Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në Luksemburg në takimin e mëngjesit me ministrat për Çështjet Evropiane të Bashkimit Evropian, në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, ku në fokus ishte nisma “Democracy Shield”.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se shoqëritë demokratike po përballen gjithnjë e më shumë me sfida të lidhura me dezinformimin, manipulimin e informacionit, ndërhyrjet e huaja dhe kërcënimet hibride.
Ai u shpreh se forcimi i qëndrueshmërisë së përbashkët është më i rëndësishëm se kurrë, duke vënë theksin te bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe hapësirës së informacionit.
Hoxha deklaroi se Shqipëria mirëpret hapjen e mekanizmave evropianë të rezistencës për vendet kandidate, si pjesë e procesit të integrimit gradual në BE, dhe mbetet e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë.
“Në botën e sotme, faktet mbeten vija e parë e mbrojtjes së demokracisë”, shkroi ai, duke theksuar rëndësinë e medias së lirë, qytetarëve të informuar dhe shoqërisë civile aktive.
Sipas tij, mungesa e aftësisë së qytetarëve për të njohur dhe për t’i rezistuar manipulimit në rrjetet sociale mund të dëmtojë besimin publik dhe kohezionin shoqëror, ndaj mbrojtja e demokracisë është një përgjegjësi e përbashkët.
Lini një Përgjigje