Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ka dërguar një letër të gjitha përfaqësive dhe organizatave të huaja në Shqipëri, përmes së cilës kërkon monitorim të seancës gjyqësore të 8 majit, ku Gjykata Administrative do të marrë vendim për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados prokuror.
Në letër ai fton ambasadat e huaja të dërgojnë monitorues në seancë. Mes të tjerash ai shkruan:
“Dado nuk ka qenë kurrë i kualifikuar për të qenë prokuror dhe emërimi i tij në një pozicion të tillë në vitin 2008 ka qenë absolutisht i pavlefshëm. Për rrjedhojë, z. Dado nuk ka pasur kurrë autoritetin të hetojë, të akuzojë dhe të ndjekë penalisht çështjen time dhe veprimet e tij si prokuror duhet të shpallen të pavlefshme ab initio”.
Letra e plotë e Veliajt:
Tiranë, 30.04.2026
Komunitetit Ndërkombëtar:
Ju shkruaj për t'ju tërhequr vëmendjen mbi një sfidë ligjore të rëndësishme që është duke u zhvilluar në Shqipëri dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj në monitorimin aktiv të procedurave para Gjykatës Administrative në Tiranë, e cila ka në shqyrtim këtë çështje. Në një seancë të planifikuar për të premten, 8 maj 2026, gjykata pritet të shqyrtojë çështjen nëse Ols Dado, prokurori kryesor në çështjen time penale, është emëruar rregullisht sipas legjislacionit shqiptar për të ushtruar funksionin e prokurorit. Duke pasur parasysh impaktin e lartë të kësaj çështjeje në sundimin e ligjit dhe demokracisë në Shqipëri, ju bëj thirrje të ndiqni dhe në përputhje me praktikat e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë t'i kërkoni Gjykatës Administrative të transmetojë drejtpërdrejt seancën e 8 majit.
Në shkurt të këtij viti, nisa një veprim ligjor për të kontestuar vlefshmërinë e emërimit të z. Dado në vitin 2008 si Prokuror. Sipas legjislacionit shqiptar, një kandidat për prokuror është i detyruar të plotësojë një sërë kërkesash kryesore dhe përjashtimore, duke përfshirë përfundimin e Shkollës së Magjistraturës, përveç rastit kur ky kriter përjashtohet. Kontestimi im ligjor argumenton se z. Dado është emëruar në mënyrë të paligjshme si prokuror, për shkak se ai as e ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, e as kriteret përjashtimore. Duke dështuar në plotësimin e këtyre kushteve, z. Dado nuk ka qenë kurrë i kualifikuar për të qenë prokuror dhe emërimi i tij në një pozicion të tillë në vitin 2008 ka qenë absolutisht i pavlefshëm. Për rrjedhojë, z. Dado nuk ka pasur kurrë autoritetin të hetojë, të akuzojë dhe të ndjekë penalisht çështjen time dhe veprimet e tij si prokuror duhet të shpallen të pavlefshme ab initio.
Z. Dado i është përgjigjur kontestimit tim me përçmim, duke i parashtruar Gjykatës Administrative se unë nuk kam "legjitimimin" e duhur për të paraqitur kërkesën time, për shkak se emërimi i tij, sado i metë që të jetë, nuk ka shkelur apo cenuar të drejtat dhe interesat e mia personale. Ai nuk e kundërshton faktin se sipas ligjit, i mungojnë kualifikimet për të qenë prokuror. Por ai pret që gjykata të ndjekë qasjen "nuk ka dëm, nuk ka faj", duke hedhur poshtë dhe fshirë kërkesën time në fshehtësinë e një salle gjyqësore me dyer të mbyllura, pa ofruar një arsyetim të plotë për vendimin e saj dhe larg vëmendjes së publikut shqiptar dhe komunitetit ndërkombëtar.
Roli i një prokurori është i madh dhe i fuqishëm. Një prokuror ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e qytetarit të zakonshëm sesa pothuajse çdo person tjetër në Shqipëri. Nëse një prokuror dëshiron të hetojë dikë, ai ka fuqinë të përcaktojë fushëveprimin dhe shtrirjen e çështjeve për t'u hetuar, si dhe mënyrën private apo publike në të cilën kryhet një hetim i tillë. Ai gëzon diskrecion të gjerë mbi cilat vepra penale t'i atribuojë dikujt, dhe nëse do ta mbajë atë person të ndaluar gjatë procesit gjyqësor. Prokurorët që nuk janë të përshtatshëm për pozicionin janë veçanërisht të prirur të veprojnë nga motive të ulëta, të abuzojnë me pushtetin dhe të shkaktojnë dështim të drejtësisë. Prandaj, procesi i emërimit të prokurorëve të kualifikuar dhe të përgjegjshëm është thelbësor për një demokraci të shëndetshme dhe funksionale.
Është e vështirë të kuptohet se si të drejtat dhe interesat e mia nuk janë dëmtuar nga emërimi i paligjshëm i z. Dado. Ky emërim i dha atij një pushtet të gjerë, të cilin ai e ushtroi më pas në mënyrë të pakufizuar, arbitrare dhe ndëshkuese. Bazuar në kallzime të paraqitura nën emra të rremë, z. Dado nisi një hetim të stërzgjatur që ndërhyri në pothuajse çdo aspekt të jetës sime. Anëtarët e familjes sime dhe unë i nënshtroheshim marrjeve të gjata në pyetje, shpesh rreth ngjarjeve të ndryshme dhe të parëndësishme që paraprinin shërbimin tim publik me dekada. Sendet personale u sekuestruan nëpërmjet bastisjeve të pakufizuara.
