Kosova blindohet nga NATO, ekspertët: Sinjal Serbisë, të mos hyjë në lojëra të rrezikshme

18 Prill 2024, 22:10Rajoni TEMA
Kosova blindohet nga NATO, ekspertët: Sinjal Serbisë, të mos

Shtimi i trupave dhe armatimeve të NATO-s në Kosovë konsiderohet si një vendim i rëndësishëm dhe i nevojshëm nga anëtari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend nga radhët e Vetëvendosjes, Enver Dugolli.

Në një prononcim për A2 CNN ai thotë se lëvizja e njoftuar nga komandanti i NATO-s, Christopher G. Cavoli, është një sinjal i fortë që i dërgohet Serbisë që mos të hyjë në lojra të tilla që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.

Dugolli thekson se Serbia ka nisur këto ditë një stërvitje në shkallë të gjerë, duke vendosur tanke në kufij dhe në Luginë të Preshevës, me një qëllim të vetëm: “Sinjal që i dërgohet Serbisë që të mos tentojë lojëra të tilla, për shkak se destabilizimi mund të ketë pasoja shumë të mëdha për rajonin. Serbia po zhvillon një stërvitje goxha të madhe këto ditë, për të treguar forcën e saj”.

Kurse ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, paralajmëroi se Serbia mund të shfrytëzojë situatën e krijuar në rajon. Sipas tij, mes deklaratave luftënxitëse të Dodikut, NATO ka bërë një vlerësim të saktë të situatës. Kurse sa i përket rolit që ka marrë Franca për të pajisur Serbinë me avionë të sofistikuar lufte, Gashi thekson se këto janë detyra që ndahen mes aleatëve, duke konsideruar raportet e mira mes dy vendeve.  

Lini një Përgjigje