Pse janë aktorët politikë në TikTok?

20 Prill 2024, 10:45Politika TEMA
Pse janë aktorët politikë në TikTok?

“Nuk do të kërcej. E premtoj”.

Këtë garanci dha kancelari gjerman Olaf Scholz pak ditë më parë, duke i bërë parapritë pritshmërive të opinionit publik mbi çka do të shihet në llogarinë e tij në TikTok.

Edhe sepse ekziston dijenia se aty çfarë nuk ndodh.

Teksa Scholz ka marrë automatikisht ‘titullin’ e liderit të fundit perëndimor që i bashkohet platformës, zëdhënësi i tij siguroi se kanali i ri “rrit ofertën e informacionit për qytetarët, të cilët gjithnjë e më shumë informohen dhe diskutojnë politikën në TikTok”.

Pikëpamjen në fjalë, një vit më parë, e ka vërtetuar edhe një raport i Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë.

Raporti asokohe zbuloi se më pak njerëz i besonin medias tradicionale. Më shumë i drejtoheshin TikTok-ut për lajme.

Çka ngre shumë pikëpyetje duke marrë parasysh se mediat ‘e reja’, këto sociale, nuk e gëzojnë sigurinë e një burimi të sigurt informimi.

Por ekipet e PR-it të aktorëve politikë, s’kanë si e lënë në hije këtë ‘pushtet’ të TikTok-ut, sidomos kur dihet se përfaqëson median sociale më popullore. Veçanërisht mes të rinjve.

Me të qenit aktiv në platformë, ata konkretizojnë atë që në terma të marketingut politik merr formën e strategjisë së “të shkuarit atje ku është audienca”. Por, ngjashëm siç i njihen avantazhet, kjo rrugë jo pak herë del me mangësi.

Ndërkohë, as Shqipëria nuk i ka shpëtuar këtij trendi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu bashkua platformës që në vitin 2021, duke ngarkuar periodikisht video në të nga takimet zyrtare, daljet apo punët publike, nga të cilat dallohet kohët e fundit bashkëshoqërimi i tyre me këngë komerciale që i japin atyre një dimension më pak formal. E më shumë argëtues.

Ai numëron – në momentin që është shkruar artikulli – mbi 109 mijë ndjekës dhe 1.4 milionë pëlqime.

Ndërkohë, nga pala opozitare, më së shumti aktiv në TikTok është ish-kryeministri Sali Berisha, me 52 mijë ndjekës dhe mbi 720 mijë pëlqime.

Fushtata e tij aty – siç do ta quanin specialistët e PR-it – është kryesisht negative, më fokus te kundërshtarët politikë.

Por pse e kanë të nevojshme politikanët dukjen në TikTok?

Siç u përmend edhe më sipër, duke qenë se platforma ka një bazë të fortë të rinjsh që janë aktiv, kjo e dhënë mund të shfrytëzohet nga aktorët politikë për t’i pasur ata në target.

Në Shqipëri, në zgjedhjet vendore të 14 majit, u vërejt një tkurrje e numrit të votuesve për herë të parë.

Nga 122 mijë e 545 zgjedhës që votonin për herë të parë më 14 maj, sipas të dhënave të raportuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 16 mijë e 628 prej tyre e ushtruan të drejtën e votës.

Por TikTok-u, paçka synimeve të atyre që bëhen pjesë e tij – nuk e ka ‘biografinë’ shumë të pastër.

Në një sfond më të gjerë – ai është nën kontroll në rritje në Perëndim.

E gjitha kjo për shkak të shqetësimit se të dhënat e përdoruesve nga aplikacioni në pronësi të kompanisë me bazë në Pekinm ByteDance, mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze.

Agjencitë gjermane të sigurisë kanë paralajmëruar kundër përdorimit të aplikacionit për shqetësimet se mund të ndajë të dhëna me qeverinë e Kinës ose të përdoret për të ndikuar tek përdoruesit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq, ligjvënësit duan të detyrojnë një shitje të platformës nga kompania mëmë kineze ose ta ndalojnë atë nga dyqanet e aplikacioneve.

Ama, nga ana e vet, TikTok vijon të pohojë se paralajmërimet e sigurisë janë të pajustifikuara dhe se nuk mbledh më shumë informacion se aplikacionet e tjera.

TikTok – për t’i adresuar këto ‘frikëra’ – ka nisur një faqe për të ruajtur të dhënat e përdoruesve evropianë në Dublin vitin e kaluar.

Po ashtu ka punësuar një firmë sigurie të palëve të treta për të monitoruar rrjedhat e të dhënave.

Ndërkohë, ByteDance ka mohuar përdorimin e platformës për spiunazh.

Megjithatë, shqetësimi mbetet.

Njëjtë mbetet edhe pyetja se pse duhet të jetë një platformë argëtimi si TikTok-u burimi i informimit të qytetarëve? (Albanianpost.com)

Lini një Përgjigje