Si dëshmitar, pjesëmarrës aktiv dhe hera-herës si protagonist; I tillë vjen publicisti dhe autori Preç Zogaj në librin “Fillimet”, ribotuar nga UET Press, ku rrëfen Shqipërinë politike të viteve 1990-1992. Mjaftueshëm i distancuar nga koha, por nën kujdesin e shtuar për t’i qëndruar besnik kontekstit, autori sjell në këtë botim, me parathënie të gazetarit Blendi Fevziu, dokumente dhe të dhëna të reja rreth ngjarjeve që ndryshuan historinë e Shqipërisë.
Parë në distancën kohore të pas tridhjetë e pesë viteve, publicisti Preç Zogaj thotë se Partia Demokratike nuk e realizoi misionin për të cilin u themelua në dhjetor të 1990-ës, si një parti opozitare e cila duhet të kontestonte regjimin, sistemin monist dhe Partinë e Punës së Shqipërisë. E kundërta ndodhi. Madje, ajo shkoi në të njëjtën linjë duke përvetësuar dogmat dhe praktikat staliniste të spastrimit dhe asgjësimit të mendimit ndryshe.
“Nga momenti që u përdorën këto skema të thjeshta spastrimi, dihej pastaj vazhdimi”, do të shprehej Preç Zogaj gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës ku prezantoi librin e tij “Fillimet”, botuar për herë të parë në vitin 2014 nga shtëpia botuese UET Press, tashmë i ribotuar me dokumente dhe të dhëna shtesë në prag të Panairit të 28-të të Librit.
Ish-themeluesi i Partisë Demokratike do të rrëfente se, pas spastrimit të brendshëm, kjo parti ndryshoi Statutin dhe ndërtoi një kostum për përjetësinë e liderit, duke ndaluar njëkohësisht qarkullimin e vërtetë të ideve dhe mendimeve të reja. “Në historinë e saj 35-vjeçare PD i ka bërë të gjitha përveç një gjëje. Ka provuar bojkote, protesta, manovra, koalicione, por nuk ka provuar rotacionin e elitës. Ndonjëherë ata që tërhiqen prodhojnë efekte më pozitive se ata që nuk dinë të tërhiqen. Ky është problemi i PD-së, i ka munguar dhe i mungon ai që e lë, heroi që tërhiqet”, u shpreh Zogaj.
Prezantimi i librit dhe gjithë zhvillimeve të brendshme partiake në frontin opozitar, erdhi për studentët në kuadër takimeve “10 tema për politikën e brendshme”, organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë, Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nën moderimin e drejtuesit të Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, Prof. Asoc. Dr. Blendi Lami.
“Kjo parti kishte misionin jo vetëm të bënte thirrjen e madhe kundër partitizmit. I lindi detyra që të themelonte një model të ri partiak, të debatit, respektit dhe diversitetit, në respektim të hierarkive dhe disiplinës”, shtoi më tej Zogaj, duke saktësuar se në librin e tij ka përshkruar me hollësi gjithçka që ndodhi në Partinë Demokratike kur ajo po i afrohej pushtetit dhe pasi erdhi në pushtet.
Si një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, Preç Zogaj pati fatin të jetë shumë afër zhvillimeve të atyre viteve, herë si dëshmitar, herë si pjesëmarrës aktiv dhe herë të tjera si protagonist. Në këtë kontekst, “Fillimet” sjell dëshmi të tijat, sjell refleksione, por sjell edhe hulumtime për ngjarje ku autori nuk ishte dëshmitar, ilustruar dhe plotësuar me dokumente që saktësojnë disa prej zhvillimeve dhe momenteve kyçe që formësuan historinë e pluralizmit politik në vendin tonë.
Autori përpiqet t’i afrohet kontekstit dhe t’i largohet subjektivitet, duke trajtuar me vërtetësi dhe fakte gjithë zhvillimet e njëpasnjëshme të atyre dy viteve.
“Personazhet e gjallë të këtij libri dalin me dritëhijet e tyre, nuk dalin si heronj. Dalin si njerëz që janë përfshirë, që kanë dritëhijet e tyre siç është natyra njerëzor dhe asnjë prej tyre nuk ka kontestuar vërtetësinë e ngjarjeve. Faktet janë ashtu siç kanë ndodhur”, theksoi Zogaj.
Në parathënien e tij, Blendi Fevziu e sheh Dhjetorin e vitit 1990 si momentin themelor të lindjes së klasës së tretë politike shqiptare, që drejton vendin edhe sot. Ai e vendos këtë ngjarje në vazhdimësinë historike të tri periudhave të mëdha: klasa politike e Pavarësisë (1912), ajo komuniste (1944–1990) dhe klasa e re demokratike që u ngrit me Lëvizjen e Dhjetorit. Fevziu thekson se kjo lëvizje nuk ishte thjesht një protestë studentësh, por fillimi i një epoke të re, që solli pluralizmin, lirinë e fjalës dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Në këtë kontekst, ai e vlerëson Preç Zogajn si një nga protagonistët dhe dëshmitarët më të besueshëm të asaj kohe, një figurë që mori pjesë aktive në themelimin e Partisë Demokratike dhe të gazetës Rilindja Demokratike.
Libri është i ndarë në trembëdhjetë kapituj, që ndjekin hap pas hapi ngjarjet e mëdha të periudhës 1990–1992. Përveç rrëfimit historik, libri përmban edhe dokumente origjinale të periudhës, si: kërkesat e studentëve të dhjetorit ’90, programi minimal i Partisë Demokratike, listat e anëtarëve themelues, komunikata zyrtare të PPSH-së dhe qeverive të para pluraliste, si dhe procesverbale e letra që ndriçojnë dinamikën e brendshme të politikës shqiptare të asaj kohe.
“Fillimet” është në stendën e UET Press në Panairin e 28-të të Librit, i cili do të mbahet në Pallatin e Kongresit në datat 12-16 nëntor. Bashkë me botimet e tjera ndër vite të autorit Preç Zogaj, në fushën e publicistikës dhe letërsisë, do të gjeni edhe librat e disa autorëve të spikatur shqiptarë, të cilët nën origjinalitetin e penës dhe rrëfimit sjellin vepra me vlera të rralla për lexuesin, nën logon e shtëpisë botuese UET Press. /liberale/
Lini një Përgjigje