Në episodin e 12-të të Apostrof, Agim Baçi ndan një histori të rëndë që lidhet me shkrimtarin Mitrush Kuteli . Ai tregon se kur Kuteli gjendej në kampin e internimit, u tentua që të varrosej i gjallë, ndërsa shpëtoi vetëm sepse komandanti i kampit e njohu se kush ishte, pasi kishte lexuar veprat e tij.
Më tej, Baçi ndalet edhe te indiferenca e të rinjve për të mësuar më tepër në lidhje me te shkuarën e errët të diktaturës, ndërsa thekson se problemi qëndron te mungesa e guximit për të treguar të vërtetat nga brezat që e jetuan regjimin.
Pas më shumë se 30 vitesh nga rënia e diktaturës, shumë të vërteta mbeten të pathëna, shumë plagë nuk janë njohur publikisht, dhe shumë viktima nuk janë dëgjuar. Ndërkohë, jo pak prej atyre që ishin pjesë e sistemit të dhunës, vazhdojnë të jenë të pranishëm në jetën publike — madje edhe promovohen.
“Mund të ketë një personazh shumë të dashur për ju, si Mitrush Kuteli. Kanë dashur ta varrosin të gjallë. Dhe ka qëlluar që komandanti ishte një lexues dhe një fans i Kutelit, që e ka liruar nga një veprim i tillë makabër. Nuk dua t’ju trishtoj, dua t’ju them që ne si brez kemi përgjegjësi që ju të rinjtë nuk e keni para syve historinë siç ka ndodhur. Ne nuk kemi ditur t’ua themi. Nuk kemi pasur guximin të themi shumë të vërteta. Kështu që unë nuk fajësoj brezin e ri, unë fajësoj brezin tim që nuk mundi të ishte kaq i vërtetë dhe t’i thoshte gjërat.”