Në leximin e tij të situatës aktuale politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, ish-ndërmjetësuesi i parë i Bashkimit Evropian në dialogun teknik ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit, mendon se asnjëra nga palët nuk ka dëshirë ta zgjidhë kontestin e pazgjidhur tash e 11 vjet.
Paçka, sipas përshtypjes së tij, Kosova dhe Serbia, janë krejtësisht të kënaqur me faktin se ka një problem mes tyre.
“Duket se ata nuk shohin ndonjë rrezik të veçantë në këtë dhe nuk shqetësohen. Sikur u gëzohen vëmendjes mediatike, deklaratave bombastike dhe shfaqjes së forcës. Por, duke mos arritur një marrëveshje – në fakt tregojnë se sa të dobët janë”, ka thënë diplomati britanik në një intervistë për Zërin e Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u dinamizua së fundmi pas propozimit franko-gjerman, i cili më pastaj u pagëzua si propozim i BE-së i mbështetur nga Gjermania dhe Franca, e të cilin Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator pjesërisht e më 12 nëntor tërësisht.
E sipas Cooper ngritja e shpejtësisë në bisedime duke marrë për bazë propozimin në fjalë është një gjë pozitive dhe mundësi e mirë.
“Do të ishte mirë – megjithëse nuk jam i sigurt se cilat janë detajet e një propozimi të tillë. Ka shumë prej tyre që qarkullojnë – propozime të shumta janë testuar në publik”, ka shtuar ai.
Për diplomatin britanik problemi kryesor në mes të Kosovës dhe Serbisë është Veriu i Kosovës dhe serbët të cilët jetojnë në këtë pjesë të vendit.
“Pakica serbe ndjehet e tjetërsuar në Veri, sepse beson se është në një vend të huaj. Në të gjithë Evropën, u gjetën zgjidhje për njerëzit që, si të thuash, u gjendën në vendin e gabuar – siç mendonin dikur, për shembull, gjermanishtfolësit në Alsace të Francës. Mënyra për ta zgjidhur është të bindësh qytetarët se nuk ka rëndësi se në cilin shtet ndodhen”, ka shtuar ai.
Prandaj, argumenton, Cooper Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të krijohet në atë mënyrë që zëri i serbëve në Kosovë të dëgjohet më fortë.
“Bëhet fjalë për diçka që është plotësisht e harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj fuqimisht këtë, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur rezerva për këtë. E kuptoj që kishte shqetësime nga pala kosovare se një organ i tillë mund të kishte të drejtën e vetos mbi legjislacionin e Kosovës – por nuk do të ishte kështu”.
“Asociacioni ende më duket si një ide e mirë – dhe më vjen mirë që vëmendja është përqendruar sërish në të. Kjo nuk ka të bëjë me krijimin e një Republika Srpska tjetër – por për një marrëveshje që është negociuar. Më dukej gjithmonë si një zgjidhje e arsyeshme, ose të paktën një bazë e mirë për të. Sepse ka çështje të tjera që duhet të finalizohen”.
Lini një Përgjigje