Më ka ndodhur të shoh një pikturë dhe të them me vete: piktori nuk di të vizatojë.
Ka artistë që këtë e pranojnë vetë; vizatimi, ose aftësia për të riprodhuar me laps atë çfarë sheh syri, është ose dhunti e lindur, ose aftësi që mund të zhvillohet dora-dorës, me praktikë.
Por jo të gjithë artistët vizualë duan të dinë të vizatojnë. Vizatimin e bukur e ndesh ndonjëherë te karikaturistët, sidomos ata që bëjnë portrete njerëzish të njohur: ti e sheh portretin dhe, përtej çdo deformimi dhe ekzagjerimi, përtej çdo grotesku, e pikas menjëherë personin e paraqitur.
Përndryshe, piktorët sot, ndryshe nga pararendësit e tyre deri në fund të shekullit XIX, në përgjithësi nuk e vrasin shumë mendjen për vizatimin.
Edhe pse ka pasur gjithnjë piktorë nga më të mëdhenjtë, që asnjëherë nuk arritën të vizatojnë mirë (këtu përmenden emra deri të kalibrit të Michelangelo-s, të Caravaggio-s dhe të Van Gogh-ut), prej një artisti tradicionalisht ka qenë pritur që ta zotërojë mjeshtërinë e të vizatuarit saktë.
Modernizmi e shkëputi pikturën nga detyrimi për besnikëri “fotografike” – ndonjëherë këtë ia atribuojnë edhe shpikjes së fotografisë, si teknologji dhe si art.
Megjithatë, është konsideruar si shenjë shijesh filistine, të ndalesh para një vepre të një ekspresionisti abstrakt, si Jackson Pollock, dhe të thuash: “këtë e bën edhe im bir”; ose të përmendësh, në atë kontekst, disa vepra “arti” të një majmuni.
Mbase dikujt këtu do t’i kujtohet një Pierre Brassau, avant-gardist frëng, i cili pat ekspozuar katër piktura në galerinë Christinae, në Göteborg të Suedisë, në vitin 1964.
Prej kritikëve që e vizituan galerinë, një Rolf Anderberg i Göteborgs Posten, u impresionua kaq shumë me artin e Pierre-it, sa shkroi një ditë më pas, në një të përditshme lokale:
Brassau pikturon me penelata të fuqishme, por edhe me vendosmëri të madhe. Pelenatat e tij përdridhen me qibër vrrullplotë. Pierre-i është një artist që performon me delikatesën e një kërcimtari të baletit.
Siç u zbulua pas pak, Pierre Brassau doli se kish qenë Peteri, një shimpanze në parkun zoologjik të Borås-it; dhe ideja për ekspozimin e “veprave” të tij i kish lindur një gazetari lokal, Åke “Dacke” Axelsson, në bashkëpunim me një artist, Yngve Funkegård.
Tani, një majmun vërtet nuk vizaton dot; por nga ana tjetër nuk është vështirë të gjesh vizatues të përkryer, mes homines sapientes, që nuk janë artistë; madje edhe kur duan dhe e heqin veten si artistë.
Madje jo vetëm vizatimi, por edhe mjeshtëria për të pikturuar vepra mirëfilli realiste, me besnikëri fotografike, sot nuk vlerësohet më – duke u këqyrur si një talent i dorës së dytë, më i afërt me cirkun se me artin.
Më vjen në mendje këtu një piktor italian, Pietro Annigoni (1910-1988), që krijonte në traditën e Rilindjes italiane, dhe që bëri një farë emri si autor i portreteve të mbretërve, presidentëve dhe celebriteteve; gjithë duke u shprehur hapur kundër artit modern, që e shpërfillte mjeshtërinë elementare të vizatimit tek artisti.
Është pastaj edhe historia e portretistit holandez Han van Meegeren, edhe ai i shkëlqyer si “realist”, por që nuk bëri dot karrierë me veprat e veta; dhe ashtu provoi të pikturonte vepra të periudhës së artë të pikturës holandeze (Dutch Golden Age), duke arritur të shesë disa vepra fabrikime kinse nga Vermeer-i.
Edhe Van Meegeren-i u revoltua me kritikët e veprës së vet origjinale, të cilët e qortonin për mungesë “origjinaliteti”, dhe filloi ta denoncojë modernizmin në pikturë si një “bolshevizmi”.
I burgosur në maj të vitit 1945, me akuzën se u kish shitur nazistëve vepra të trashëgimisë kulturore kombëtare të Vendeve të Ulëta dhe i rrezikuar që të dënohej me vdekje si kolaboracionist, Van Meegeren-i u detyrua të pranojë se veprat që kish shitur si të Vermeer-it, mes të cilave edhe një që kish përfunduar në koleksionin e Göring-ut, ishin në fakt fabrikime të tijat.
Për ta provuar këtë, ai u vu të pikturonte, para gazetarëve dhe dëshmitarëve të emëruar nga gjyqi, një tablo me titullin “Jesus-i mes mjekëve”, në stilin e Vermeer-it; pas kësaj, ia ulën dënimin në një vit burg, teksa ishte shndërruar në hero kombëtar, ngaqë u kish shitur art të falsifikuar nazistëve.
Fati këtyre artistëve, me talent të rrallë për të vizatuar, por që nuk konkurronin dot me modernistët as me frymën artistike të shekullit XX, që e largonte artin e imazhit nga realizmi, sikur lë të kuptohet se e njëjta dhunti, që dy a tre shekuj më parë do të ish shpërblyer me lavdi, tani mund të vepronte si handicap. Standardet estetike kishin ndryshuar dhe besnikëria fotografike i referohej forcërisht historisë së artit, jo bashkëkohësisë.
