Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një nismë të re për të mbështetur financiarisht organizata të shoqërisë civile, OJQ dhe institucione kulturore në Europë që promovojnë vlerat konservatore dhe sovraniste, raporton Financial Times.
Programi, i quajtur “Civilizational Bonds” (“Lidhjet e qytetërimit”), synon të forcojë grupet që mbështesin sovranitetin kombëtar, politika më të ashpra për emigracionin, lirinë e shprehjes dhe kundërshtojnë disa prej rregulloreve europiane që, sipas Uashingtonit, dëmtojnë kompanitë amerikane, veçanërisht ato të teknologjisë.
Sipas raportimit, Departamenti Amerikan i Shtetit do të ndajë rreth 5 milionë dollarë, të cilat do t’u akordohen dy ose tre projekteve fituese përmes një procesi aplikimi që përfundon më 12 gusht.
Nisma është pjesë e strategjisë së administratës Trump për të zgjeruar ndikimin e saj ideologjik në Europë. Gjatë mandatit të parë, Trump kishte kritikuar vazhdimisht Bashkimin Europian dhe kishte forcuar marrëdhëniet me qeveri dhe forca politike konservatore, si ajo e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka vijuar kritikat ndaj BE-së, duke argumentuar se kontinenti po largohet nga vlerat tradicionale për shkak të emigracionit, kufizimeve ndaj lirisë së shprehjes dhe burokracisë së institucioneve europiane.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se programi synon të mbështesë aleatët europianë në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut, sovranitetit dhe identitetit të tyre kulturor. Ndërkohë, dokumentet e programit kritikojnë disa qeveri europiane për, sipas tyre, largimin nga këto parime për shkak të ndikimit të burokracive mbikombëtare.
Nisma është bërë publike në prag të një takimi ndërkombëtar të organizuar nga Departamenti i Shtetit për luftën kundër terrorizmit politik, ku marrin pjesë përfaqësues nga rreth 70 shtete, mes tyre edhe Italia. Sipas raportimeve, një nga temat e diskutimit pritet të jetë edhe bashkëpunimi kundër grupeve ekstremiste të majta dhe lëvizjeve antifashiste.
Lini një Përgjigje