Pr.ligji për dëftesën tregtare, Salla: Financim më i sigurt për fermerin! Braçe: Mbroni bujkun ose kemi dështuar që tani!

16 Korrik 2026, 11:45Politika TEMA
Pr.ligji për dëftesën tregtare, Salla: Financim më i sigurt

Ndërsa prezantoi në Kuvend projektligjin për dëftesat tregtare për bujqësinë, ministri Andis Salla tha se ky mekanizëm financiar i shërben zhvillimit të bujqësisë dhe sjell përfitime për të gjitha palët. Si pikë kyçe, theksoi marrëdhëniet më të sigurta mes fermerëve dhe furnizuesve pasi mbulohet i gjithë cikli ekonomik i prodhimit bujqësor.

“I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa, instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit. Një risi tjetër e rëndësishme është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania. Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor. Përfiton e gjithë ekonomia shqiptare”, tha Salla.
Erion Braçe pati disa rezerva lidhur me projektligjin. Ai renditi si problem imponimin e çmimeve të grumbulluesit kundrejt fermerit dhe nevojën për ndarjen e qartë të hallkave. Për deputetin, projektligji duhet të ketë synim të qartë mbrojtjen e fermerëve, rregullimin e sistemit fiskal dhe rregullimin e tregut.

“Duhet ta nisim nga sistemi fiskal që kemi për prodhimin dhe produktet bujqësore, nëse s’e bëjmë, ka dështuar që tani. E dyta gjë që duhet bërë, është ndarja e zotëruesit të inputeve bujqësore nga grumbulluesi, eksportuesi e financuesi. Në rastin kur janë bashkë dhe në krahun tjetër janë edhe prodhues, çmimi që do i imponojnë bujkut është gjithnjë e më i ulët se nuk është çmendur të blejë me çmim të lartë. Shprehja që përdoret sot nga këta është: Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo. Epo ik p*rdhu se nuk ta marr, më falni për shprehjen! Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha! Bëjmë mirë ta ligjërojmë dhe legjitimojmë, mbrojmë bujkun dhe prodhimin e tij. Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit! Raste suksesi ka, por raste që ka nevojë të trajtohen për t’u zhbërë sepse janë pjesë e abuzimit me bujkun, janë aty dhe duhen zhbërë sa më parë që bujqit të marrin frymë”, tha Braçe.

Lini një Përgjigje