Në historinë e letërsisë shqiptare, disa emra ndriçojnë jo për sasinë e madhe të veprave të tyre, por për intensitetin emocional dhe artistik të fjalës së shkruar.
Një nga këto emra është padyshim Gaspër Pali, poeti shkodran që la pas një poezi të veçantë, të ngarkuar me ndjeshmëri të thellë, melankoli lirike dhe kërkim të sinqertë shpirtëror. I lindur më 14 gusht 1916 në Shkodër, në një familje me rrënjë të thjeshta, Pali u rrit mes tingujve të pazareve të qytetit, ritmit të gjuhës popullore dhe aromës së librave që frymonin në shkollën françeskane ku ai studioi. Rrethi i tij kulturor përfshinte emra të mëdhenj të letrave shqiptare si Gjergj Fishta, Bernardin Palaj dhe Justin Rrota – mësues që e formësuan si mendimtar dhe poet.
Që në adoleshencë, Gaspër Pali nisi të shkruajë poezi. Ai nuk ishte poet i angazhuar politikisht, por i përkushtuar ndaj ndjenjës së brendshme, ëndrrës, kujtimit dhe përmallimit. Poeti, në vend që të këndonte për heronjtë dhe shpresat e mëdha kolektive, këndonte për humbjet intime, për mallin për vendlindjen, për vetminë e njeriut modern dhe për dashurinë që lëndon po aq sa lartëson. Në vitet e para të rinisë, ai botoi në revista si “Hylli i Dritës”, “Java dhe Cirka” dhe më vonë në Firence, ku studioi letërsi. Pali ishte një shpirt që rrinte më shumë me vetveten sesa me botën dhe kjo ndjeshmëri e lartë shpirtërore reflektohet fuqishëm në vargjet e tij. Poezia e Palit është moderne për kohën e vet. Në të gjenden elementë të hermetizmit, introspeksion i thellë dhe një ndjeshmëri që i afrohet simbolizmit evropian. Shpesh i krahasuar me poetët italianë të viteve ‘30, ai solli në poezinë shqipe një stil të ri, të heshtur, të ndjeshëm, dhe thellësisht personal.
Në bankat e liceut françeskan ku drejtorë qenë Gjergj Fishta e Frano Kiri dhe mësues Anton Harapi, Bernardin Palaj, Justin Rrota, Marin Sirdani, Gaspër Pali fillon aktivitetin e vet poetik, që pesëmbëdhjetë vjeç, me dy sonete në sistemin metrik të kodifikuar si dhe me një vjershë “Djepi i vorfën” – ndikim nga poezia popullore qytetare. Më 4 mars 1933 përmes një eseje 4 faqesh, Gaspri 17- vjeçar paraqet formimin e tij filozofik, në një apologji idealiste model: “Mbi natyrë të Zotit”. Më 23 prill 1933, përmes modifikimit të Statutit Themeltar të Shtetit, shkollat private u mbyllën.
Gaspri kaloi në degën klasike të Gjimnazit të Shtetit Shkodër, ku mori dëftesën e pjekurisë në seksionin e pranverës të vitit shkollor 1934-1935. Bankat qenë skrivania e lirikave të tij prekëse e njëkohësisht vendi ku mori vlerësimet dhe vërejtjet e dy Filipëve: Filip Ndocajt, shokut të klasës dhe Filip Fishtës, profesorit kompetent të letërsisë. Gaspri ndoqi studimet për katër vite rresht në të njëjtën degë me shkrimtarin e ardhshëm Filip Ndocaj, me të cilin e lidhte një miqësi e kahershme qysh nga “Illyricum”-i. Në Firence ai shoqërohej me mjaft studentë bashkatdhetarë, që ia hiqnin paksa mallin e vendlindjes. Megjithatë, vitet e arta studenteske ai do t’i quante mërgim. Gaspër Pali shkoi në qytetin e Dantes si poliglot. Ai dinte me themel, që nga liceu françeskan, greqishten e vjetër, latinishten, italishten. Gjermanishten e mësoi si autodidakt me ndihmën e të vëllait, Zefit, që më 1935 mbaroi studimet në mjekësi në Grac të Austrisë. Librat në gjuhë të huaja, që ende sot ndodhen në bibliotekën e familjes Shantoja dëshmojnë edhe përmes ndonjë shënimi të vogël të Gasprit, për formimin filologjik dhe për preferencat e tij letrare. Sa mbërrin në Firence, në tetor e dhjetor 1936 Gaspri vendos lidhje me revistën shkodrane “Cirka”, tani si e mbledhës dhe argumentues i folklorit, duke përdorur pseudonimin Gimi. Në janar të 1937 do të botojë aty një novelë folkloristike, “Plaka jonë” ku do të shfaqet me profilin e prozatorit.
