Pas sezonit të shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar të Kukullave, trupa e artistëve ka qenë pranë spektatorëve të vegjël edhe gjatë sezonit veror me shfaqje në qytete të ndryshme të vendit.
Mbrëmjen e djeshme, në sheshin para bashkisë Shkodër, vogëlushët mirëpritën kukullat e shfaqjes “Smërfët dhe Gargamela” që u interpretua nga trupa e TKK-së.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përcolli pamje nga momentet e kësaj shfaqjeje të dedikuar për fëmijët, ndërsa tha se kjo mbrëmje u kthye në një kujtim të bukur për më të vegjlit dhe familjet e tyre.
Ministri Gonxhja tha se, “turi veror i Teatrit të Kukullave ndalet sot në Lezhë, për të dhuruar sërish buzëqeshje dhe për të përmbyllur turin veror të Teatrit të Kukullave”.
Muaji gusht ishte i mbushur me shfaqje dhe një kalendar të pasur artistik për vogëlushët, pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, shkruan atsh.
Muaji shtator në Teatrin e Kukullave pritet të rikthejë shfaqjen teatrale për fëmijë e viteve 80’, “Zemërimi i shkronjave”, e cila ka ngjallur interesin jo vetëm të fëmijëve, por edhe prindërve që mezi presin të shohin në skenë personazhet e tyre të dashura të fëmijërisë.
Lini një Përgjigje