Alibeaj: Protesta ka rrëzuar mitin e opozitës, qytetarët nuk besojnë më te teatri Rama-Berisha

7 Korrik 2026, 07:30Politika TEMA
Alibeaj: Protesta ka rrëzuar mitin e opozitës, qytetarët nuk

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj e konsideron protestën një fenomen të paprecedentë në historinë politike të Shqipërisë. Në një intervistë për Albania News Cast me gazetarin Arbër Hitaj, ai vlerësoi rezistencën dhe karakterin qytetar të lëvizjes, duke thënë se ajo ka bashkuar njerëz me bindje të ndryshme politike dhe ka treguar se qytetarët kanë kapërcyer ndarjen tradicionale mes PS-së dhe PD-së.

Sipas Alibeajt, protesta ka prodhuar tashmë disa efekte politike, duke dobësuar si mazhorancën ashtu edhe opozitën, ndërsa ka nxjerrë në pah nevojën për një alternativë të re politike. Ai jep edhe dy skenarët se si mund të bjerë kryeministri Edi Rama.

"Kjo protestë ka rrëzuar mitin e opozitës dhe ka treguar se qytetarët nuk besojnë më te teatri politik Rama-Berisha. Por duhet të jemi realistë: Edi Rama nuk do ta japë dorëheqjen vullnetarisht. Ligjërisht ka dy rrugë. E para, kryeministri jep dorëheqjen dhe Presidenti shpall zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve. E dyta, një grup deputetësh të Partisë Socialiste bashkohet me opozitën për të votuar një qeveri teknike ose kujdestare, pa kaluar domosdoshmërisht në zgjedhje të menjëhershme. Këto janë dy skenarët kushtetues që mund ta largojnë Ramën”, thotë Alibeaj.

Alibeaj u ndal edhe te Partia Demokratike, për të cilën tha se protesta e ka nxjerrë jashtë vëmendjes politike. Sipas tij, zhvillimet e fundit në selinë blu, përfshirë zgjedhjen e kryesisë së re, nuk zgjojnë më interes publik, pasi problemi mbetet drejtimi i partisë nga Sali Berisha.

"Nuk ka më asnjë lloj vlere, nuk ka më asnjë interes. Për sa kohë aty vazhdon të jetë po i njëjti individ, atë parti do ta marrë me vete në fundin e vet politik. Kjo protestë e ka rrëzuar mitin e opozitës. Kanë 35-36 ditë që nuk shoh të bëjë lajm asgjë nga selia e Sali Berishës."

Ish-deputeti kritikoi edhe partitë e reja, duke thënë se ato nuk arritën ta kapitalizojnë politikisht protestën, pasi sipas tij tentuan ta shfrytëzonin për protagonizëm individual. Ai argumentoi se protesta nuk duhet të shndërrohet në një parti të vetme, por në një "ombrellë" që bashkon të gjitha rrymat qytetare dhe politike kundër sistemit aktual.

Lini një Përgjigje