
Shkrimeve se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, ashtu siç tha kur u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Kryeministri Kurti u takua me Jake Sullivan, këshilltar i presidentit amerikan për siguri. Ai u prit në atë që njihet si Zyra Ekzekutive Eisenhower (EEOB), ku në mesin e shumë zyrave gjendet edhe zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ndërtesa në fjalë, e njohur më herët edhe si ndërtesa e vjetër e Zyrës Ekzekutive, në vete përmban një mori agjencish që janë pjesë përbërëse e Zyrës Ekzekutive të Presidentit si dhe të Zyrës së Zëvendës Presidentit, ndodhet pranë krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe njihet për nga pesha historike kombëtare e SHBA-ve.
Edhe sipas shpjegimit zyrtar nga Qeveria amerikane për historikun e kësaj ndërtese, thuhet se ajo gjendet “afër Shtëpisë së Bardhë” ose “është shtëpia fqinje e Shtëpisë së Bardhë”.
Por, ambasadori Hovenier ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se ky lloj shpjegimi është jo saktë.
“Isha i befasuar nga disa shkrime jo të sakta dhe çorientuese në shtypin lokal përkitazi me lokacionin e kryeministrit, Albin Kurti, në takimin me Këshilltarin e Joe Biden për Çështje të Sigurisë, Jake Sullivan. Ndërtesa Eisnehower është pjesë e kompleksit të Shtëpisë së Bardhë dhe takime të nivelit të lartë, përfshirë president, zëvendës-president dhe këshilltar të sigurisë mbahen rregullisht aty”.
Ambasadori ka marrë edhe një shembull ilustrues për ta shpjeguar situatën.
“Në vitin 2010, kane qenë vetë prezentë në takimin në mes të atëherë zëvendës presidentit, Joe Biden, dhe kryeministrit, Hashim Thaçi, në të njëjtën ndërtesë”.
Megjithatë, mediat nuk kanë raportuar se kjo ndërtesë nuk gjendet në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, përveç se kanë shpjeguar që nuk është vetë Shtëpia e Bardhë, ashtu siç tha kryeministri Kurti.
Lini një Përgjigje