Mauro Icardi fiton betejën gjyqësore ndaj ish-bashkëshortes: Gjykata vendos se ajo është më e pasur se futbollisti

5 Qershor 2026, 10:05Lifestyle TEMA
Mauro Icardi fiton betejën gjyqësore ndaj ish-bashkëshortes:

Futbollisti argjentinas Mauro Icardi ka shënuar një fitore të rëndësishme në përplasjen ligjore me ish-bashkëshorten e tij, Wanda Nara, një nga figurat më të njohura të showbiz-it argjentinas dhe ish-menaxhere e karrierës së tij.

Sipas mediave argjentinase, gjykata në Milano ka rrëzuar kërkesën e Narës për të përfituar pension ushqimor (aliment) nga Icardi, pasi vlerësoi se ajo ka të ardhura dhe pasuri më të mëdha se vetë futbollisti.

Çështja nisi kur Wanda Nara iu drejtua gjykatës italiane duke kërkuar mbështetje financiare nga ish-bashkëshorti i saj. Megjithatë, pas shqyrtimit të dokumenteve financiare të të dyja palëve, gjykata arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë kushtet ligjore që ajo të përfitojë aliment personal.

“Pas analizimit të situatës financiare të Wandës, gjykata vendosi se Mauro Icardi nuk ka detyrim t’i paguajë aliment, pasi ajo disponon të ardhura të konsiderueshme dhe një pasuri të madhe”, deklaroi Lara Piro, një nga avokatet e futbollistit.

Por vendimi nuk u ndal vetëm te refuzimi i kërkesës së Narës. Gjykata vendosi gjithashtu se, duke qenë se të dy kanë mundësi të forta ekonomike, shpenzimet për rritjen dhe mirëmbajtjen e fëmijëve duhet të ndahen në mënyrë të barabartë mes tyre.

Sipas avokatëve të Icardit, Wanda Nara kishte tentuar të pezullonte procesin gjyqësor dhe kishte kërkuar që çështja të shqyrtohej sipas ligjit argjentinas, por kërkesat e saj u refuzuan.

Në vendimin përfundimtar, gjyqtarja theksoi se Nara është ende në moshë aktive pune, ka aftësi profesionale të provuara dhe gjeneron të ardhura të konsiderueshme, çka përjashton nevojën për mbështetje financiare nga ish-bashkëshorti.

Ndërkohë, gjykata vuri në dukje se të ardhurat e Icardit varen nga kontratat sportive dhe performanca e tij si futbollist profesionist, ndërsa e ardhmja e tij pas përfundimit të kontratës me Galatasaray mbetet ende e paqartë.

Vendimi konsiderohet një goditje e fortë ligjore për Wanda Narën, e cila tashmë pritet të përqendrohet në proceset e tjera gjyqësore që vazhdon të ketë me Mauro Icardin në Argjentinë.

Lini një Përgjigje