Një mësuese britanike është kthyer në sensacion në rrjetet sociale pasi ka shpjeguar hapur arsyet pse nuk planifikon t’i dërgojë fëmijët e saj në shkollë tradicionale, duke zgjedhur në vend të saj edukimin në shtëpi.
Emily Bute, mësuese me përvojë në sistemin arsimor publik, ka ndarë mendimet e saj përmes një videoje në TikTok, e cila u përhap me shpejtësi dhe ndezi debate të shumta mes prindërve dhe profesionistëve të arsimit. Ajo thekson se vendimi i saj nuk përbën një kritikë direkte ndaj shkollës publike, por është një zgjedhje personale e bazuar në përvojën e saj shumëvjeçare në arsim.
Sipas Bute, edukimi në shtëpi u jep fëmijëve mundësinë të mësojnë në grupe të vogla, të kenë mësim të personalizuar dhe të zhvillojnë më lirshëm kuriozitetin, kreativitetin dhe lidhjen me natyrën. Ajo shton se sistemi tradicional shpesh është i ngarkuar me programe të ngjeshura dhe testime të standardizuara, duke lënë pak hapësirë për mësim praktik dhe eksplorues.
Megjithatë, mësuesja thekson se homeschooling nuk është zgjidhje për të gjithë. Në raste kur familjet nuk kanë mundësi ta ndjekin këtë formë edukimi çdo ditë, ajo nuk përjashton alternativa si shkollat private apo modelet Montessori.
Deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku disa prindër e mbështesin qasjen e saj, ndërsa të tjerë mbrojnë rëndësinë e shkollës tradicionale si mjedis socializimi për fëmijët./E.K
Burimi: Yahoo News
Lini një Përgjigje