FOTOT: Një resort luksoz me kabina treni

5 Shkurt 2023, 15:08Lifestyle TEMA

FOTOT: Një resort luksoz me kabina treni

Trenat kanë qenë prej kohësh një formë transporti shumë e preferuar për udhëtarët, duke i lejuar ata të shijojnë panorama e peizazhe të shumta. Tajlanda është një nga ato vende me traditë sa i takon shfrytëzimit të linjave hekurudhore. Rreth viteve 1900, banorët e Bangkokut kapeshin nëpër vagonë për t’u arratisur nga qyteti drejt plazhit dhe zonave periferike. Tashmë, më shumë se 100 vjet më vonë, një resort i ri i projektuar nga Bill Bensley, i kthen vizitorët në magjinë e asaj epoke.


“InterContinental Khao Yai”, përbëhet nga më shumë se 65 suita e vila, si dhe përfshin një seri vagonësh treni të rinovuar e të shndërruar në akomodime luksoze. Rreth dy orë e gjysmë larg nga Bangkoku, resorti u frymëzua nga historia tajlandeze e hekurudhës, gjatë mbretërimit të Rama V (1868-1910). Për këtë arsye, vizitorët pushtohen nga atmosfera e së kaluarës sapo hyjnë në hotel, i cili në vetvete i ngjan një terminali klasik trenash.


Sfidat logjistike


Në rastin e “InterContinental Khao Yai”, Bensley thotë se dashuria e tij e përjetshme për udhëtimin me tren ndikoi në dizajn. Ai ka udhëtuar në shumë trena të mëdhenj luksozë në kontinente të ndryshme.

Kur rastësisht u ndesh me një numër të madh trenash të braktisur në Tajlandë, kuptoi se duhej të vepronte.


“Po shikoja të gjitha ato karroca e vagonë të ndryshkur e të vjetër dhe mendova me vete: Oh, Zot, janë duke u kalbur, duhet të bëjmë diçka! Gjashtë muaj më vonë, unë dhe ekipi im nisim të blinim shumë prej tyre, por më pas erdhi pjesa më e vështirë,”- tha Bill Bensley, projektuesi i resortit.


Transportimi i një grupi trenash të vjetër e të rëndë në peizazhin kodrinor të resortit rezultoi të ishte shumë sfidues. Ata u dërguan në destinacion përmes një vinçi të madh dhe puna hasi në shumë pengesa.

Pas kësaj faze, nisi projektimi i ambienteve që do të krijoheshin. Fillimisht, u mendua që vagonët dhe karrocat të shërbenin vetëm për akomodimin e njerëzve, por më pas disa prej tyre u përshtatën në suita luksoze, klube, hapësira për fëmijët, bare dhe restorante. Në resort gjendet gjithashtu edhe një pishinë e vogël.


Parku Khao Yai


Resorti Khao Yai tërheq vizitorë jo vetëm për veçantinë e strukturës së tij, por edhe për vendin ku është ndërtuar, pranë Parkut “Dong Phayayen-Khao Yai”. Ky park kombëtar është më i vjetri në Tajlandë dhe pyjet e tij mbrohen nga UNESCO.  


Shtigjet e ecjes në këto zona të gjelbra u japin mundësi turistëve të shijojnë bukuritë natyrore, si dhe ujëvarat e shumta. Një ndër to, Haew Narok, u bë e famshme nga Leonardo DiCaprio në filmin e vitit 2000 “The Beach”. Zyrtarët e parkut ofrojnë gjithashtu guida për të parë kafshët e egra, si elefantët, arinjtë, gibonët dhe tigrat.


Përveç këtyre eksperiencave, në të ardhmen, menaxherët e resortit, synojnë të organizojnë udhëtime me tren në fundjavë, gjatë të cilave, të ftuarit do të marrin pjesë në mbrëmje me maska dhe do të luajnë skenën e famshme “Vrasje në Orient Express”.

Lini një Përgjigje