Vitin e kaluar, me kërkesën e z. Dado, një gjykatë vendosi një masë sigurie personale "arrest në burg" pa afat të përcaktuar, edhe pse nuk më ishte ngarkuar kurrë asnjë akuzë penale. Më pas, ai këmbënguli që unë të mbahesha i ndaluar gjatë gjithë procesit gjyqësor, edhe pse plotësoja kushtet për lirim me kusht edhe pse të 17 të bashkëakuzuarit e mi u liruan me kusht. Për 14 muajt e fundit, kam qenë në burg duke pritur gjyqin, ndërsa z. Dado ka bllokuar aksesin në prova, ka ndaluar avokatët e mi të takohen me mua dhe ka ndërhyrë në aftësinë time për të përgatitur një mbrojtje të përshtatshme. Që nga dita kur nisi hetimin e tij në vitin 2023, z. Dado ka diktuar kushtet e lirisë sime, privatësisë sime, marrëdhënieve të mia personale, dhe detyrimeve që unë kam ndaj zgjedhësve të mi. Rasti im është një shembull tipik i mënyrës se si keqpërdorimi i pushtetit nga një prokuror i pakualifikuar mund të çojë shpejt në shkeljen e të drejtave të dikujt.
Në thelb të saj, kjo çështje shqyrton burimin nga i cili një prokuror merr autoritetin e tij të gjerë për të hetuar, akuzuar dhe ndjekur penalisht krimin në Shqipëri. Sistemi ynë në Shqipëri kërkon që prokurorët të plotësojnë kualifikimet minimale, sepse njeh faktin se prokurorët e pakualifikuar mund t'u shkaktojnë dëm të rëndë të pandehurve dhe sundimit të ligjit në përgjithësi. Pikërisht për këtë arsye ndryshimet kushtetuese të Shqipërisë kanë përfshirë një procedurë për vetting-un e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ardhshëm. Ky proces vetting-u synon të ndajë të kualifikuarit nga të pakualifikuarit dhe ata që mund të besohen të ushtrojnë diskrecionin prokurorial me përgjegjshmëri nga ata që ka të ngjarë ta përdorin atë në mënyra të gabuara dhe arbitrare.
Kontestimi im ligjor nuk ka të bëjë vetëm me mua apo z. Dado. Është një përpjekje për të siguruar që republika jonë të ndjekë ligjin që rregullon emërimin e prokurorëve dhe për të korrigjuar çdo gabim në procesin e vetting-ut që rezulton në emërimin e kandidatëve të pakualifikuar. Kjo çështje nuk ndryshon nga kontestimet që të pandehur në demokraci të tjera funksionale jashtë Shqipërisë kanë ngritur për të bërë të pavlefshme emërimet e prokurorëve të pakualifikuar dhe për të hedhur poshtë çështjet e njollosura nga përfshirja e tyre. Në mënyrë të ngjashme edhe këtu, dështimi i z. Dado për të përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose për të siguruar një kriter përjashtues zbulon gabime të qarta në një proces vetting-u që në fund rezultoi në një emërim të metë.
Qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të dinë nëse prokurorët e tyre janë të kualifikuar dhe do të ushtrojnë kompetencat e tyre me diskrecion të shëndoshë. Kontestimi im ligjor kërkon të sjellë llogaridhënie për ata të cilëve u është besuar pushteti; të forcojë transparencën mbi fshehtësinë dhe të korrigjojë emërimin e paligjshëm të një prokurori të pakualifikuar. Çdo përpjekje e z. Dado për ta zgjidhur këtë çështje mbi baza thjesht teknike të "legjitimimit" duhet të refuzohet me forcë. Për hir të demokracisë së Shqipërisë, ju bëj thirrje të dërgoni përfaqësues nga organizata juaj për të ndjekur seancën e 8 majit para Gjykatës Administrative, për të monitoruar procedurat, dhe për të amplifikuar këtë çështje kritike në nivel global.
Sinqerisht,
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë së Tiranës
cc: Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri
Prania e OSBE-së në Shqipëri
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri
Ambasada e Austrisë në Shqipëri
Ambasada e Francës në Shqipëri
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri
Ambasada e Republikës së Italisë në Shqipëri
Ambasada e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri
Ambasada e Suedisë në Shqipëri
Ambasada Britanike në Shqipëri
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri
Habitem për një gjë, vërtetë të mos i shkojë në mëndje këtij njeriu se atyre që u është drejtuar mund t'ju lind si nevojë e domosdoshme të pyesin se për çfarë akuzohet ky njeri? Pastaj, vërtetë nuk e ka të qartë ky mashtrues dhe demagog i lindur, se edhe po të largohej Dado nga hetimi i çështjes së tij, dikush tjetër do e zëvëndsojë, duke mos ndryshuar me këtë rast asgjë në ecurinë e procesit të tij? Sepse ai e ka bërë publik aq shumë rastin, sa zor se mund të gjëndet prokuror të marrë përsipër të ndryshojë diçka në favor të tij pa marrë në konsideratë një rrisk mjaftë të lartë. Vetëm një avokat si Ndreca të cilit i ka fluturuar mëndja dhe ndjen kënaqësi për publicitet mund të vihet në mbështetje të kësaj strategjie që veç në humbje të çon. Çudi, paskësh qënë një qaraman i madh, pa pikën e dinjitetit, I cili si për çdo gjë, krijon në mënyrë artificiale një realitet tjetër vetëm për t'u shmangur nga të vërtetat që ka bërë dhe që hetuesit i kanë të dokumentuara.