Pse e kemi më të lehtë të flasim për tiranin e tjetrit? Sepse nuk kemi një soditje të kulluar për të hyrë në thelbin e vërtetë të diktaturës.

 

Kadare merr njëkohësisht rolin e shkrimtarit dhe filozofit, ndërsa na e servir aktin e tjetërsimit të mendjes si një nga aktet më makabre të jolirisë që tenton të na shfaqet si liri. Një mendje që rend drejt kureshtisë për tiranin e tjetrit, është një mendje e tjetërsuar, që nuk e kupton se në cilat themele ndodhet ngrehina e saj. Narratori i romanit ua rrëfen aktin e ringjalljes nga vdekja edhe të njohurve të dashur, edhe të panjohurve. Që në hapjen e romanit duket se nuk guxon të na flasë për vetflijimin e një nënë, dhe duke mos dashur ta thotë atë që në fakt po e thotë, na dëshmon njëherazi dy kumte: frikën për të mos folur dhe mposhtjen e kësaj frike duke na e lënë pezull kureshtjen për të parrëfyerën e rrëfyer. Ai e fton lexuesin të rrëmihë atje ku ai tregon gjurmët dhe të ndërtojë historinë aty ku ai me kas i hedh ngjarjet si shenja të rastësishme.

 

Sipas Jerome Bruner, narratori duhet ta sjellë protagonistin nga e kaluara në të tashmen, në të tillë mënyrë që protagonisti dhe narratori përfundimisht të bëhen një person i vetëm me një ndërgjegje të përbashkët. Tani, për të sjellë protagonistin nga e kaluara deri në pikën ku protagonisti origjinal bëhet rrëfimtari aktual, duhet një teori e rritjes ose të paktën e transformimit.[5] Personazhet e Kadaresë i kryejnë të dyja proceset. Ata së pari arrijnë të transformohen dhe mandej të rritën. Vetëm kështu arrijnë t’i shpëtojnë vetës së dikurshme. Si e kaluar vjen balada dhe si i tashëm vjen njeriu. Mandej përmes vet-zbulimit, njeriu e rrit veten lavdishëm në heshtje dhe përqafon nga balada mjegullën, ndërsa flak tutje vdekjen. E flak jo për ta shpërfillur, por për të mos e mbjellë në veten e tij. Mjegullën e do etshëm, pasi përmes deshifrimit të alfabetit të saj, mëson si të shpërndajë tymnajën e kohës së tij të palavdishme. Teria e rritjes, në rastet kur nuk arrin të ndodhë shërben sërish si një teori transformimi për lexuesin e romanit.

 

“Po ky ç’pati, thashë me vete. Ishte një buzëqeshje e ftohtë, këmbëngulëse. Anteosi, që siç duket, e vuri re edhe buzëqeshjen e kinezit edhe nervozizmin tim, m’u përkul te supi.
  - Flitet se, pasi ta prishni miqësinë me gjithë vendet e kampit socialist, ju do ta ruani atë vetëm me kinezët.” (f. 182) 

 

Kadare i mëshon filozofisë se askush nuk mundet ta ndërtojë dot botën po nuk ndërtoi më së pari veten, ose se secili mund ta ndërtojë botën në të njëjtën mënyrë si ndërton veten. Rasti i parë i shërben lirisë, i dyti tiranisë. Rrëfimtari aktual tronditet për veten dhe përmes një grotesku therës rrëfen për këdo tjetër të ndryshëm prej tij, që qendër ka botën e jashtme dhe jo botën e brendshme.

Gjuha e rrëfimit në roman ngjizet si e mjegulluar kur akti i vet-zbulimit të protagonistit është në proces. Mandej duket se çoroditet fare në aktin e dehjes kolektive dhe merr tonet e një monologu dramatik në pikën kur protagonisti dhe narratori bëhen përfundimisht një person i vetëm me një ndërgjegje të përbashkët. Në aktin e dehjes ka një lloj tymnaje që rreh të duket mjegull dhe është ky stacioni rrëfimor që i paraprin atij procesi që Bruner e përshkruan si   recetën që do t'i lejojë djaloshit të dikurshëm, vjedhës të dardhave, të shndërrohet në Shën Agustinin e zhytur në mendime, tashmë i kapur në një luftë midis besimit dhe arsyes. [6]

 