Me këto në mendje, u ndala te një glosë a scholion i Nicolás Gómez Dávila, filozof kolombian i mbiquajtur ndonjëherë edhe si Nietzsche-ja nga Ande-t, i vetëquajtur “reaksionar”, dhe i njohur për qëndrimet e veta antimoderniste:
Origjinaliteti i një vepre varet ndonjëherë nga çfarë autori i saj nuk di ta bëjë. Ekziston edhe impotenca krijuese.
Mes faktorëve dhe arsyeve që kanë ndikuar në distancimin e artit modernist nga realizmi – dhe jo vetëm në pikturë – ia vlen të përmendet lodhja dhe vjetrimi i intertekstit – për shkak të ekspozimit masiv; vlerësimi maksimal i origjinalitetit, përballë besnikërisë ndaj traditës; ndikimi i fotografisë dhe në dobinë e veprës së artit figurativ, për të riprodhuar imazhin.
Përtej artit vizual, edhe një vepër si “Uliksi” i Joyce-it nuk mund të shpjegohet, veçse si reaksion ndaj përsosmërisë që arriti, gjatë shekullit XIX, romani i madh polifonik – nga Dickens-i te Balzac-u, Stendhal-i dhe pastaj Tolstoi dhe Dostoievski.
Një risi formale me efekt dramatik, në letërsi, ishte vargu i lirë në poezi, një formë të shkruari që u distancua – me vetëdije – nga shtrëngimet prozodike tradicionale të tekstit poetik, të tilla si metri dhe rima. Deri në fund të shekullit XIX, poeti nuk mund të quhej i tillë, po të mos zotëronte aftësinë (mjeshtërinë, veshin) për të shkruar vargje të rregullta; por rregullat formale të produksionit të këtij lloji teksti mund të përjetoheshin edhe si kufizime arbitrare ndaj lirisë krijuese.
Shumë nga poetët që sot bëjnë deri edhe emër si artistë, nuk dinë të shkruajnë me varg të rregullt, ose kjo i mundon tepër. Mund ta krahasojmë aftësinë për të “kërryer vjersha” metrikisht të përsosura, me aftësinë për të vizatuar bukur – është diçka që sot nuk hyn shumë në punë.
Jo të gjithë e përqafuan këtë risi. Robert Frost-i pat shkruar një herë se të shkruash varg të lirë është si “të luash tenis pa rrjetë.” Ka pasur të drejtë – mjaft të shohësh sot çfarë paraqitet si poezi, nga shumë poetë të Facebook-ut dhe të tjerë të vetë-botuar. E megjithatë, një tetërrokësh klasik sot, në poezinë shqipe, do të pranohej vetëm në tekste me natyrë satirike – përndryshe do të shpërfillej, pa ceremoni, si folklorik.
Të heqësh dorë nga metri dhe rima me vetëdije, duke zgjedhur të shkruash me varg të lirë, është një gjë; të shkruash me varg të lirë, sepse nuk je në gjendje të shkruash me varg të matur, një gjë tjetër. Ka mjeshtër të fjalës, por ka edhe mjeshtër që dinë ta shndërrojnë nevojën në virtyt (“që e bëjnë pordhën fuqi” do të thoshte populli). Shumë lehtë mund ta përfytyroj djalin e atij filistinit të Moma-s, që merr penelin dhe zhgarravit gjëra mbi pëlhurë, për t’i paraqitur pastaj si art abstrakt, madje duke u vënë edhe tituj pompozë, të tillë si “Opus 42/C”. Ai nuk di të pikturojë, por injorancën e vet e vë në shërbim të suksesit.
Edhe në muzikë, sot janë të paktë ata kompozitorë që do të shkruanin suita për violinë a violoncel, të ndara në prelude, allemande, courante, sarabande, minuetto, gavotte, bourrée dhe gigue, siç i ndante Bach-u suitat e tij. Mbase edhe e kanë bërë ndonjëherë, por vetëm si homazh ndaj mjeshtrit të madh.
E tillë mbase do të konsiderohej, si homazh, edhe përpjekja – sado naïve – për të ndjekur stilin e Rafaelit në pikturë; ose të Berninit në skulpturë.
Natyrisht, nevoja e artit sot, për të lakmuar me çdo kusht origjinalitetin, u ofron shans të pashoq edhe të gjithë atyre që pasionin për të krijuar nuk e kundërpeshojnë dot me zotësi a dhunti të dorës, të veshit a të gojës; aq më tepër kur tani edhe thjesht gjesti (performativi) vjen duke marrë atribute të veprës së artit, në rrethanat e një kulture të mbizotëruar nga riprodhimi mekanik dhe digjitalizimi.
Duke komentuar lajmin se dikush pat blerë “bananen” e Cattelan-it për 6.2 milion euro, Vittorio Sgarbi shpjegoi se sot veprat e artit nuk janë më “beni rifugio”, por “beni in fuga” – vepra nuk duhet të ekzistojë, mjafton të dihet se është menduar. Është sublimim i një rrugëtimi që e shndërron veprën… në një send që i përket mendimit tonë.
Nuk më bind kjo e Sgarbi-t; madje mendoj se ka një lloj arti sot, i ushqyer nga padija, që kërkon ta zëvendësojë mendimin me gjestin, nëpërmjet një procesi dematerializues që do ta kish llahtarisur Heidegger-in – sepse kërkon ta deklasojë artin tjetër, atë të dorës dhe të zërit dhe të syrit dhe të veshit në cirk, ose në produkt të mishit, të njeriut-trup. Paçka se kemi të bëjmë me të njëjtin konceptualizim, që mbështet – gjetiu – kriptomonedhat.
Të shohim si do të vlerësojë këtë risi Inteligjenca Artificiale.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje