Tregimet

28 Dhjetor 2025, 18:33Kulturë Adri Kalaja

Tregimet

Jorge Luis Borges nuk njihet shumë nga lexuesi shqiptar, por as edhe nga studenti shqiptar, kjo për arsye të një dendurie të studimit të autorëve rilindas dhe atyre shqiptarë, por edhe abandonimi i letërsisë surrealiste si “përrallë postmoderne” në auditore. Në këto grupe armiqësorë padyshim do përfshiheshin dy nobelistë si Handke dhe Kraznohorkai.

Borgesi është një figurë intelektuale e pamatë, një lexues i ethshëm në rini, ai mbetet i verbër kur nis të shkruajë. Tregimet e tij janë fantastike, ai rrëfen ekzotizmin, mitin dhe shkretëtirën, parabolën, rrëfenjën, pluhurin, rërën, të shkuarën, krimin, të pagdhendurit dhe shpirtin e popujve.

Borgesi është mjeshtër i tregimit, mjeshtër i të thënit shumë me pak. Michel Foucault, filozofi francez, e donte shumë. Tek “Fjalët dhe gjërat » ai përshkruan mahnitjen e tij me një tregim të Borgesit kur bënte taksonominë e kafshëve në Kinë.

Ajo çfarë e kishte mahnitur Foucault ishte se kafshët mitike (njëbrirësha e dragonj) kishin kategorinë e tyre, kategori për kafshët imagjinare, çfarë gjetjeje. Ndonjë ditë do të kemi dhe biologë për këto kafshë. Kjo, të bën të qeshësh po ta mendosh, por e tillë ishte imagjinata e palimit e Borgesit.

Ai solli botë në realitet me një gjuhë të thjeshtë dhe me një sjellje prej zotërie ai përshkroi skutat më të humbura të botës për ti lënë në gojë lexuesit një shije sikur kishte marrë pjesë në një safari apo në një shëtitje në Amazonë.

“Tregimet” e Jorge Luis Borges, sjellë në shqip mjeshtërisht nga Bashkim Shehu, dhe botuar nga e mirënjohura Pika Pa Sipërfaqe, janë një aset për çdo bibliotekë.

Lini një Përgjigje