Bridgit Mendler, e njohur dikur për rolet e saj në Disney Channel, sidomos në serialin Good Luck Charlie, ka bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm në karrierë. Kohë më parë, ajo u bë CEO dhe bashkëthemeluese e Northwood Space, një startup që fokusohet në përmirësimin e komunikimit midis hapësirës dhe Tokës.
Në një intervistë të mëparshme, Mendler shpjegoi se kompania synon të adresojë nevojën në rritje për antena tokësore për shkak të numrit të madh të satelitëve në orbitë.
Ajo u bë e famshme si aktore dhe këngëtare, por më pas la pas botën e shoubizit për t’u fokusuar në arsimin e lartë. Në vitin 2020, ajo mori një master nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe më 2024 përfundoi studimet ligjore në Harvard Law School.
Mendler themeloi Northwood Space së bashku me bashkëshortin e saj, inxhinierin hapësinor Griffin Cleverly, i cili shërben si CTO i kompanisë. Ata filluan eksperimente me teknologjinë e antenave gjatë pandemisë COVID‑19 dhe krijuan një prototip duke përdorur materiale të thjeshta, për të transmetuar me sukses një foto nga një satelit hapësinor.
Që nga fillimi, kompania ka tërhequr më shumë se 30 milionë dollarë investime, duke zhvilluar antena të lehta dhe të transportueshme që janë rreth 10 herë më të fuqishme se antenat konvencionale. Synimi është të zgjerohet infrastruktura globale e komunikimit hapësinor dhe të sjellë internetin dhe transmetimin e të dhënave në më shumë zona të botës.
Në fjalët e saj: “Ka një hendek mes numrit të satelitëve që po dërgohen në orbitë dhe numrit të antenave në Tokë…”- duke shpjeguar rëndësinë e punës së kompanisë në këtë sektor./ E.K
Burimi: People
Lini një Përgjigje