Ndahet edhe Foltorja: Protesta nga baza për zgjedhjen e kreut të ri të FRPD-së

2 Tetor 2022, 20:46Politika TEMA

 

Ndahet edhe Foltorja: Protesta nga baza për zgjedhjen e kreut të ri

Debatet e brendshme në PD, sa herë ka zgjedhje,  nuk mundën të eliminohen edhe kësaj here, për zgjedhjen e kreut të  forumit rinor demokrat, paçka se në krye të PD-së është Berisha,  njeriu që ka dëshmuar se  udhëheq e kontrollon me dorë të hekurt proceset e brendshme të partisë .

Këtë e tregon edhe situate e krijuar pas zgjedhjes si kryetar i forumit rinor të PD të Besart Xhaferrit,  i cili ishte në garë bashkë me pesë kandidatë të tjerë.

Pasi është shpallur rezultati votimit zhvilluar të shtunën,  në rrjetet sociale të rinjtë e forumit kanë nisur një mori me denoncime për manipulime të procesit.

Denoncimet  lidhen me faktin se në këtë proces kanë votuar persona të cilët e kanë kaluar me kohë moshën për të qenë anëtar të këtij forumi.

“2022-1984 =38, voton për Forumin. E turpshme”, thuhet në një postim ku denoncohet një votues 38 vjeçar në Thumanë.

Me sa duket dëshira për të vijuar së ndjeri i ri, nuk është vetëm e këtij 38-vjeçari.

Një tjetër rast i denoncuar është edhe ai i një  tjetër votuesi  edhe ky nga Thumana me moshë 39 vjeçare.

“Si Luli mbushim kutitë, ama me llogari jemi më mirë. E turpshme”, thuhet në këtë denoncim.

I kontaktuar nga Top Channel, Xhaferri thotë se rezultati ishte i thellë dhe disa incidente të vogla nuk kanë ndikim. Edhe kandidati që doli i dyti në garë më uroi, shprehet Xhaferri, që shton se do të punojë me kolegët për të ndërtuar forumin e demokratëve.

“Besoj se rezultati është shumë i thellë që këto incidente të kenë ndikim. Megjithatë, çdo kuti e kontestuar të rinumërohet. Unë, kandidat si gjithë të tjerët kam qenë dhe vetëm një vëzhgues kam pasur. Paçka se disa individë të caktuar duan të hedhin baltë mbi garën time, fitoren, kontributet apo edhe personalitetin! Kandidati i dytë nga numri i votave më uroi suksese! E falenderoj dhe së bashku do ndërtojmë forumin”.

Nuk janë vetëm të rinjtë demokratë që kanë nisur valën e komenteve denoncuese shoqëruar me prova konkrete.

Maringlend Doci njëri prej 6 kandidatëve, përmes sarkazmës ia kërkon përgjegjësinë Sali Berishës.

“Gjatë fushatës për FRPD-në pata premtuar që në datën 2 do të jem përball regjimit që vjedh vota dhe manipulon zgjedhjet dhe të njëjtin qëndrim mbaj akoma. Siç ka thënë doktor Berisha mandatin e vjedhur nuk ta njohim”.

Shqetësimit të rinjve demokrat i është bashkuar edhe adhuruesja e Sali Berishës, Evi Kokalari e cila nuk kursehet së kritikuari doktorin kur ajo mendon se ka vend për kritikë.

E stërvitur në fushatën elektorale të ish presidentit Trump, Evi Kokalari një njohëse e mirë e mekanizmave elektoral,  ajo ngren pretendimin e manipulimit duke marrë si shembull Thumanën.

“Në listën më poshtë, nga 49 emra, 7 janë mbi moshën e duhur për të votuar – limiti është 35 vjeç.  18 veta nga kjo listë, nuk kanë as moshën të regjistruar. Pra, nga 49 emra, 25 votues nuk kualifikojnë.  Në liste ka gjithashtu të rinj që momentalisht gjenden jashtë shtetit.  Lista e plote kishte 70 votues. Ndërkohë Besarti ka marrë 90 vota.  Bëni llogaritë: 7×7=42.

Do vazhdoj thotë Evi Kokalari,  të postoj fakte dhe të tregoj manipulimet deri sa të shikoj që do ta merrni seriozisht këtë situate.

Analisti Edvin Kulluri një zë konstant kritik për situatën në PD dha këtë koment për Top Channel rreth këtij zhvillimi të fundit.

Evi Kokalari nuk i shpëtoi shënjestrës të deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj, i shquar për simbolikën që zgjedh për të komentuar.

“Si kometë u shfaq Kokalari në botën tonë të trazuar dhe tani po ikën duke lënë pas ankth e pasiguri, shumë mall , brengë, dilema. Pas ikjes se Konicës dhe Kadaresë kjo është e treta. Na premtoi rithemelimin por na la pendët e zhgënjyer e uruar”.

Lini një Përgjigje