Ligjërimi përçartës në funksion të groteskut
 

Romani “Muzgu i perëndive të stepës” ndërtohet shpesh përmes rrëfimesh ku ndihet një gjendje e rënduar psikologjike e personazheve dhe situatave. Përçartja është herë reale dhe herë alegorike. Përçartja reale i përket ligjërimit të drejtpërdrejtë, ku përfshihen përshkrime narrative dhe dialogët mes personazheve, ndërsa përçartja alegorike është një truk i qëllimshëm që ngjizet përmes ndërfutjes së lëndës baladeske. I lidhur ngushtë me keqkuptimin ontologjik, është supozimi se ekziston një dhe vetëm një realitet njerëzor, me të cilin duhet të përputhen të gjitha narrativat. Ky besim lind ndoshta nga afërsia e një paraleleje midis njohjes së botës materiale dhe asaj shoqërore.[7] Kadare e njeh dhe analizon si rrallëkush në letrat shqipe botën materiale dhe rrafshin social të saj, por parapëlqen me kas, të mos e ndalë vështrimin e rrëfimtarit të gjithëdijshëm vetëm mbi realitetet e perceptueshme prej logjikës rracionale. Të jesh rrëfimtar i gjithdijshëm, për më teper i një autobiografie letrare, do të thotë për Kadarenë, të heqë paralele mes rrafshit social dhe rrafshit irracional të botërave përtej nesh. Në këtë kontekst, baladat nuk e mjegullojnë të kuptuarin e tekstit prej lexuesit, por i japin groteskut një përmasë kozmike,[8] duke e shkundur, atë, njeriun e përgjumur, prej të pandërgjegjshmes së tij.

 

Romani është prej kreut e deri në fund një poemë e ngjeshur, ku epika tragjike dhe lirikja, gërshetohen me njëra-tjetrën, po aq natyrshëm sa vdekja dhe dashuria. Dashuria mbetet dashuri për njeriun dhe lirinë e tij ontologjike e shoqërore, ndërsa vdekja mbetet vdekje e gjithë tiranive që vijnë prej pushteteve, që së pari ndrydhin e vetmojnë më të pafajshmen pjesë humane: të pandergjegjshmen e qenies. Përçartja reale jep shfytyrimin e së pandërgjegjshmes dhe përshkruhet me të tillë ironi, sa dialogu, përtej tensionit dhe dramës së përjetuar njekohshëm nga rrëfimtari dhe lexuesi, mbart edhe groteskun për refuzimin absolut të katharsisit në ndërgjegjjen e tjetrit të ndryshëm. Ja njëri prej këtyre dialogëve ku përshkruhet prej personazhit të Anteosit tentativa greke për të hyrë në tokën shqiptare më 1949.

 

“Pas prerjes së fundit kishte mbetur pa këmbë dhe ashtu siç qe, i gjymtuar, gjysmë kufomë, kishte dalë të na priste në kufi, rrëzë një shkëmbi, pak hapa më tutje vendit ku ne, pasi hynim në tokën shqiptare, hidhnim armët. Ai na shante që u mundëm. O, si na shante: na quante frikacakë, dezertorë, horra, klounë cirku. Flokët, fytyrën dhe gjithçka e kishte të qullur dhe vetëm nga zëri kuptohej që qante, sepse lotët dhe shiu ishin bërë një”. (fq. 88-89).

 

Ka në këtë përshkrim një antikatharsis të frikshëm të pushtuesit, një njeri-fantazmë që i ka të paqartë kufijtë e ideologjisë. Vet liria shpaloset si koncept i cunguar, për atë që e rrëfen ngjarjen nga distanca kohore dhe ende e mbart në kujtesë peshën e fajit në emër të detyrës, ndërsa tjetri për të cilin ai rrëfen, tjetri militant dhe askurrë i dorëzuar para idealit të rremë, mbetet i gjymtuar në ndërgjegjje edhe pas gjymtimit fizik. Gjymtimi i rëndë shpirtëror prodhon pikërisht këtë përçartje në ligjërimin e tjetrit afër dhe tjetrit atje përtej. Në thelb të dy këta të fundit vijnë si një personazh i vetëm në rrafshin alegorik. 

Përçartja në ndërtimin e situatave arrin pikën kulminante në përshkrimin e atmosferës mbytëse në natën e pirjes së madhe. Narratori e krahason klimën e vendbanimit të tij me ferrin. Shohim të vërtiten në këtë ferr lloj e soj gjuhësh e nëndergjegjesh. Gjuhë të vdekura si mbartëse e përcjellëse të ideologjive të vdekura. Gjuhë të vdekura në gojën e personazheve të gjallë, në një gjendje përçartëse, ku secila qenie vjen më tepër si fantazmë e vetvetes. Monologët, dialogët e klithmat vijnë gjithashtu si prej një tjetër bote.

 

"Ata vazhdonin të flisnin. Midis atij kaosi fjalësh të gjuhëve të vdekura ose të sëmura, pluskonin fjalë ose fraza rusisht. Ato shfaqeshin aty-këtu si ishuj të vegjël, të humbur, nëpër atë det të nëndërgjegjes. Unë shoh gjuhën time lugat, thërriste herë pas here njëri, sikur të përmendej i llahtarisur nga gjumi. Si mund të ishte vallë fantazma e një gjuhe?" (f. 117)

 

Përballë këtij deti të paanë të nëndergjegjes vendoset figura e një personazhi të vetëm: Pastërnakut. Përballja krijon absurditetin më të madh në roman. Ata, deti i fantazmave, gjuhëve të vdekura dhe të prangosurve prej tiranive nga njëra anë, dhe ai, i liri në ndergjegje, mbartësi i gjuhës së gjallë që kërkojnë me ngulm ta tjetërsojnë në anën tjetër. Kush janë këtu të përçarturit e vërtete? Padyshim se përçarësit, përfaqësuesit e makinës shtetërore, të cilët ndërsa ushtrojnë frikën kolektive te turmat, i tremben pikërisht vrasjes së kësaj frike te shkrimtari. E si e shohin se tjetërsimi nuk ndodh, kalojnë më pas te harresa, paçka se me anë të presionit psikologjik, terrori vazhdon të mbillet me slogane tejet humane në pamje të parë.

Si shkak i kësaj trysnie kolektive, që diku do të japë fryte të tjera prej absurdit kolektiv, vazhdojnë të mbillen vdekje të reja në mesin e të pafajshmëve, ku këta të fundit shuajnë jetën e shoshoq pa kurrfarë logjike. Vrasja e Tonja Mihelsonit, si një lojë me jetët e të panjohurve, e shndërron dhimbjen në kujë kozmike. Vdekja e tjetrit të pafajshëm për shkak të marrëzisë kolektive, është e njëjtë në thelbin e saj me luftën e padrejtë të çdo pushtuesi të çdo kohe. Kadare trajton pushtimin e tjetrit në rrafsh ontologjik, ku pushtimi prej të ngjashmëve vjen po aq tronditës sa pushtimi prej tjetrit përtej, njeriut të një kombi tjetër.

 

Në të dy pushtimet diçka vdes. Vdes e gjymtohet njeriu. Gjymtohet si pushtues apo si i pushtuar, kjo pastaj fiton një rëndësi të dorës së dytë. Në këtë mori personazhesh fantazma që fanepsen gjithkund, në të tillë përçartje kolektive, Kadare ndërfut trukun e baladës si një përçartje ligjërimore për vdekjen, por të ardhur nga një tjetër dimension. Është kjo në fakt një ikje nga jeta në vdekje, me shpresën se atje në botën e përtejme, do të ketë më shumë jetë dhe më pak pabesi se në botën e të gjallëve të vdekur. Rrafshi legjendar është përçartje e personazhit përballë turmës që ka humbur kthjelltësinë për shkak të pushtimit të nëndergjegjes, por përballë lexuesit dhe të vetë personazhit përballë vetes, nuk është tjetër veçse përçartje alegorike. Thënë ndryshe, krijimi i një realiteti paralel, ku rrëfimtari, edhe si personazh kryesor arrin të kthjellohet, nuk realizohet në po atë realitet ku vërtitet në gjendje amorfe (herë si vete reale e herë si hije e vetvetes), por ndodh në një realitet paralel, me hyrjen "reale" në pragun e baladës. Është pikërisht ky prag që i dërgon kumte dhe ia ruan protagonistit sakrifikimin e nëndërgjegjes, kur përçartja kolektive është përhapur anembanë si epidemi. Vargjet "Mbeçë more shokë mbeçë/Përtej urës së Qabesë" i vijnë ndërmend rrëfimtarit, si për ta shenjuar për të shpëtuar nga vetja, në mesin e gjithë asaj turme të marrësh. Për një çast, ai duket ndoshta si një i përçartur para personazheve të tjerë, tek u rrëfen vetëm subjekte me vdekje në mes të një atmosfere aq marrafrymëse politike. Sepse ky personazh është i ndryshëm prej fillimit dhe i tërë rrugëtimi i tij është të shpëtojë vetveten, të mbajë besën ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, duke u arratisur në fund si Kostandini i baladës. Doruntinat mbeten në botën tjetër, për të dhënë mesazhin se nëpër sistemet totalitare ideali i secilit është të gjejë së pari lirinë e tij. Secili në kërkim të lirisë individuale, për t'ju kundërvënë përçartjes kolektive. Balada e murimit i mëshon po kësaj ideje: mossakrifikimit të nëndërgjegjjes apo sakrifikimit aty ku duhet. Po ashtu si Kostandini, protagonisti e kryen ngujimin alegorik në kishë, pasi në shenjtërinë e vdekjes në realitetin paralel, baladës, është më i lirë se në vdekjen totalitare.

