Ti, si gjeni anonim

6 Korrik 2022, 09:16Kulturë Pëllumb Kulla

(Letër Petrit Rukës, kur ai përpunoi baladën e mahnitshme “Nëntë vjet dhe nëntë ditë”)

Ti e shkrove, unë ta pëlqeva, ti e përsose dhe unë u mrekullova.

Ti e lëshove në lumin e gjerë të leximeve dhe ne që të dy drithëruam nga entuziazmi, që vemë re se po e përshëndet këtë baladë në rrugën drejt detit të madh të krijimtarisë popullore.

Se dhe ti, Petrit i dashur, popull je.

Dhe unë që derdha lotë entuziazmi, popull jam.

Dhe tërë këta lexues dhe lexuese që të përkëdhelin e të duartrokasin dhe që, në një farë mase të japin shpërblimin, pagën që ti prisje, popull janë.

Ne, populli, kemi meritë për këta thesarë që trashëgojmë,
meritë ja, që i pasurojmë, i përsosim dhe i shpiem tej, në shekuj për brezat që do të lindin edhe pas mijëra vjetësh.

E tillë ka qenë historia e përrallëve mahnitëse, e këngëve, e baladave, e këtyre krijimeve artistikisht aq të goditura, aq të guximshme, abstragimeve aq moderne, kësaj figurshmërie, që të le me gojë hapur.

Ky ka qenë dhe mbetet procesi i natyrshëm i krijimtarisë popullore, i gjenijve pa emra.

Dhe ti, miku im, i tillë je.
Këtë proces vazhdon edhe ti.

Je një element i popullit, natyrisht më i shquar, se ne të tjerët.

Një gjeni pa emër.

Një i pa punë.

Një i vlerësuar pa masë nga lexuesit e tu,
por pa vend në antologjira dhe libra këndimi,
pa faqet e shumta që meriton në librat kritikë,
pa katedër për të ligjëruar, ashtu si di ti dhe si më mahnit mua.

Mirë ke bërë që i bashkohesh artit pa tituj nderi dhe e ngre, pashë dhe pashë, më lart.

Dhe shoqëria, e shteti mirë bën, që të le anonim, që e ndihmon këtë krijimtari popullore pa emra dhe e trajton atë tamam si atëherë, kur shkronjëzat shqipe ende nuk ishin shpikur…

Të përqafoj, o mik i rrallë!

Pëllumb Kulla

2 Komente

  1. S
    Sora e zezë

    Ky eshte një këpushë qe u ngjitet kujtedo qe ka vlera, ka nuhatje dhe kete e ben me mjeshtri dhe pafytyresi.

    1. B
      Balo

      Pëllumbi është artist i zoti! Nëse është njeri i dobët,nuk na hyn në punë,nuk do bëjmë krushqi me të! Ai ka dhënë për artin tonë,i lejohet t'ja fusë edhe ndonjëherë pordhës...se siç thotë vetë popull është edhe ai! Prandaj ,mos t'ja marrim shumë për kapital!

      Lini një Përgjigje