
Të dielën në organizimin e protestës nga serbët në kufi me Kosovën ka pasur plan që të digjet pika kufitare në Jarinjë ka thënë zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai ka shkruar se plani ishte serbo-rus.
“Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët)”, shkruan Bislimi në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë protestës së djeshme, është parë policia serbe duke formuar kordon para pikës kufitare, por Bislimi shkruan se s’kishte të bënte me ndaje reale, por vetëm improvizim, pasi është kuptuar se nuk do të mund t’i djegin kabinat e pikës kufitare.
“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, thotë ai.
Bislimi në fund të statusit ka bërë një ndarje, duke shkruar se “siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në. Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë”.
Të dielën qindra protestues, një pjesë e tyre me maska, kanë protestuar pranë pikës kufitare në Jarinjë.
Ata mbanin pankarta të ndryshme në duar, derisa njërës prej tyre ku shkruante “Marrëveshjet e Brukselit” i kanë vu flakën, duke nënkuptuar se ato kanë marrë fund për ta.
Zyrtarisht qeveria e Serbisë nuk është vënë prapa protestës, por as nuk është provuar të ndalet ajo.
Lini një Përgjigje