 

Balada si truk i ngjizjes së një realiteti paralel, i cili i kundërvihet rrafshit social-politik të Moskës, alias Shqiperinë totalitare, është një nga teknikat narrative më të përkryera të Kadaresë jo vetëm në romanin "Muzgu i perëndive të stepës".

 

                                                          Botuar së pari në gazetën Exlibris


[1] D.G.Naik, Art of Autobiography, Pune: Vidarbha Marathwada Book Company, 1962. f. 39.
[2] Pascal Roy, Design and Truth in Autobiography, London: Routledge and Kegan Paul, 1960. f. 9.
[3] Eric Faye, Parafjalë në romanin Muzgu i perëndive të stepës, Ismail Kadare, Tiranë: Onufri, 2006. f. 9.
[4] Eric Faye, po aty, f. 8.
[5] Jerome Bruner, Self-making and world-making, Narrative and Identity, Studies in Autobiography, Self and Culture, Edited by Jens Brockmeier & Donal Carbaugh, Amsterdam/ Philadelphia: John Benjamins Publishing Company, 2001. f. 34-35.
[6] Jerome Bruner, po aty, f. 35.
[7] Jens Brockmeier and Rom Harré, Problems and promises of an alternative paradigm, po aty, f. 55.
[8] Për groteskun e Kadaresë, i referoheni studiuesit André Clavel ndërsa shkruan (në njërin prej vlerësimeve shoqëruese të përfshira në romanin Muzgu i perëndive të stepës): "Kina e Kadaresë (Koncerti) me figurantët dhe sozitë e saj, është krejt e njëmendtë. Dhe kaq e stërmadhe saqë grotesku fiton përmasa kozmike".

11 Komente

  1. b
    boll na gerrvishet Bolet me kte Nastradin

    aheng ne Hanin e xhaferr berdafit knojn grate e stanit te dhim

    1. S
      Student në praktikë mësimore aktive

      Ti shkruan se "autobiografia përfshin rindërtimin e lëvizjes së një jete, ose të një pjese të saj, në rrethanat aktuale në të cilat është jetuar. Qendra e interesit është vetvetja, jo bota e jashtme." Pastaj, direkt dhe ngjitur me të shkruan të kundërtën përgënjeshtruese: "Kadare nuk bën gjë tjetër veçse ndërton veten e tij përmes trilleve rrëfimtare të baladave të rrëfyera e të parrëfyera apo këngëve të vajit, ndërsa ngjarjet ku mbetet një kronikan i akullt janë një tjetër trill i shkrimtarit që jetonte në vendin më të izoluar të Europës." Pyetja është: a bën “trillim” apo “autobiografi” Kadareja në një roman i cili patjetër duhet të jetë fiktion, por që ti e nxjerr në esencë si non-fiktion?! Dhe më tej: si mund të ndërtohet vetvetja reale (ende e pandërtuar?) me anë të lëndës së marrë prej baladave fantastike? Nga ana tjetër, baladat klasifikohen tek lloji epiko-lirik. Pra, kanë një substancë të domosdoshme narrative, që është ngjarja e treguar. Prandaj për to thuhet se “rrëfehen”, ndryshe nga lirika ose veprat dramatike. Si ka mundësi që njëra baladë, sipas teje, rrëfehet dhe tjetra nuk rrëfehet, gjersa të dyja janë të së njëjtës tipologji? Vepra letrare ka gjithmonë një strukturë të qëndrueshme, falë së cilës letërsia ka pasur fatin të zhvillohet si lëndë mësimore në shkollë, që nga Antikiteti? Ku gjendet në këtë punim kjo strukturë dhe terminologjia e domosdoshme teoriko-letrare?

      1. M
        Martini

        Shumë mjegull pa kthjellim...

        1. C
          Ce re Loni

          Koha, gjykatese e pagabiar...

          1. j
            jon

            E vetmja fjale qe ka pak kuptim ketu eshte vetem titulli “truk narratollogjik” qe as vete kete fjale se kuptoj mire, por mendoj se eshte e ngjashme me anglishten”nothingburger”. Pra nqs se dikush s’arriti ta lexoje komplet artikullin ka te drejte. Por e vetmja gje me vlere qe gjeta ketu eshte se disa fjali apo fragmente te shkeputura nga ky roman vertetojne ate qe kisha ne mendje per shkrimtarin Kadare. Kisha lexuar vetem Gjeneralin dhe mendova se nga ana intelektuale dhe artistike eshte si nje 16 vjecar ne Shqiperi qe merrte noten 10 nga mesuesi ne letersi, kurse ne vende te tjera me veshtiresi do merrte 6. Pra duke ditur se Gjenerali ishte kryevepra e tij( dhe s’kisha deshire te shpenzoja para dhe kohe me per vepra te tjera) mendova se smund ta gjykoja veten nga nje roman. Por fragmentet e mesiperme vertetojne se Kadareja eshte ‘’nothingburger’’ sepse eshte ‘’lindur’’ i tille. Edhe per kete si ve faj Kadarese sepse se kam degjuar asnjehere te spjegoj apo mbroje shkrimet e tij. Ai e di te verteten. Pra eshte media qe i perdreth te gjitha dhe ‘’emocionohen’’ imagjinaten e lexuesve. Shume duke degjuar shprehje si ; i madh , i famshen, i perkthyr ne shume gjuhe, analistet kane thene, letersia kaderiane, etj etj amplifikojne keto opinione qe jane pa asnje vlere, perpara opiniont personal te bazuar ne realitet( dmth te kete lexuar Kadarene) qe eshte shume hapur disa se kane. Para disa ditesh edhe KM i drejtoi nje leter me rrastin e ditlindjes se tij ku ai ishte shume '' i frymezuar'' nga personazhet e tij. O Zot ! cilet jane personazhet e Kadarese ? Te lutem me thoni 1.

            1. D
              DEA

              Një shkrim shumë i bukur… për fat ka ende njerëz që dinë të shprehen dhe që vazhdojnë ta pasurojnë shqipen tonë të vjetër… sa për Ismailin ai është pema plot fruta që pseudoshkrimtarët e qëllojnë me gurë! Ai vazhdon rrugën e rilindasve… këtë se luan gjë!

              1. d
                demo

                Kjo budallacka shkruan pallavra,qe as vete nuk i kupton. Truk Narratologjik. Fjala eshte marre nga italishtja,krejt e panevojshme,sepse Kemi fjalen Rrefim, I ka shtue dhe nje Logjik prapa qe ta beje fjale me shume zhurme. Oj katundare,,Oj fshatare. Shko moj shushke Fieri,lexo Jakov Xoxen,te mesoc tingellimen e gjuhes shqipe,. Me vjen keq per Bujar Hudhrin qe i boton keto sharabajgat!

                1. L
                  LEON

                  Nje shkrim i dhjere,

                  1. L
                    Lola 1

                    Te lumte Alisa, Per analizen e thelluar,per sintaksen e lirshme , ku mendimi rrjedh si uje burimi; per fjalorin teknik metalinguistik nga poetika dhe ndihmen qe u jep lexuesve per te rrokur SEMANTIKEN e vepres. Per vete nje here e lexova dhe kuptova shumecka. Urime per punen, pasi puna e nje kritiku letrar eshte shume, po shume e mundimshme.

                    1. A
                      ALBAN DEGA

                      NUK MUND TE KETE AS TREGIM, AS ANALIZE, AS QEMTIM, AS SHKRIM, AS LEXIM TE BUKUR NE GJUHEN SHQIPE ME FJALE TE HUAJA TE PANEVOJSHME QE NE TITULL NARRATOLOGJIK- Nuk eshte fjale e gjuhes shqipe dhe nuk tregon kulture por mosnjohje, padije te gjuhes shqipe, percmim te saj. Kemi me shume se dy fjale te pastra shqipe per NARRATOLOGJIK : 1- TREGIMTAR 2- RREFIMTAR 3- TREGUES… Po në titull perdoret fjala TRUK kur në shqip kemi fjalet KURTH, STERKEMBESH, PRITE, PUSI …. Nuk vazhdova me poshte titullit sepse behej fjale per gjeniut jo vetem te letersise por edhe gjuhes shqipe, Ismail Kadare, qe e ka pasuruar ate me kryeveprat e tij.

                      1. X
                        Xha Tasi

                        Te lumte Profesoreshe Alisa , per kritiken mjaft absolute. Ndersa ndjese , por ?... " Kadare eshte nje Shkrimtar I madh , por nuk eshte kurre nje Shqiptar I madh " . Keqardhje pa fund.

                        Lini një Përgjigje