“Toka bujqësore do përdoret edhe për vendosjen e teknologjisë”, Braçe përplaset me ministrin: Nuk kemi tokë pa fund, duhet për bujqësi, jo për industri

16 Korrik 2026, 14:50Politika TEMA
“Toka bujqësore do përdoret edhe për vendosjen e

Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” u shoqërua me replika në Kuvend, ku deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësime për përdorimin e tokave bujqësore për parqe fotovoltaike dhe eolike.

Braçe kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe jo të lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohen sipërfaqe të konsiderueshme të tokës bujqësore.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti projektligjin, duke argumentuar se ndryshimet synojnë modernizimin e sektorit bujqësor dhe përdorimin e teknologjive të reja, pa cenuar funksionin kryesor të tokës bujqësore, që sipas tij mbetet prodhimi.

Braçe: Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?

Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vendoset në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcakton që disa kritere të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregullat strikte.

Braçe: Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson ligji i ri që e kemi para. Nuk ka sanksionuar qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur që Këshilli i Ministrave vendos kufijtë e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit fotovoltaik dhe eolik. Kërkoj që në nenin 2, në pikën 6 të jenë të qarta dhe të përcaktuara kufijtë që ka vendosur vetë ligji për secilin park. Duhet një definicion më i qartë në ligj për këto kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjithë tokat bujqësore në të gjithë vendin dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Këto definicione që janë vënë në ligj nuk mbrojnë tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.

3 Komente

  1. A
    Analist

    Bravo mo Brace je i madh nuk duhet demtuar toka bujqesore qe ne si shtet e kemi shume te paket,per ibteresa re personave te caktuar qe sot kane para.Ky ligj eshte koruptiv mos e pranoni fare .Salla eshte thjesht nje zedhenes me vjen shume keq qe e pergojos ne nje shtet normal ministri i bujqesise i pari duhet te kundershtonte kete flame ligj.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nastradini

      Fakti eshte qe Ministri kur ka qene kryetar bashkie ne Cerik ka dhene toka bujqesore me qera per Met Hasen , kollovarin e Belinda Ballukut, per impiante fotovoltaike.

      Përgjigjjuni
      1. d
        daku

        Ligjet qe po devijojne perdorimin e tokes bujqesore per fotovoltaiket jane po aq kriminale sa ligji 7501. Brezat qe do vijne do te hane xhama fotovoltaike, do ushqehen me energji diellore dhe do pijne uje vetem kur te bjere shi.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje