Një ish-oficere burgu në Mbretërinë e Bashkuar është kthyer në një nga historitë më të pazakonta dhe të komentuara ndërkombëtarisht, pasi u dënua me tre vjet e gjysmë burg për shkelje të rënda të detyrës që tronditën sistemin penitenciar britanik.
Isabelle Dale, vetëm 23 vjeçe, u shpall fajtore pasi doli në dritë se kishte krijuar marrëdhënie intime me dy të burgosur, si edhe kishte tentuar të fuste drogë sintetike brenda qelive, ndërsa ishte në detyrë në burgun HMP Coldingley në Surrey.
Sipas hetimeve, një nga episodet më tronditëse kishte ndodhur në dhomën e lutjeve të burgut, ku marrëdhënia u krye ndërsa të burgosur të tjerë shërbenin si roje, për të shmangur zbulimin. Rasti u zbulua pas analizimit të mesazheve, letrave dashurie dhe fotove komprometuese që u gjetën gjatë hetimit.
Por historia nuk mbaron këtu. Prokuroria zbuloi gjithashtu se Dale ishte përfshirë në planifikimin e futjes së drogës “Spice” në burg, duke përdorur metoda për të shmangur kontrollet e sigurisë. Në makinën e saj u gjetën materiale të përdorura zakonisht për kontrabandë.
Rasti u bë edhe më i pazakontë kur u mësua se ish-oficerja kishte tatuazhuar pseudonimin e njërit prej të burgosurve dhe mbante një unazë premtimi, duke e kthyer historinë në një fenomen që pushtoi mediat dhe rrjetet sociale në mbarë botën.
Gjykata e cilësoi sjelljen e saj si “një shkelje serioze të besimit publik dhe një rrezik për sigurinë e burgut”, duke theksuar se rasti përbën një nga skandalet më të rralla dhe më tronditëse në burgjet britanike./E.K
Burim: The Independent
Lini një Përgjigje