BE-ja ende s’ka një datë për takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel

7 Shkurt 2023, 16:05Rajoni TEMA

BE-ja ende s’ka një datë për takimin

Bashkimi Evropian nuk e ka saktësuar ende datën e takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut në Bruksel. Kështu të paktën ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media.

I pari i qeverisë së Kosovës, pas takimit me deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar Kurti.

Diplomati  Lajçak përmes një statusi në Twitter përgëzoi vendimin e Qeverisë së Kosovës.  “Më vjen mirë që edhe Kosova tani e ka pranuar në parim propozimin evropian. Do të vazhdojmë diskutimet në takime të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak.

Megjithatë sipas Stanos data e takimit në fjalë “do të shpallet në një kohë të përshtatshme.

“Në tryezë është një propozim evropian se si të ecim përpara dhe të arrijmë përparim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nuk kam asgjë për të shtuar në atë që tha përfaqësuesi ynë special në terren. Sa i përket takimit të nivelit të lartë, kuptohet që ne jemi gjithmonë të gatshëm t’i mirëpresim dhe të organizojmë një takim të tillë”, ka shtuar ai.

Lini një Përgjigje