Përballë rritjes së shpejtë të deepfake-ve dhe përmbajtjeve të manipuluara nga inteligjenca artificiale, Finlanda ka përfshirë njohuritë mbi inteligjencën artificiale në kurrikulën e saj arsimore, duke u mësuar fëmijëve që nga mosha 3 vjeç si të identifikojnë lajmet e rreme.
Beteja kundër dezinformimit në Finlandë nis që në kopsht. Prej dekadash, vendi nordik ka integruar shkrim-leximin mediatik në programin kombëtar, duke u mësuar nxënësve të analizojnë burime të ndryshme informacioni dhe të dallojnë përmbajtjet e rreme apo manipuluese.
Këto njohuri janë pjesë e një strategjie të gjerë kundër dezinformimit, që synon ta bëjë shoqërinë finlandeze më rezistente ndaj propagandës dhe pretendimeve të rreme, veçanërisht atyre që vijnë përtej kufirit 1.340 kilometra me Rusinë.
Së fundmi, mësuesit janë ngarkuar të shtojnë edhe alfabetizimin mbi inteligjencën artificiale (AI), sidomos pas intensifikimit të fushatave të dezinformimit në Evropë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, gati katër vite më parë. Anëtarësimi i Finlandës në NATO në vitin 2023 ka shtuar më tej tensionet, edhe pse Moska mohon ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera.
“Ne besojmë se aftësitë e mira në shkrim-leximin mediatik janë një aftësi thelbësore qytetare,” tha Kiia Hakkala, specialiste pedagogjike në Bashkinë e Helsinkit. “Ato janë shumë të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe për mbrojtjen e demokracisë sonë.”
Njohuritë mbi AI, një aftësi jetike
Në shkollën fillore Tapanila, në veri të Helsinkit, mësuesi Ville Vanhanen u mëson nxënësve të klasës së katërt si të dallojnë lajmet e rreme. Ndërsa në ekran shfaqet pyetja “Fakt apo trillim?”, nxënësi 10-vjeçar Ilo Lindgren pranon se detyra “është pak e vështirë”.
Sipas Vanhanen, nxënësit kanë vite që mësojnë rreth dezinformimit, duke nisur nga analizimi i titujve dhe teksteve të shkurtra. Tani, ata po kalojnë në një fazë të re: si të dallojnë nëse një foto apo video është krijuar nga inteligjenca artificiale.
Edhe mediat finlandeze luajnë rol kyç. Çdo vit organizohet “Java e Gazetës”, ku të rinjve u shpërndahen gazeta dhe materiale informative. Në vitin 2024, e përditshmja Helsingin Sanomat publikoi një “ABC të shkrim-leximit mediatik”, i shpërndarë për çdo 15-vjeçar në vend.
“Është thelbësore që Finlanda të shihet si një vend ku informacioni është i verifikuar, i besueshëm dhe transparent,” tha Jussi Pullinen, kryeredaktor i Helsingin Sanomat.
Demokracia nën presionin e dezinformimit
Shkrim-leximi mediatik është pjesë e arsimit finlandez që nga vitet ’90 dhe ekzistojnë edhe programe për të rriturit, veçanërisht për grupmoshat më të ndjeshme ndaj lajmeve të rreme. Për këtë arsye, Finlanda renditet rregullisht në krye të Indeksit Evropian të Shkrim-Leximit Mediatik.
“Nuk e kishim imagjinuar që bota do të bëhej kështu,” tha ministri finlandez i Arsimit, Anders Adlercreutz. “Që do të bombardoheshim me dezinformim dhe demokracia jonë do të vihej realisht në provë.”
Ekspertët paralajmërojnë se me zhvillimin e shpejtë të mjeteve të AI-së, dallimi mes reales dhe së rremes do të bëhet gjithnjë e më i vështirë.
“Për momentin, deepfake-t janë ende relativisht të dallueshme, por kjo do të ndryshojë shumë shpejt,” tha Martha Turnbull, drejtoreshë në Qendrën Evropiane për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride në Helsinki./ E.K
Burimi: Euronews
Lini një Përgjigje