Në pak muaj feston 100-vjetorin: Legjenda e komedisë Mel Brooks zbulon sekretin e jetëgjatësisë

22 Janar 2026, 16:39Lifestyle TEMA
Në pak muaj feston 100-vjetorin: Legjenda e komedisë Mel Brooks zbulon

Nga Lizzie Hyman (People)

Mel Brooks, legjenda pas klasikëve të komedisë si The Producers dhe Young Frankenstein, beson se fakti që ka arritur moshën 99-vjeçare nuk është aspak rastësi.

Fituesi i çmimeve Oscar, Grammy, Tony dhe Emmy (EGOT) thotë se ka një arsye pse ai dhe dy nga miqtë e tij më të ngushtë, po ashtu ikona të komedisë, Carl Reiner dhe Sid Caesar, të cilët u ndanë nga jeta në vitet 2020 dhe 2014, jetuan të gjithë deri në të 90-at.
“Ne qeshnim shumë,” tregon Brooks për PEOPLE. “Mendoj se të qeshurit të mban të shëndetshëm dhe të lumtur.”

Për gati 80 vite, Brooks ka bërë pikërisht këtë: ka qeshur dhe ka sjellë gëzim për publikun. Jeta dhe trashëgimia e tij eksplorohen në dokumentarin e ri dy-pjesësh të HBO-së, Mel Brooks: The 99-Year-Old Man!, i cili kombinon intervista me Brooks, familjarë, miq dhe pamje arkivore. Ai shprehet se dëshira për t’i bërë njerëzit të lumtur ka qenë gjithmonë forca që e ka shtyrë përpara dhe vazhdon ta motivojë çdo mëngjes.

“Është një ndjesi e jashtëzakonshme të dëgjosh njerëzit duke qeshur me diçka që kam krijuar,” thotë ai. “Komedia është një punë e mrekullueshme. Të mban të kthjellët dhe të lumtur. Të jep një arsye për të jetuar.”

Por e qeshura nuk është i vetmi faktor që Brooks ia atribuon jetës së tij të gjatë dhe të suksesshme. Ai thekson edhe guximin, një tipar që thotë se e ka trashëguar nga e ëma. I lindur më 28 qershor 1926 në Brooklyn me emrin Melvin Kaminsky, Brooks ishte më i vogli nga katër djemtë. Babai i tij ndërroi jetë kur ai ishte vetëm 2 vjeç, duke lënë nënën, Kate Kaminsky, të rrisë e vetme katër fëmijë.

“Ajo ishte një shembull i jashtëzakonshëm guximi,” thotë Brooks. “Humbi bashkëshortin shumë herët dhe rriti katër fëmijë e vetme. Një jetë e mbushur me kurajo.”

I njëjti guxim u shfaq edhe kur Brooks, në moshën 17-vjeçare, la përkohësisht ëndrrat për komedi dhe iu bashkua ushtrisë amerikane, duke shërbyer në frontin europian gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ia dola gjatë luftës sepse i bëja shokët e mi të ushtrisë të qeshnin,” rrëfen ai.

Pas luftës, Brooks ndërtoi një nga karrierat më me ndikim në historinë e komedisë. Ai bashkëkrijoi serialin e famshëm Get Smart, fitoi Oscar për skenarin e The Producers dhe drejtoi dy filma ikonë në vitin 1974: Blazing Saddles dhe Young Frankenstein.
“Blazing Saddles ishte filmi i parë i madh hapur kundër racizmit, në një kohë kur kjo nuk ishte aspak e zakonshme,” thotë djali i tij, Max Brooks. “Babai im ka pasur gjithmonë guxim të jashtëzakonshëm. Ai është një gjeni i vërtetë.”

Edhe bashkëpunëtorët e tij ndajnë të njëjtin mendim.
“Mel Brooks është më i madhi i të gjitha kohërave, ‘Guri i Rozetës’ i komedisë,” thotë Judd Apatow, bashkë-regjisor i dokumentarit. “Na duhet mençuria e njerëzve si Mel.”
Ndërsa bashkë-regjisori Michael Bonfiglio e përshkruan atë si “një thesar kombëtar”.

I rrethuar nga familja, miqtë dhe një jetë plot krijimtari, Brooks reflekton me humor mbi atë që ende shpreson të arrijë:
“Mendoj se i kam bërë pothuajse të gjitha,” thotë ai. “Nëse kam lënë diçka pa bërë, nuk ka qenë faji im.”

Episodi i parë i dokumentarit Mel Brooks: The 99-Year-Old Man! transmetohet më 22 janar në HBO Max, ndërsa episodi i dytë më 23 janar. Të dy episodet do të jenë të disponueshme për transmetim online që nga 22 janari./E.K

Burimi: PEOPLE

1 Komente

  1. X
    Xy

    Ne japoni Ka me 1000 njerz 100vjeqare dhe kurre s'kishin qeshur por ishin te sinqert me njeriun dhe natyren....une skame pare kurre komedian humanitare dhe te sinqert ....ne ballkan te mos them QE shumica Jane pedofile....leni pordheet e demagogave....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje