Të hedhësh në të pastër

27 Maj 2026, 10:15Kulturë Nga Ardian Vehbiu

Historia e të shkruarit për brezin tim

“Ontogeny recapitulates phylogeny”, pat thënë një herë biologu Erst Haeckel – në mbështetje të hipotezës se zhvillimi i embrionit të një kafshe, nga fertilizimi në lindje (ontogjenia) kalon nëpër faza që u ngjajnë fazave të njëpasnjëshme të evolucionit të stërgjyshëve të asaj kafshe (filogjenia). Kjo njihet edhe si teoria e rikapitullimit; e kemi pasë bërë në shkollë, por me sa shoh, nuk pranohet më nga biologjia bashkëkohore.

Gjithsesi, teoria vlen sa i përket fazave e teknikave të shkrimit të brezit tim: e kemi nisur me laps, për të vazhduar me penë dhe bojë (majat e penës shiteshin një lek të vjetër copa dhe i duheshin montuar bishtit (pesë lekë); ndërsa bojën na kërkonin që ta mbanim në kallamar, një gjë prej plastike të ricikluar, që i ngjante një anijeje kozmike në Disney Cartoons).

E vetmja fazë që nuk e kemi përjetuar, është ajo e të shkruarit me stylus në pllakë balte, ose e të gdhendurit të shkronjës në mermer; por këto janë të krahasueshme sa me artin dhe sportin e të gdhendurit të emrave dhe të fjalëve të ndyra në banka, aq edhe me gërvishtjet e shkumësit në dërrasën e zezë dhe në pllakat e trotuarit, për vajzat (ndonjëherë edhe djemtë) që luanin me peta.

Penën e zëvendësoi gradualisht stilografi – me sa mbaj mend, stilolapsin nuk na e lejonin në shkollë (?); në kohën time, gjeje në treg stilografë kinezë të së gjitha llojeve. Kam vazhduar të shkruaj me stilograf deri vonë, në fillim të viteve 2000; duke mbajtur ashtu shënim deri edhe leksionet në universitet.

Edhe temën e diplomës e kam shkruar me stilograf; dhe pastaj kam paguar një daktilografiste, që ta shtypte me makinë. Në Shqipërinë e atyre viteve makinat e shkrimit ishin të rralla dhe të regjistruara; përveçse në zyrat (kopisteritë), u lejoheshin kategorive profesionale të caktuara, si shkrimtarëve, gazetarëve, redaktorëve; njëlloj siç u jepej autorizimi për piano kompozitorëve.

Im atë, ngaqë drejtoi Buletinin e Shkencave Mjekësore për ca vjet, përfitoi edhe një makinë shkrimi, të cilën e bleu në Lidhjen e Shkrimtarëve: një Olivetti e prodhuar në Bullgari, kishte në tastierë edhe ë, edhe ç, sipas modelit të alfabetit të frëngjishtes. Me të luaja ndonjëherë edhe unë; një nga tekstet që kam shtypur herët, ka qenë përkthim i aforizmave të Bernard Show-t, në parathënien e dramës Man and Superman; përveçse edhe tekste këngësh të Beatles-ve dhe ndonjë poezi të zgjedhur timen (he-he).

Gjithsesi, në ato vite, të shkruarit me makinë ishte thjesht transferim i një teksti të shkruar me dorë, pa lidhje me kreativitetin; synimi ishte që teksti yt të bëhej lehtësisht i lexueshëm edhe nga të tjerët, duke u shkëputur disi nga era e djersës së dorëshkrimit me stilograf. Kështu vazhdova edhe më pas, kur shkova në Napoli dhe mund të përdorja lirisht makinën elektrike të shkrimit, që kishim në katedër – të shkruarit me makinë mbetej në rrafshin tipografik, ndërsa teksti kompozohej vetëm me penë (edhe në Napoli shkruaja me stilograf).

Thonë se të shkruarit me penë (ose me pendë – quill) i jep shkruesit kohë që t’i organizojë mendimet më mirë, sepse herë pas here duhet të ndalet dhe ta ngjyejë penën në bojë; kjo edhe mund të ndiqet, duke gjurmuar zbehjen e bojës në letër, deri në momentin kur pena rimbushet me municion; njëlloj arkeologjie e të shkruarit dhe e procesit letrar. Përkundrazi, stilografi dhe stilolapsi – njëlloj si lapsi – lejojnë kontakt të pandërprerë midis majës shkruese dhe letrës, duke mundësuar edhe vijueshmëri të tekstit.

