FOTOT/ Gara mes inxhinierëve amerikanë dhe sovjetikë për veturat elektrike

11 Shkurt 2024, 20:30Lifestyle TEMA

FOTOT/ Gara mes inxhinierëve amerikanë dhe sovjetikë për

Nga Amos Chapple REL

Në dimrin e viteve 1973-1974, benzina ishte në sasi aq të paktë saqë kamionistët amerikanë pa karburant bllokuan autostradat në shenjë proteste dhe në Evropë kali dhe karroca u kthyen në rrugët e disa qyteteve.

Shtrëngimi ndaj konsumatorëve ishte i tillë sa një grua nga Nju Xhersi paralajmëroi se "njerëzit janë në prag të revoltës".

Shkaku ishte një embargo nafte e vendosur nga disa shtete të Lindjes së Mesme, ekonomia e të cilave varej nga prodhimi i naftës e që kishin për synim vendet perëndimore që po mbështesnin Izraelin gjatë Luftës së Yom Kipurit të vitit 1973.

Zgjidhja, me sa dukej, ishte zhvillimi urgjent i automjeteve elektrike (Electric Vehicles-EV) që mund të punonin pa benzinë, çmimi i së cilës ishte katërfishuar në një periudhë prej disa muajsh. 

Automjetet elektrike nuk ishin një koncept i ri në vitet 1970. Në fillim të shekullit XX, rreth një e treta e automjeteve që lëviznin në rrugët amerikane, punonin me bateri.

Gjenerata e parë e automjeteve elektrike ishte e lehtë për t'u nisur, më e qetë dhe më e pastër se sa ato me avull dhe benzinë. Por, automjetet e hershme elektrike ishin të shtrenjta për t'u prodhuar dhe për pasojë sasia e tyre ishte e kufizuar.

 Teksa motori me benzinë evoluoi duke lënë prapa epokën e çikrikut të rëndë të ndezjes dhe rrugët e reja ftonin shoferët të shkonin në aventura në distanca të gjata në fillim të viteve 1900, automjeti me benzinë filloi të ngrihej në krye si zgjedhja e favorizuar e konsumatorit.

Kur prodhuesi i automobilave Henry Ford zgjodhi një motor me benzinë për modelin revolucionar Model -T, makinat elektrike dhe me avull mbetën pas.

Për 50 vjetët e ardhshëm, automejtet elektrike mbetën një teknologji kryesisht e vjetëruar. 

Në vitin 1973, vendet arabe prodhuese të naftës vendosën një embargo eksporti si përgjigje ndaj mbështetjes së SHBA-së për Izraelin gjatë luftës së Yom Kipurit. Kriza pasuese e energjisë ishte një shkëndijë që mori hov në zhvillimet që çuan në kthimin shkurtimisht të automjeteve elektrike më 1974.

Disa fotografi të mbajtura në arkivat e SHBA-së dhe Rusisë dhe të riprodhuara në këtë fotogaleri demonstrojnë vitin e automjeteve, që funksiononin me bateri, që papritur dolën në sipërfaqe.

Një adhurues i automjeteve elektrike e shpjegoi kthimin e veturave elektrike për një gazetar amerikan në prill të vitit 1974:

“Kriza energjetike e ka kthyer në përdorim automjetin elektrik...”, tha ai. "Njerëzit e kanë parasysh se furnizimi me naftë është i kufizuar dhe ata do të vazhdojnë të jenë të frikësuar".

SHBA-ja e mbështeti hapur luftën arabe të vitit 1973 kundër Izraelit dhe ekonomia sovjetike ishte relativisht e padëmtuar nga "tronditja e naftës". Por, derisa vendet perëndimore po garonin të zhvillonin automjetet elektrike, e ardhmja e transportit gjithnjë e më shumë kishte gjasa të ishte elektrike.​

Në prillin e vitit 1974, ministria e automobilave e Kremlinit shpalli se zhvillimi i automjeteve elektrike ishte një përparësi.

