SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së

7 Shkurt 2023, 11:32Rajoni TEMA

 

SHBA mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

Hovenier thotë se do të ofrojë mbështetje të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Shtetet e Bashkuara inkurajohen dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”- shkruan Hovenier.


Ambasadori amerikan tha se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas drekës me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të hënën tha se Kosova e pranon propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.


“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Lajçak tha se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Lini një Përgjigje