Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka përshëndetur të dielën shpalljen e fituesit për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldre, duke e cilësuar projektin si një investim me rëndësi të veçantë për veriun e Shqipërisë.
Përmes një reagimi publik, Nufi u shpreh se ky zhvillim nuk ka rëndësi vetëm për qarqet e Lezhës dhe Shkodrës, por për të gjithë veriun e vendit, ndërsa e konsideroi atë si një premtim të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama.
“Lajmi për shpalljen e fituesit për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren mbart rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Qarkun e Lezhës, Qarkun e Shkodrës, por për mbarë Veriun e Shqipërisë. Një premtim i mbajtur nga Kryeministri Edi Rama dhe një investim strategjik që dëshmon vëmendjen e veçantë ndaj zhvillimit të zonave me potencial të madh ekonomik dhe social”, shkruan Nufi.
Sipas tij, projekti do të ndikojë në lidhjen më të mirë të komuniteteve, lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Ministri thekson se aksi Milot-Balldre është më shumë se një rrugë, pasi do të shërbejë si një korridor zhvillimi që do të sjellë më shumë biznes, investime dhe komunikim mes qytetarëve.
“Aksi Milot–Balldren nuk është thjesht një rrugë! Ai është një korridor zhvillimi që do të sjellë më shumë biznes, më shumë investime, më shumë komunikim mes njerëzve dhe më shumë mundësi për ekonominë lokale e kombëtare”, shprehet ai.
Nufi e cilëson nisjen e këtij projekti si një tjetër hap drejt një Shqipërie më të zhvilluar dhe më konkurruese, duke e konsideruar atë një tjetër premtim të mbajtur nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste.

E para,e keni shpallur fituesin,por nuk tregoni kush company e fitoi.E çuditshme.Tani,fillojne ministrat bejne hartime se sa e dobishme do jete kjo rruge kur te behet.Futja kot,propogande boshe,gjera qe dihen.Gjithashtu,nuk thoni kur do mbaroje e nga experinca besoj se do perfundoni mbas 4 vjetesh me letra,e 6-8 vjet realisht.
Po ky ministri i mbrojtjes ç'pati qe i ben reklama "puneve" te ministrive tjera?Apo i ka qene si dezhurn me patronazhistet,turni tretë?