Brezi im ka pasë bërë edhe bukurshkrim si lëndë të posaçme në shkollë; përdornim fletore të posaçme, me vijat udhëzuese në distanca të pabarabarta, për t’u mësuar me përpjesëtimet e duhura të shkronjave. Me gjithë emrin tërheqës, bukurshkrimi (kaligrafia) shkonte krah për krah me dënimet që ende jepeshin aso kohe, për të shkruar të njëjtat fjalë dhe fraza me faqe të tëra – edhe pse jo në atë masë siç do t’i shihnim më pas në filma.

Në shkollë dhe gjetiu më thoshin se “ke shkrim të bukur” – ndoshta kjo lidhej edhe me “dorën për të vizatuar”, që edhe atë ma thoshin se e kisha; ose me një instinkt për të kontrolluar harmoninë e vijave; por më gjasë ka që të kenë pasur parasysh, me atë compliment, se kisha shkrim të qartë, të lexueshëm, ndryshe nga ca të tjerë, që e kishin shkrimin “si këmbët e pulës”. Besoj se shkrimi “i bukur” ende gjykohej si shenjë e arsimit të mirë dhe e kujdesit për paraqitjen; prandaj çuditem tani që lexoj (te nga Anne Trubek, The History and Uncertain Future of Handwriting, Bloomsbury 2016) se ka pasur një periudhë, në Francën e shekullit XVIII, kur aristokratët qëllimisht ushtroheshin për të pasur “shkrim të keq”, në përbuzje të së gjithë atyre të tjerëve, që nëpërmjet të shkruarit qartë (dhe bukur) fitonin bukën e gojës. Në ato kohë, shkrimi i bukur mund ta tradhtokësh dikë për parvenu.

Kur isha fëmijë, edhe më tërhiqnin shumë shkronjat e mëdha të shtypit, me të cilat dilnin kryetitujt e gazetave; dhe shkrimet e hershme, që para se të filloja shkollën, i kam të gjitha me ALL CAPS. Në mendjen time, shkronjat e mëdha i kam lidhur rregullisht me autoritetin, disiplinën dhe parullën; dhe tekstet e shkruara ashtu, që shfaqeshin në pllakate, në mure dhe në banderolat e rrugëve, më dukeshin sikur bërtisnin në kor. Ishte shkrimi i shenjtë i asaj epoke, mediumi me të cilin përcillej ideologjia sunduese dhe ushtrohej vetë pushteti (logocentrik) i regjimit. Jo më kot i pat ftuar atëherë Enver Hoxha shqiptarët që të denonconin autoritetet dhe njëri-tjetrin, me fjalët “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit,” (Fjalimi i 6 shkurtit 1967), të cilën unë – dhe shumë të tjerë – e kuptuam si të ishte ftesë për të shkruar me shkronja kapitale, edhe pse në fakt, kjo “me shkronja të mëdha”, rimerrte kuptimisht praktikën e dazibaos kineze, e cila u referohet madhësisë së shkronjave, jo llojit të tyre.

Edhe pse lexoja lirshëm që herët, të shkruaja mësova vetëm në shkollë. Vitet e para të gjithëve na duhej të luftonim me pisllëkun e bojës që derdhej dhe gërvishtjet e penave të shtrembra – ktheheshim nga shkolla të njollosur në duar dhe në fytyrë, si të ishim plagosur në luftë. Më kujtohet edhe letra thithëse, e butë dhe ngjyrë rozë, si pepto-bismoli; siç më kujtohen termat kopje e keqe (e pistë) dhe kopje e pastër, ose e hedh në të pastër. Në fakt, kopja e keqe përmbante lloj-lloj korrigjimesh, që “e bënin pis” tekstin; prandaj duhej bërë një kopje e pastër. Qarkullonte edhe një laps i quajtur kopjativ, por këtë nuk e pata marrë vesh kurrë se çfarë bënte, përveçse që e përdornin në zyrat. Përkundrazi, lapsi kuq-e-blu përveçse i bukur, të jepte edhe një lloj autoriteti, sidomos kur e përdorje për të “zbukuruar” tekstin. Shumë e kërkuar ishte goma në gjendje të fshinte bojën; por edhe ajo kërkonte teknikë të posaçme, që të mos hapje gabimisht një vrimë në faqen e letrës.