Një prototip i një automjeti elektrik sovjetik duke u mbushur me energji elektrike në Moskë në shkurt të vitit 1974.
Pavel Bludenov, një gazetar automobilizmi rus me bazë në Dubai, i tha Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Sovjetik ishte në një farë mënyre i pozicionuar mirë për të çuar para zhvillimin e automjeteve elektrike në vitet 1970.

“Dallimi i madh mes makinave perëndimore dhe atyre sovjetike [elektrike ose me benzinë]”, tha ai, ishte se inxhinierët e Bashkimit Sovjetik "nuk kishin nevojë të mendonin për efikasitetin dhe përfitimin komercial”.



Shoferë sovjetikë lidhin një "elektromobil" në shasinë e një kamioni UAZ më 1974.
Për dallim nga inxhinierët perëndimorë, të cilët u desh të bënin çmos për t’i bërë atraktive këto makina në tregun e lirë, homologët e tyre sovjetikë u mjaftuan vetëm të impresiononin një panel të vogël burokratësh se llojet e automjeteve që do të zhvillonin do të ishin të suksesshme.

Por, megjithëse disa prototipe sovjetike të automjeteve elektrike u lansuan në mes të krizës së naftës të viteve 1970, asnjëra nuk u miratua për prodhim masiv.

NIIAT-A923, një prototip furgoni elektrik i prodhimit sovjetik i fotografuar më 1974. Dizajni përfundoi me peshë të madhe dhe me të meta teknike që ishin të vështira për t'u kapërcyer me teknologjinë e baterive të asaj kohe. ​
Bludenov thotë se inxhinierët sovjetikë shpejt arritën në "të njëjtat probleme si automjetet elektrike në vendet e tjera: teknologjia nuk lejonte që këto modele të ishin të qasshme dhe praktike".

Inxhinierët e viteve 1970 po përballeshin me pengesat me të cilat ishin përballur paraardhësit e tyre 50 vjet më parë kur projektonin automjetet elektrike: distanca të shkurtra udhëtimi, kosto të larta të prodhimit dhe pesha e madhe e baterive.

Prototipet e furgonit elektrik transportues në Moskë në prill të vitit 1975.
Në mars të vitit 1974, qeveritë arabe i dhanë fund embargos së naftës që kishte tronditur botën dhe çmimet ranë shpejt. Megjithëse, "tronditja" e mëtejshme e naftës do të vinte në vitet 1970, prodhimi i makinave elektrike u kthye në një industri të vogël.

Ishte bërë e qartë se teknologjia e baterive thjesht nuk kishte arritur aq larg në gjysmën e shekullit të kaluar për të shmangur problemet fillestare të automjeteve elektrike.

Sirtari i baterive në një mjet transporti elektrik të prodhimit sovjetik.
Do të duhej zhvillimi novator i baterive të fuqishme dhe relativisht të lehta litium-jon për të bindur inxhinierët, përfshirë miliarderin e teknologjisë Elon Musk, që të eksplorojnë sërish mundësinë që makinat të funksionin me energji elektrike.

Testimi i një furgoni elektrik në Moskë në shtator të vitit 1975.
Bateria e parë litium-jon u prezantua në vitin 1991, në të njëjtin vit që u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

Prodhuesit e automjeteve në Rusi dhe gjetkë në ish-Bashkimin Sovjetik në atë kohë ishin të fokusuar në mbijetesë dhe jo në inovacione të shtrenjta.

Një Lada Vaz-2801 elektrike e fotografuar në janar të vitit 1984. Një lloj i tillë i veturave elektrike ishte bërë për herë të parë më 1975 dhe u prodhuan gjithsej 47 automjete.
Bludenov thotë se ende është e mundur të gjenden gjurmë të zhvillimit të hovshëm të veturave sovjetike elektrike të prodhuara gjysmë shekulli më parë.

Ndërsa vizitoi fabrikën e pajisjeve bujqësore Rostselmash në Rostov mbi Don më 2021, ai tha: "U befasova kur pashë kamionë teknikë të epokës sovjetike që punonin me energji elektrike atje! Ata janë ende në funksion".

Lini një Përgjigje