Pas intervenimit të Policisë së Kosovës për t’i asistuar kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviq-it dhe Zubin Potokut që të vendosen në objektet komunale, deri tani të mbajtura nga strukturat paralel, i është vënë flaka një veture të policisë.
Nga pamjet ngjarja duket të ketë ndodhur në komunën e Zveçanit, ku policia përmes gazit lotsjellës arriti të futet në objekt.
Objekti ishte rrethuar nga qytetarët.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka qenë duke i asistuar kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hyjnë në objektet e ndërtesave komunale.
Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë dashur të hyjnë në hapësirat e komunave.
Albanian Post pak orë më parë ka raportuar mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
Lini një Përgjigje