Asociacioni në Kushtetuese? Rrezikohet anëtarësimi i Kosovës në KiE

19 Prill 2024, 22:10Rajoni TEMA
Asociacioni në Kushtetuese? Rrezikohet anëtarësimi i Kosovës

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës mund të shtyhet nëse asociacioni nuk dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Ish-ambasadori i Kosovës ne Suedi dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci thotë në një përgjigje me shkrim për A2 CNN se ka informacione që e sugjerojnë diçka të tillë.

“Nëse nuk shkon në Gjykatën Kushtetuese me aq sa kam informacion sa kam, votimi shtyhet për një vit, e për një vit sa uji të shkojë nën ure do të humbasim kohë dhe shumë situata mund të na dalin prej duarsh”, tha Lulzim Peci.

Kryetarja  e komisionit për Integrim në BE,  Rrezarta Krasniqi ka deklaruar për A2 CNN se ekziston rreziku, që kërkesa për ta dërguar asociacionin në Gjykatën Kushtetuese të mos pranohet nga qeveria dhe kjo mund të shkaktojë një përplasje më partnerët. Edhe sipas saj, diçka e tillë mund të rrezikojë votimin më 16 maj për anëtarësimin në Këshillin e Europës.

Sakaq, analisti politik Fitim Mulolli thotë se fryma pozitive e krijuar me votimin në KiE, duhet të shfrytëzohet në raport me Serbinë. Ai thekson se Asambleja e KiE- së ka rekomanduar që kur të marrin vendimin, final te merret parasysh a ka bërë Kosova hapa konkret, drejt themelimit të Asociacionit.

Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare të martën, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave. Kosova dhe Serbia arritën për herë të parë marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Lini një Përgjigje