"Kurti ka vepruar në kundërshtim me çfarë i është sugjeruar”

1 Gusht 2022, 16:51Rajoni TEMA

"Kurti ka vepruar në kundërshtim me çfarë i

Nga çfarë ndodhi mbrëmë dhe mënyra se si reagoi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, me shumë gjasë Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk ka qenë e koordinuar me aleatët, por edhe ka vepruar kundër tyre, thotë Visar Ymeri, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, për Albanian Post.

I pyetur se nga situata e mbrëmshme a mund të nënkuptohet se nuk ka pasur koordinim, Ymeri deklaroi që “madje duket më shumë se kaq”.

“Forma e reagimit të mbrëmshëm të Ambasadorit Hovenier (shkuarja në zyre të Presidentes pak para mesnatës) dhe konferenca për shtyp në të cilin doli i vetëm, përfshirë fjalët që tha, tregojnë se përtej mos koordinimit këtu kishte një veprim të kundërt me atë të sugjeruarin”.

Ymeri thotë se informacione nuk ka, porse “duket se një kërkesë të tillë ShBA-të ia kanë paraqitur edhe më herët krerëve tanë institucionalë. Nëse kjo është kështu, atëherë shpërfillja e kësaj kërkese mendoj që është një gabim jashtëzakonisht i rrezikshëm”.

Sa për vendimin e qeverisë për t’u tërhequr nga vendimi për aplikimin e reciprocitetit për shkak të kërkesës amerikane, Ymeri e quajti të qëlluar.

“Tërheqja nga zbatimi i vendimit pas kërkesës së Ambasadorit të ShBA-ve ka qenë dashur të ndodh. Pyetja kryesore është pse Qeveria e Republikës së Kosovës ka shkuar aq larg sa ta sjellë veten dhe Kosovën në një pozitë të tillë, kur duhet ambasadori i një vendi mik të dal publikisht dhe t’i kërkojë qeverisë sjellje të përgjegjshme. Kjo është shumë brengosëse, meqë veprimet e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës duhet të jenë përherë të bashkërenduara me ShBA-të dhe NATO-n duke qenë këto garanti i vetëm i sigurisë në rajon”.

Ymeri shton se “jemi në një fazë jashtëzakonisht të ndjeshme globalisht që ka nisur me invazionin e Rusisë në Ukrainë, dhe që tash po zhvillohet si një kërcënim i sigurisë globalisht, përmes krizës ekonomike, inflacionit të lartë dhe kërcënimet e Kinës ndaj sigurisë në Azinë e Largët”.

“Në situata të tilla duhet të mendojmë shumë më thellë e të koordinohemi shumë më ngushtë me miqtë para se të ndërmarrim hapa të tillë sikur ky mbrëmë”, pohoi kryetari i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”.

Se si do të reflektojë e gjithë situata e mbrëmshme, Ymeri thotë se “do ta shohim ditëve në vazhdim”.

“Megjithatë mendoj që sjellja e mbrëmshme, dhe jo vetëm e mbrëmshme, po na paraqet si shtet jo serioz, i cili kurrë asnjë gjë me rëndësi nuk e planifikon si duhet, dhe i cili e ka të pamundur t’i ravijëzojë interesat e veta shtetërore e kombëtare”.

Qeveria e Kosovës do të duhej nga data 1 gusht të fuste në funksion dy masa: zëvendësimin e tabelave serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës me tabela RKS dhe gjithashtu lëshimin e fletës së bardhë si dokument shtesë dhe i domosdoshëm për serbët që kalojnë nga Serbia në Kosovë.

Vendimi filloj zbatimin, por vetëm përkohësisht, sepse pas acarimit të situatës, ndërkombëtarët intervenuan duke kërkuar mos-zbatim të këtij vendimi edhe për 30 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pranoi vendimin dhe tani do kërkohet një zgjidhje në Bruksel.

 

3 Komente

  1. T
    Taulant

    Si do qe te kete vepruar Kurti ai ka momentin ne favor. Serbia si mbeshtetese e Rusis eshte e humbur automatikisht ne nje konflikt ne Kosove. Amerikanet nuk e llogarisin Serbin .

    1. D
      Detari

      gazeta tema eshte nje cop propagande qe paguhet nga sllavet.

      1. A
        Abdullah Palloshi

        Kurse ti Dekari duhet të jesh shefi i UDB-së që e dike me kaq siguri.

      Lini një Përgjigje