Shkolla më mësoi që t’i hidhja mendimet në letër duke shkruar me dorë, zakonisht me stilograf; këtë zakon e ruaj sot e kësaj dite, sidoqë shpesh ulem të shkruaj drejtpërdrejt në laptop, duke e anashkaluar fazën e shënimeve me dorë. Kompjuterin e parë e kam marrë dikur në 1993 (?), një IBM që peshonte sa një djagaç, por që atëherë e përdorja thjesht si makinë shkrimi, që kish avantazhin se mund t’i bëje korrigjimet sipas dëshirës. Ashtu edhe filloi ta humbte kuptimin koncepti i kopjes së keqe dhe i kopjes së pastër – korrigjimet që bëje në një file në ekran nuk do të linin gjurmë gjëkundi. Përveç artikujve të ndryshëm, që aso kohe i shkruaja me dorë dhe pastaj i shtypja ose me makinën elektrike në universitet, ose në printerin e thjeshtë në shtëpi, në kompjuter kemi shkruar – me Rando Devolen – librin La Scoperta dell’Albania, që u botua në 1996; edhe pse materialet e refencës që patëm mbledhur, duke shfletuar me qindra faqe gazetash të kohës, i kishim shkruar të gjitha me dorë.

Më pas, librin tim të parë shqip, Kulla e Sahatit, e pata shkruar me dorë, në një fletore që e kam akoma; kur e shoh tani dorëshkrimin, mendoj se më ka humbur aftësia për të shkruar me dorë aq pastër, pa gabime dhe pa ndërprerje dhe pa ndier nevojën të kthehem mbrapsht për të korrigjuar. Nga fletorja, tekstin e hodha në kompjuter dhe fillova ta botoj pjesë-pjesë në Alb-Club, derisa erdhi koha që ta mbledh bashkë në një libër. Gjithsesi, fillimi i viteve 2000 ka qenë koha, për mua, kur u mësova të shkruaj drejtpërdrejt në kompjuter, në atë kohë në desktop vetëm.

Për shkak të filmave pa hesap, makinën e shkrimit – atë tradicionalen – e shoqërojmë mendërisht me gazetarin, poetin, shkrimtarin; edhe pse meshkujt profesionistë të letrave, në shekullin XX, do ta përdornin makinën e shkrimit kryesisht duke marrë në punë një daktilografiste (rigorozisht vajzë ose grua), për t’ia diktuar tekstin. Kjo “ndarje e punës” vazhdoi për shumë kohë – në vitet 1980, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, një grup daktilografistesh jo vetëm që përballonte artikujt dhe monografitë që shkruheshin aty, por edhe tekstet e mëdha të Fjalorëve – të shqipes dhe terminologjikë shumëgjuhësh.

Thonë që kalimi nga shkrimi me dorë te të shtypurit me makinë arriti të modifikojë edhe stilin e shkrimtarëve; sidomos të atyre që formulimin e tekstit filluan ta bëjnë me zë, duke ua diktuar sekretareve. Lexoj tani se Henry James filloi t’i diktonte veprat e veta dikur në vitet 1890, çfarë edhe e shpëtoi nga mundimi “fizik” i të shkruarit me dorë/të shtypurit vetë në makinë (Trubek, vep.cit.). Ndonjë kritik dhe historian i letërsisë ka gjetur dallime midis stilit “të hershëm” dhe stilit “të mesëm” të këtij autori, të cilat i shpjegon me kalimin nga shkrimi me dorë në diktim. Sekretarja e James-it ka shkruar, në memuaret e veta, se pas vitit 1907, kur James nuk shkroi më vetë, “efektet e [diktimit] mund të gjurmoheshin lehtë në stil, i cili filloi të merrte trajtat e të folurit të lirë, kompleks, që nuk kërkonte përgjigje… një efekt që ia mundësonte tani të folurit vetë,” gjithë duke e çliruar nga probleme fizike të tilla si “paraliza e penës, dobësimi i syve dhe shtrembërimi i kurrizit.”

