Nga rajonet te bashkitë minoritare, Mazniku zbardh projektin e PS për Reformën Territoriale

16 Korrik 2026, 19:40Politika TEMA
Nga rajonet te bashkitë minoritare, Mazniku zbardh projektin e PS për

Socialistët nuk heqin dorë nga ulja e numrit të bashkive, edhe kur kjo ambicie “kërcënon” dialogun politik të kërkuar nga BE. 

“BE ka thënë më e mira është konsensusi, por edhe në BE, edhe në Shqipëri funksionon demokracia”.

A2CNN ka mësuar se mazhoranca do të paraqesë projektin që e ndan vendin mes 40 dhe 50 bashkive. Në një intervistë për A2, Arbian Mazniku, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, tregon se pse disa bashkive të vogla do t’u vihet dryni. 

“Krijimi i një numri më të vogël bashkish sesa ai që kemi sot, është parakusht për të pasur mundësi që bashkitë të kenë më shumë kompetenca. Disa bashki nuk kanë mundësi burimesh njerëzore, disa të tjerë nuk kanë banorë. Disa të tjerë nuk arrijnë të mbajnë veten financiarisht”, tha Mazniku. 

Përpos numrit të bashkive, vendit do t’i shtohet edhe një nivel i ri qeverisje. 4 rajonet janë të preferuarat e socialistëve: “Në këto momente, qarqet nuk preken. 4 rajonet janë më të duhurat”. 

Ndërsa në politikën e brendshme mund të manovrojnë, me dëshirat e fqinjëve për minoritetet, socialistët nuk bëjnë dot skenare: “Bashkitë minoritare nuk preken”.

Më bujare do të jetë “prekja” që do t’i bëhet Tiranës. Mazniku mendon që për kryeqytetin do të ketë një kapitull të veçantë për sa i përket funksioneve, ku po mendohet që t’i atashohet aeroporti ndërkombëtar. 

Socialistët i lënë një gjysmë dere hapur PD-së nëse do të reflektojë, edhe pse nga ana tjetër i kanë bërë planet edhe se si të shmnagim konsultimin publik, duke e sjellë në Kuvend draftin si nismë ligjore: “Duhet ta miratojmë ligjin në fund të muajit shtator dhe fillim të tetorit”.

Në fund të këtij sesioni, në seancën e 23 korrikut, Arbian Mazniku do të prezantojnë raportin e mazhorancës, ku do të bëhet publike numri i ri i bashkive të cilat do të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.  (A2 Televizion)

Lini një Përgjigje