KQZ e vlerëson me 81 lekë çmimin e një vote në zgjedhjet e 14 majit

24 Gusht 2023, 17:51Politika TEMA
KQZ e vlerëson me 81 lekë çmimin e një vote në

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, përcaktoi të enjten vlerën në para të një vote të vlefshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.

“Vlera në para e një vote të vlefshme është 81 lekë,” thuhet në vendim.

Vlera e një vote përcakton ndarjen e fondeve publike për partitë parlamentare në zgjedhjet e ardhshme vendore, sipas votave që ato kanë marrë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Nga fondet shtetërore përfitojnë ato subjekte që kanë arritur të marrin mbi 1% të votave të vlefshme dhe në bazë të numrit të votave ndahen dhe fondet e ardhshme për partitë.

Në zgjedhjet e fundit vendore janë 13 subjekte që kanë kaluar pragun 1% dhe për herë të parë Partia Demokratike, e cila u fut e përçarë në këto zgjedhje,  nuk është partia më e madhe e opozitës.

Ajo renditet pas Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që kryesohej nga Partia e Lirisë.

Kodi Zgjedhor parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, brenda 10  ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të 1 vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.

“Për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi”- thuhet në vendimin e KQZ-së.

Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 ishte 100 milion lekë.

Ky fond u pjesëtua me numrin në total të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse, numër që sipas KQZ-së është 1.242.641 vota.(BIRN)

1 Komente

  1. N
    Ndoci

    Ore, cdo shkrese qe firmos ky Qelibashi duhet doemos te dale para kamerave.. qfar karieristi qenka..vdes per pak propogande qe te duket se eshte gjalle dhe eshte dikushi..

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje