VIDEO/ Paskal Milo: Fatos Nano dhe “stuhia e lotëve” prej atyre që dikur e baltosën

27 Nëntor 2025, 15:45Politika TEMA

VIDEO/ Paskal Milo: Fatos Nano dhe “stuhia e lotëve” prej atyre

Nevoja urgjente për rikompozim e një tabloje politike që ngjan me një kënetë, thotë Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, politikan aktiv për rreth 25 vite të tranzicionit shqiptar. Ai analizon situatën politike dhe reagimin shoqëror në Shqipëri duke theksuar kërkohet me urgjencë hapësirë demokratike, ku të ngrihen alternativa, të qarkullojnë idetë dhe lidershipi. Në analizën e Milos, Partia Socialiste e drejtuar nga Fatos Nano ishte një forcë politike që kërkonte të ndërtonte institucionet, të afronte Europën dhe të krijonte një kulturë të brendshme pluraliste. Ndërsa PS-ja e udhëhequr nga Edi Rama është një parti tjetër, më e centralizuar. Nga ana tjetër, opozita e sotme, nën sundimin e gjatë të Sali Berishës, sipas Milos ka pësuar një tjetërsim të thellë. “Shkëndijat” që u ndezën herë pas here brenda PD-së u shuan shpejt, duke theksuar se cikli politik i Berishës ka përfunduar, ndërsa Shqipëria po paguan një çmim të lartë për mungesën e një opozite funksionale. “Kënetën” politike, thotë Milo, askush nuk kërkon ta pastrojë, por vetëm të notojë në të.

Referuar bashkëpunimit rreth 15-vjeçar me ish-liderin socialist Fatos Nano, Milo e përshkruan si një figurë komplekse të politikës shqiptare, një lider me merita të padiskutueshme, por edhe me dobësi njerëzore e politike që e shoqëruan gjatë gjithë karrierës. Largimi i Nanos nga jeta u shënua me “një stuhi lotësh”, ndërsa Milo ka vënë re aty mjaft prej tyre që dikur e baltosën dhe i mbyllën dyert kur ai kërkoi mënyra për t’u rikthyer në politikë.

Ish-ministri i Jashtëm paralajmëron se mungesa e opozitës reale po e deformon sistemin. Elitat politike të katër dekadave të fundit kanë prodhuar më shumë krizë sesa zhvillim, ndërsa intelektualët dhe shoqëria civile shfaqen të konformuar me pushtetin, duke humbur rolin kritik dhe emancipues që duhet të kishin në një shoqëri demokratike.

Milo flet edhe për Shqipërinë në këtë 113-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky përvjetor, sipas Milos, e gjen Shqipërinë në një situatë kur po vuan pasojat e korrupsionit të rrënjosur në qeverisje, kapjen e institucioneve dhe humbjen e ekuilibrave demokratikë.

Kosova po përjeton, sipas Milos, “vitin më të keq që prej shpalljes së pavarësisë” në 2008. Kriza e thellë politike, tensionet me aleatët perëndimorë dhe përplasjet institucionale e kanë vendosur shtetin e ri para një sfide që do të duhet të marrë zgjidhje në zgjedhjet e radhës në dhjetor të këtij viti. Milo thotë se e ka vlerësuar si politikan Albin Kurtin, por thekson se ai është njëkohësisht aktor dhe faktor i krizës, i cili, sipas tij, ka polarizuar skenën politike dhe ka vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale të Kosovës. Ndiqni intervistën e Paskal Milos në gazetën TemA.