Edhe pse kalimi nga fillimet e të shkruarit te diktimi mund të shënjojë një distancim të ri mes mendimit dhe shenjës në letër, kjo nuk ka të bëjë me atë që, kur vjen puna për teknologjinë e të shkruarit, kjo është përcaktuar dhe ka ndryshuar në vite dhe shekuj falë edhe tensionit midis ekspresivitetit të subjektit, ose shkrimit si shprehje e vetes a e identitetit; dhe orientimit ndaj objektit, ose shkrimit si instrument për të komunikuar me tjetrin. Duke kaluar nga subjekti tek objekti, ta zëmë nga një zhgarravinë që edhe ti që e ke bërë nuk e kupton më, te një faqe e shtypur në ekran ose me printer, në fakt kemi lëvizur sipas një vektori të qartësisë. Po çfarë është tamam qartësia, në mos konformim ndaj një standardi “tipografik”, në mënyrë të tillë që ai tjetri të njohë, te shkronja jote, shkronjën që kishe ti në mendje kur po e vizatoje? Ky standard ngjan, nga disa anë, me standardin gjuhësor, paçka se vjen shumë më pak i politizuar; tek e fundit, në të dy rastet fokusi është orientimi ndaj objektit dhe mënjanimi i subjektivitetit – qoftë ky i shprehur me fonema a me forma gramatikore jo-standard, qoftë i mishëruar në forma shkronjash të çuditshme ose të panjohura. Natyrisht, mjetet mekanike të shkrimit, si tipografia (për shtypshkrimin) dhe makina e shkrimit, e më pas të shkruarit nëpërmjet një kompjuteri a pajisjeje tjetër elektronike (telefon cellular, tabletë) e çlirojnë subjektin shkrues nga nevoja për t’iu konformuar standardit në format e shkronjave dhe konvencioneve të tjera shkrimore, sikurse e çlirojnë nga barra për të vendosur nëse do t’i nënshtrohet apo jo atij standardi.

Çfarë humbasim, dora-dorës që e zëvendësojmë shkrimin me dorë me modelin mekanik/tipografik/elektronik? Johannes Trithemius, një dijetar gjerman i shekujve XV-XVI, që bëri emër si leksikograf, kriptograf dhe okultist, autor i së famshmes Steganographia, një libër në tri volume që përshkruante – mes të tjerash – si të përdorej magjia për të komunikuar në distancë, e konsideronte shkrimin me dorë si akt spiritual, një formë e përkushtimit fetar që nuk mund të replikohej kurrë nga tipografia e Guttenberg-ut (Trubek, vep.cit.).

Nëse ka pasur ndonjë domethënie apo jo, ontologjia e veglës shkrimore tek unë, këtë ende përpiqem ta kuptoj. Nietzsche-ja, i cili e përjetoi vetë revolucionin teknologjik të makinës së shkrimit, pat shkruar në një nga letrat private: “Veglat tona të shkrimit veprojnë edhe mbi mendimet tona”. Friedrich A. Kittel, nga libri i të cilit Gramophone, Film, Typewriter (Stanford University Press, 1999) e kam marrë këtë citat, gjen edhe një lidhje mes stilit aforistik të veprave të vona të atij filozofi dhe teknologjisë së re. Një ndikim të ngjashëm të makinës së shkrimit në stil e pat dyshuar edhe T.S. Eliot, pasi filloi t’i shkruajë poemat e veta me makinë: “në vend të fjalive të gjata, me të cilat kisha rënë në dashuri, tani nxjerr nga dora gjëra të shkurtra, staccato, si proza frënge moderne. Makina e shkrimit ndihmon qartësinë, por nuk më duket se inkurajon finesën (subtlety).”

Te leksionet për Parmenides-in, Heidegger-i e përmbledh dilemën kështu: “Shkrimi mekanik e privon dorën nga rangu i saj në lëmin e fjalës së shkruar dhe e degradon fjalën në mjet komunikimi.” Për ta kuptuar këtë, le të mbajmë parasysh se ky filozof i konsideronte edhe dorën, edhe fjalën, si shenjat dalluese kryesore të njeriut; dhe mendonte se dora lindi (doli) nga fjala dhe së bashku me fjalën. Në vend që të themi se njeriu “ka” duar, thotë ai, do të themi se dora mban esencën e njeriut; dhe dora – si çfarë është përfshirë në të dhe çfarë i shfaqet shikimit – është fjala e shkruar, d.m.th. shkrimi. Dhe fjala si skript është shkrimi me dorë. Që njeriu modern tani shkruan “me” makinë shkrimi dhe i “dikton” një makine, kjo shpalos një nga arsyet kryesore për shkatërrimin në rritje të fjalës, meqë kjo e fundit nuk vjen dhe ikën nëpërmjet të dorës shkruese, që është dora mirëfilli vepruese, por nëpërmjet forcave mekanike që ajo çliron. Makina e shkrimit e shkul të shkruarit nga mbretëria esenciale e dorës, që është mbretëria e fjalës, dhe fjala vetë shndërrohet në diçka të shtypur (angl. “typed”). […] gjithë duke e fshehur shkrimin me dorë dhe karakterin. Makina e shkrimit i bën të gjithë të duken të njëjtë…”, homogjenizon duke i fshirë diferencat individuale.

