Osmani e Kurti i ofruan ndihmë Turqisë, por si dhe sa mund ta ndihmojë Kosova popullin turk?

6 Shkurt 2023, 15:27Rajoni TEMA

Osmani e Kurti i ofruan ndihmë Turqisë, por si dhe sa mund ta

Mbi 1 mijë e 600 viktima janë regjistruar deri më tani nga tërmetet e fuqishme në Turqi dhe Siri që ndodhën të hënën prej 7.8 shkallësh të Rihterit.


Njëri nga vendet që ka ofruar ndihmë për popullin e Turqisë është edhe Kosova.

Nga krerët institucionalë është thënë se Kosova ka gatishmëri që të ndihmojë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se ndihma do të ofrohet përmes dërgimit të trupave të Forcës së Sigurisë në Turqi, nga ana tjetër opozita ka kërkuar krijimin e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare.

Por, a ka kapacitete të mjaftueshme Kosova për të ofruar ndihma në aspektin financiare e në atë të sigurisë?

“Kosova në aspektin financiar nuk mund të konkurrojë me shtetet tjera që për raste të tilla kanë mundësi dhe hapësira më të larta të veprimit në formën financiare”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

“Por, mund të themi që në kuadër të FSK ekziston komponentë e saj për kërkim/shpëtim, ku kjo komponent është dëshmuar në shumë raste që nga vërshimet, termit në Shqipëri, Orteku i borës në Restelic dhe veprime të tjera të kësaj fushe”, thotë Shala për Albanian Post.

“Mund të themi që FSK është shndërruar në elitë rajonale sa i përket reagimit në raste të emergjencave të formave natyrore”.

Kapacitetet e Kosovës në aspektin financiar për të ndihmuar Turqinë

Edhe profesori i Ekonomisë, Nagip Skenderi, në një bisede për Albanian Post pohon se kapacitet e Kosovës për të ndihmuar në aspektin financiar janë të ulëta për të ndihmuar popullin turk.

“Mendoj se gatishmëria e shtetit të Kosovës për të ndihmuar Turqinë në këto momente të vështira, pas katastrofës që ndodhi me rastin e tërmeteve, më tepër është gatishmëri dhe vullnet moral dhe solidaritet human, sepse dihen kapacitetet tona financiare sa janë”.

“Por, konsideroj se më tepër efekt do të kishte ndihma që do të duhej Kosova t’i ofronte Turqisë përmes angazhimit të FSK-së në këtë rast, përveç ndihmës financiare”, thotë Skenderi për AP.

Gjithsesi, edhe sipas tij, krijimi i një fondi emergjent do të ishte veprim i duhur.

“Është e domosdoshme të kemi një fond emergjent për këto raste, sepse dihet mirëfilli para pak kohe edhe ne u ballafaquam me një katastrofe natyrore (rasti i vërshimeve në disa zona të Kosovës)”.

Edhe për njohësin e çështjeve të sigurisë, Avni Islamin, institucionet e Kosovës bën mirë që treguan gatishmëri për të ndihmuar Turqinë.

Edhe ai deklaron se ndihma konkrete që do të mund t’i ofronte Kosova Turqisë është përmes FSK-së, sepse në disa raste “kanë treguar një profesionalizëm të lartë”, siç ishte rasti “në Shqipëri kur ndodhi tërmeti”.

Eksperienca me Shqipërinë sipas tij, duhet të shërbejë edhe në rastin e Turqisë.

“FSK-ja me kapacitet e saj duhet të shpreh gatishmërinë e saj, kurse sa i përket fondit ne e dimë sa ka kapacitete Kosova, por e rëndësishme është pjesëmarrja e saj dhe solidarizimi me popullin e Turqisë”.

Nga Turqia është thënë se afër 9 mijë persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti.

Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Ndërsa në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet./ Albanianpost.com

1 Komente

  1. !
    !!!

    Cdo vend ben aq sa mundet. Ne tragjedi te tilla, vendet e kombet lene menjeane edhe armiqesite ndermjet tyre dhe shprehin solidaritet e japin ndihme. Greket po mberrijne ne Turqi, bile edhe izraelitet po shkojne ne Siri.

    Lini një Përgjigje