Ish-prokurori Eugen Beçi ka reaguar ndaj qëndrimit të Presidentit së Republikës për dekretin e lidhur me çështjen e kryetarëve të bashkive, duke e cilësuar reagimin si “jo profesional, jo etik dhe për të qeshur”. Në intervistën e dhënë për TemA, Beçi tha se Presidenti nuk mund të orientojë apo të këshillojë Gjykatën Kushtetuese në vendimmarrjen e saj, pasi kjo do të përbënte ndërhyrje në pavarësinë e institucionit.
“S’ka kuptim që ai që duhet të jetë roja e parë e Kushtetutës, t’i bëjë relacione Gjykatës Kushtetuese duke i thënë: ‘Shiko, unë po ta sjell dekretin, por ti nuk je kompetente’. Këto janë argumentime qesharake dhe jo ligjore,” u shpreh Beçi.
Sipas Beçit, precedenti tashmë është i qartë: “Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar më parë katër raste të ngjashme dhe e ka konsideruar veten kompetente për të vlerësuar shkarkimet e kryetarëve të bashkive. Prandaj reagimi i Zyrës së Presidentit është jo vetëm i gabuar në thelb, por edhe në formë.”
Në përfundim, ish-prokurori e cilësoi këtë përplasje si një provë të mungesës së respektit institucional dhe të tendencës për të relativizuar rolin e Gjykatës Kushtetuese në sistemin demokratik.