Më 1938 nga Italia vendos lidhje me kryeqytetin shqiptar duke botuar novelën “Prangat e arta” në gazetën “Java”. Ndërsa më 1940 brenda Firences do të botojë një poezi shqip, në revistën “Numero unico degli universitari albanesi”. Tri ngjarje tronditëse do ta plagosnin zemrën e poetit lirik. E para, pushtimi i atdheut nga gjuhëfolësit e po atij vendi ku ai po kulturohej. E dyta, dashuria fundtrishtuar me një vajzë siciliane, studenten Kleyde, që papritmas sëmuret rëndë. E treta, kur zbuloi përmes tingullit që i dilte nga mushkëritë, shenjat e para të TBC-së. Ishin gjithsesi tepër për një 23-vjeçar hollak dhe sentimental, që fliste gjithnjë me gjysmëton muzikor. Në fillim të vitit shkollor 1940 – 1941 dr. Gaspër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku afërsisht dy vite shkollore punoi me aftësi e zell. Revistat më në zë të kohës kërkojnë të thithin firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar Gaspër Pali. Kështu drejtuesi i revistës “Shkëndija” në Tiranë, shkrimtari Ernest Koliqi, në hapësirën e një viti (shtator 1941 – qershor 1942) i boton tri poezi dhe një ese. “Hylli i Dritës” , sapo Gaspri kthehet në Shkodër, në shtator 1940 i boton një studim të gjërë mbi letërsinë e huaj. “Cirka” në nëntor 1941 boton broshurën 31 faqesh “Cordignano në gjyq para botës”, ku Gaspri është bashkautor me një grup profesorësh të Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Broshura qe shembull i një polemike shkencore dhe pati një jehonë të fortë në mbarë Shqipërinë e më tej.
Fatkeqësisht, jeta e Gaspër Palit ishte e shkurtër. Vdiq më 21 korrik 1942, vetëm 26 vjeç, në një moshë kur shumë poetë sapo nisin të formojnë zërin e tyre. Por ajo çfarë ai la pas, ndonëse jo voluminoze, është e mjaftueshme për ta quajtur një nga zërat më të rëndësishëm lirikomeditativë të letërsisë shqiptare. Në gjysmë të dhjetorit 1941 Gaspri u sëmur rëndë. Poezinë e fundit e shkruan në spitalin e Tiranës me 2 shkurt 1942. As kujdesi i të vëllait, Zefit, doktor fiziatër-rentgenolog s’mundi t’ia zgjasë jetën, që iu ndërpre, po në verë, po në Shkodër, më 21 korrik 1942. Pas vdekjes, poezia e tij u mblodh në vëllimin “Hyjt mbi greminë”, botuar në vitin 1959. Ky libër është një dëshmi poetike për një shpirt të trazuar, që kërkonte kuptim, dashuri dhe përjetësi në një botë që shpesh i ofronte vetëm vetmi. Sot, poezia e Gaspër Palit nuk figuron në shumë tekste shkollore. Ai mbetet një zë periferik në letërsinë tonë, ndoshta sepse nuk iu përshtat frymës ideologjike të kohës. Por koha po i jep vendin që i takon. Akademikë, studiues e lexues të apasionuar e kanë rikthyer Palin në qarkullim, duke e cilësuar si një nga poetët më të veçantë të periudhës ndërmjet dy luftërave. Dhe me të drejtë. Sepse poezia e Palit nuk plaket. Është një poezi që jeton në mendimet tona të natës, në kujtimet e zbehta të dashurive të largëta dhe në mallin për atë që nuk u bë kurrë. Është një poezi që flet ngadalë, por prek thellë. Tri ngjarje tronditëse do ta plagosnin zemrën e poetit lirik. E para, pushtimi i atdheut nga gjuhëfolësit e po atij vendi ku ai po kulturohej. E dyta, dashuria fundtrishtuar me një vajzë siciliane, studenten Kleyde, që papritmas sëmuret rëndë. E treta, kur zbuloi përmes tingullit që i dilte nga mushkëritë, shenjat e para të TBCsë. Ishin gjithsesi tepër për një 23 vjeçar hollak dhe sentimental, që fliste gjithnjë me gjysmëton muzikor./Gazeta Panorama
Lini një Përgjigje