Le të mbajmë parasysh, në këtë kontekst, qëndrimin e Heidegger-it ndaj teknologjisë; dhe bindjen e tij se “të menduarit” është një aktivitet, një bashkëveprim i dorës dhe e mendimit; në kuptimin që krejt puna e dorës është e rrënjosur në të menduarit. Në këtë kuptim, një laps ose një penë, si vegla shkrimi, janë zgjatime të dorës, që ua realizon potencialin; çfarë nuk ndodh me makinën e shkrimit, dhe aq më pak me kompjuterin (me tastierë).

Duke iu kthyer qëndrimit të Heidegger-it, se “Shkrimi mekanik e privon dorën nga rangu i saj në lëmin e fjalës së shkruar dhe e degradon fjalën në mjet komunikimi”, le të kujtojmë këtu se, në një vepër që mbështetet sa tek ai filozof, sa edhe te Derrida (Where are you – An Ontology of the Cell Phone, 2014, Fordham University Press), Maurizio Ferraris sugjeron, duke iu referuar Derrida-s, se shkrimi – veçanërisht shkrimi nëpërmjet një pajisjeje si telefoni celular – ka të bëjë më shumë me regjistrimin se me komunikimin. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ja ku u kthyem te regjistrimi si funksion fillestar i të shkruarit, ai që shfaqet në shumerët dhe qytetërime të tjera tejet të hershme, si ai i Linearit B.

Si i apasionuar që kam qenë pas shkrimit me dorë, gjithnjë jam prirur ta afroj me vizatimin, dhe, në analizë të fundit, me pikturën: dora vizaton në faqe simbole me natyrë gjuhësore. Te vizatimi ka një diçka jo thjesht kinetike, por edhe koreografike: shumë kultura, edhe pse jo detyrimisht jona, e afrojnë shkrimin me bukurshkrimin – mjaft të përmend rolin që luan kaligrafia në kulturën arabe dhe në kulturën kineze. Ky aspekt vizual i të shkruarit anulohet krejt nga të shtypurit me makinë; sepse këtu vizatimi ia lë vendin “vulës”, dhe të shkruarit ia lë vendin “vulosjes”.

E megjithatë, nga eksperienca personale, që kur kam filluar të përdor tastierën e kompjuterit për të shkruar, gjithnjë më ka shkuar mendja te një marrëdhënie mes të shkruarit me majë të gishtave në tastierë dhe të luajturit e një instrumenti muzikor, për të bërë muzikë. Sikurse më ka shkuar mendja që mjeshtria ime, sado rudimentare, për të luajtur në kitarë dhe, shumë më keq, në një piano elektronike, më ka ndihmuar për t’u ndier mirë përballë tastierës së kompjuterit. Edhe vetë termi që përdorim, tastierë, përçon një farë uniteti të thellë, ose solidariteti kuptimesh, mes dy veglave që konfigurohen – sërish në analizë të fundit – nga mekanika e dorës (e duarve). Edhe bishti i kitarës, që nuk i ngjan, në dukje, tastierës së pianos dhe asaj të kompjuterit, sërish merr parasysh gishtat, koreografinë e tyre, aftësitë limit për të vallëzuar mbi të, hapjet dhe distancat; aq sa të më bëjë ta përfytyroj si projeksion të dorës mbi dru.

Sërish më duhet të pyes: çfarë domethënie mund të ketë ky kalim, nga natyra vizatimore e shkrimit me dorë, te natyra muzikore e shkrimit përmes një tastiere; çfarë ndikimi mund të ketë sjellë në stil dhe në ritëm dhe në artikulimin e tekstit (ligjërimit); dhe më në fund, cilat janë efektet e shkrimit vetëm “muzikor” në brezin e atyre që nuk e kanë përdorur shkrimin me dorë si instrument bazë për të shkruar?

(c) 2025-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje