Modelja dhe sipërmarrësja amerikane Karlie Kloss, ish-“Angel” e Victoria’s Secret dhe bashkëthemeluese e grupit mediatik Bedford Media, ka folur rrallëherë për lidhjen e saj familjare me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Kloss është e martuar me biznesmenin Joshua Kushner, vëllain e Jared Kushner, bashkëshortit të Ivanka Trump, vajzës së Donald Trump.
Në një intervistë me gazetaren Emily Chang, modelja u pyet se si është të jetë pjesë e një familjeje të lidhur me Trump. Ajo theksoi se identiteti dhe bindjet e saj politike nuk kanë ndryshuar.
“E di kush jam. E di cilat janë vlerat që më udhëheqin në jetë dhe çështjet që më interesojnë. Nuk e kam humbur veten, por nga ana tjetër kjo është familja e bashkëshortit tim”, u shpreh Kloss.
Ajo zbuloi gjithashtu se nuk e ka takuar kurrë personalisht Donald Trumpin.
“Nuk e kam takuar kurrë presidentin Trump”, tha ajo.
Duke folur për diskutimet politike në familje, Kloss tha se është rritur në St. Louis, ku ka qenë gjithmonë e ekspozuar ndaj pikëpamjeve të ndryshme politike.
“Jam demokrate. Besoj se mund të kesh marrëdhënie me njerëz me të cilët nuk ndan të njëjtat bindje politike. Mendoj se ky vend ka qenë gjithmonë një vend dialogu. Duhet të jemi në gjendje të bisedojmë”, deklaroi modelja.
Lini një Përgjigje