Yuri Kim: Kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s si Shqipëria, SHBA do të përgjigjet

29 Shtator 2022, 22:04Politika TEMA

Yuri Kim: Kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s si

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, shprehet e bindur se pas sulmeve kibernetike në vendin tonë qëndron Irani. Në intervistën e saj për Opinion, Kim thekson se SHBA ka ndërmarrë dhe do të vijojë të ndërmarrë hapa konkretë për t’iu p­ërgjigjur sulmit të Iranit. Po ashtu, ambasadorja thekson se kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s, si Shqipëria, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen.

Blendi Fevziu: Le t’iu rikthehemi tani komenteve mbi Iranin dhe marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Iranit. Ne morëm një vendim shumë të fortë dhe shumë të vështirë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Sipas informacionit që qeveria jonë ka me agjenci dhe institucione të ndryshme, Irani ka ndërhyrë dhe ka shkatërruar sistemet dhe institucionet tona. A jeni e sigurt që ishte Irani pas gjithë këtij veprimi?

Ambasadorja Kim: Jemi, jemi të sigurtë. Jemi të sigurtë. Vetëm pak ditë më parë, FBI dhe CISA, Agjencia për Sigurinë Kibernetike, publikuan një raport. Është mjaft i hollësishëm, mund të ta dërgoj nëse dëshiron. Është shumë i detajuar dhe shumë teknik, dhe tregon se sulmi nisi nga Irani. Ju e patë në deklaratat tona, të cilat dolën nga Shtëpia e Bardhë, shprehjen e sigurisë se sulmi erdhi nga Irani, se ne do të qëndrojmë krah Shqipërisë dhe do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të ndërtuar mbrojtjen e saj kibernetike, dhe se do të ndërmarrim hapa konkretë për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit. Menjëherë pas kësaj, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi një sërë sanksionesh kundër Ministrisë Iraniane për Inteligjencën dhe Sigurinë, si edhe ministrave…

Blendi Fevziu: Për këtë rast?

Ambasadorja Kim: Është e lidhur me këtë rast, nuk është vetëm për këtë rast, por po.

Blendi Fevziu: Po, po, lidhur me këtë rast, po.

Ambasadorja Kim: Po. Dhe do të ndërmarrim më shumë… do të vazhdojmë të ndërmarrim më shumë hapa për të trajtuar kërcënimet. Kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s, kur dikush kërcënon Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, ne do të përgjigjemi.

Blendi Fevziu: Mendoj se ka patur edhe dy njoftime të tjera mbi akte terroriste nga Irani, disa vjet më parë dhe më i fundit, ishte në qershor, gjatë konferencës së MEK në Durrës. A mendoni se Shqipëria është në shënjestër le të themi të akteve terroriste nga Irani? A ekziston ky rrezik?

Ambasadorja Kim: Iranianët janë qartazi të pakënaqur nga vendimi i Shqipërisë për të strehuar ata që kundërshtojnë regjimin Iranian.

Blendi Fevziu: Opozita politike e Teheranit.

Ambasadorja Kim: Po. Dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëjë punën e saj ashtu e gjykon më mirë, pa pasur frikë nga kërcënimet e vendeve si Irani. Prandaj ata janë të padëshirueshëm kudo në botë, sepse sillen kështu. Prandaj ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë, përfshirë edhe duke punuar me ekspertët tuaj për të ndërtuar mbrojtjen tuaj kibernetike dhe për të korrigjuar kërcënimet që mund të kenë ekzistuar.

Blendi Fevziu: Por problem është se, dhe e pyeta edhe Kryeministrin për këtë, opozita iraniane në Shqipëri, nuk flas për numra pasi nuk i di, por problem është se ata janë mirëpritur nga ne. Ata këtu kanë ardhur si refugjatë për të jetuar, jo për të vepruar politikisht nga Shqipëria. Nuk është problem ky?

Ambasadorja Kim: Kjo është diçka që qeveria shqiptare dhe organizata duhet ta trajtojnë.

Blendi Fevziu: Nuk është… nuk keni asnjë koment për këtë.

Ambasadorja Kim: Nuk kam asnjë koment tjetër për këtë./tvklan.al

2 Komente

  1. B
    Buda

    Muxhahedinet iraniane i ka ftuar Edi Rama jo populli fukara shqiptar, i cili duhet te ruaje asnjanesine e te mos perfshihet ne blloqet kundershtare si Kina, Rusia, SHBA-ja qe duan te sundojne mbi shtetet e globit.

    Përgjigjjuni
    1. t
      taras bulba

      Mire e ke ti ore babush , ske thene gje te keqe , vec jashte nje marveshje me nje nga keto shtete , ose te jesh asnjanes sic e thua , te ha ujku sot , iken ato kohera kur ishe asnjanes ama me nje ushtri te konsiderushme solide dhe te forte ....keshtu sic jemi ne sot shoku ....edhe gjahtaret serbe me cifte do na perpine me gjithe bexga ....keshtu qe sikur te filtrosh dicka nga ato qe shkruan nuk do qe ide e keqe ...tung

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje