"Familjarët më harruan në shtëpi dhe u nisën përmes maleve në Shqipëri", rrëfimi tronditës i të riut gjatë sulmeve serbe në Kosovë

28 Mars 2023, 10:06Rajoni TEMA

"Familjarët më harruan në shtëpi dhe u nisën

Ardian Hoxha është shqiptari nga Kosova, që aktualisht jeton në Austri, por që ka një histori jete si në filma.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se ishte vetëm 10 vjeç kur nisi lufta në Kosovë dhe familja e tij u detyrua nga ushtria serbe të braktiste shtëpinë.

Mirëpo, këtu ndodhi e papritura, pasi ata e harruan dhe vetë u nisën përmes maleve në Shqipëri.

“Në vitet kur ka filluar lufta isha 10 vjeç. Ka qenë një urdhër nga ushtria serbe që ne të braktisnim shtëpitë tona dhe të largoheshim. Ata kishin për qëllim ekstradimin e banorëve nga fshati ynë.

Pastaj banorët filluan të organizoheshin dhe të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pa dëshirë edhe familja ime. Mirëpo, duke qene një familje e madhe, ata ndoshta nga pakujdesia më harruan në shtëpi. Ata morën rrugën dhe u takuam më vonë.

Ne ishim 10 anëtarë dhe duke llogaritur axhallarët dhe fqinjët përreth ishim 200 banorë, të cilët në panik e sipër duhet të largoheshim drejt Shqipërisë. Familja ime është larguar pastaj kanë dal jashtë në rrugë dhe i kam kërkuar. Kam hyrë në shtëpi dhe kam parë dhomat e boshatisura. Ne flinim nëpër shtëpi të ndryshme, që të mos na e diktonin ata se ku ishim.

Unë kisha një panik të madh, pasi kërkoja prindërit dhe babai im kishte mbetur në Gjakovë, pasi ishte i angazhuar me punë dhe nuk e lejonin që të vinte te familja.

Ndërkohë që nëna ime me vëllezërit e mi kishin marrë rrugën për në Shqipëri dhe ndodheshin nëpër male. Kam dal menjëherë në rrugë dhe kam shkuar te fqinjët për t’i kërkuar, por pash që edhe aty nuk ekzistonte asnjëri”, rrëfeu ndër të tjera Ardiani.

 

 

1 Komente

  1. A
    Abc

    Kjo eshte per skenar filmi...

    Lini një Përgjigje